2011-03-23 18:02:37

Pas telefonatës Obama-Sarkozì, NATO hyn në komandën e operacionit në Libi. Sulme të reja të forcave të Gedafit në Misrata.


(23.03.2011 RV)Misioni ndërkombëtar në Libi përcaktohet më mirë, pas vendimit për të përfshirë NATO-n në komandën ushtarake. Që sot, ka filluar patrullimi detar i Paktit të Atlantikut, për të kontrolluar respektimin e embargos së armëve. NATO-ja hyri në operacionin “Odiseja në agim”, pas bisedimeve telefonike të presidentit amerikan Barak Obama me kreun e shtetit francez, Nikolas Sarkozì dhe me kryeministrin britanik, David Kamerun. Shtete të tjera nuk janë dakord. Përveç Rusisë, që kërkon armëpushimin e menjëhershëm, edhe Gjermania tërhiqet nga të gjitha operacionet e NATO-s në Mesdhe, në shenjë proteste për ndërhyrjen në Libi.RealAudioMP3
E ndërsa fronti perëndimor përcakton strategji të reja dhe ndarjen e kryesisë së misionit në Libi, kreu i kësaj të fundit, Muhamar Gedafi theksoi dje, para një turme të mbledhur pranë bunkerit të tij në Tripoli, se nuk ka ndërmend të largohet nga vendi. Forcat e tij hynë sot në qendër të qytetit të Misratës, ku shkaktuan së paku 17 viktima. Koalicioni ndërkombëtar u përgjigj me bombardime, për të shmangur përparimin e trupave qeveritare drejt Bengazit, kështjellë e kryengritësve dhe seli e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, i cili ka zgjedhur qeverinë e përkohshme libiane.
Regjimi i Gedafit organizon gjithnjë autobusa me gazetarë për t’i çuar në zonën e bombardimeve të avionëve të koalicionit, që të shohin me sytë e tyre dëmet e shkaktuara. Liroi gjithashtu tre gazetarët e huaj të kapur dje. Nga Tripoli, që vazhdon jetën normale, sapo përfundojnë bombardimet, na flet një gazetar italian, Kristiano Tinaci, të cilit i kërkuam shpjegime mbi të ardhmen e Libisë. Sot për sot, Tripolitania dhe Cirenaika janë dy fytyra të vendit, në konflikt ndërmjet tyre. Pas kësaj lufte, pas Gedafit, cilat do të jenë përparësitë?

Po përpiqen të përdorin këshillat fisnore për të gjetur zgjidhjen paqësore të konfliktit të këtyre javëve. Është organizuar edhe një marrshim i madh drejt Bengazit, një manifestim paqësor i Këshillit popullor e shoqëror, ku qeveria dhe komitetet popullore janë lënë jashtë. Këshilli është një organizëm, që mbledh të gjitha fiset e vendit e ku bën pjesë edhe fisi Varfala, i pari që mbështeti protestat kundër Gedafit, por që tani, së paku një pjesë, është me kolonelin. Po afrohen edhe fise të tjera, që në fillim protestonin. Ndryshojnë mendim ndoshta për shkak të bombardimeve të huaja: ky vend nuk pranon ndërhyrje të jashtme.

Gjendja humanitare në Libi është dramatike: me mijëra vetë ikin drejt lindjes, shumë kapërcejnë kufirin me Egjiptin, me frikën e raprezaljeve nga ana e qeverisë. Në këto kushte, t’i ndihmosh është tejet e vështirë. Intervistuam Lourenc Jolls, delegat i Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët në Evropën e jugut, i cili aktualisht ndodhet në kufirin libiano-egjiptian:

Deri tani, 15 mijë libianë kanë kaluar kufirin me Egjiptin, por duhet thënë se gjatë ditëve të fundit, gjendja ka qenë relativisht e qetë. Kushtet në Egjipt nuk janë të mira, madje janë shumë të vështira. Po bisedojmë me autoritetet për të marrë lejen që të përmirësojmë gjendjen në kufi. Por lejet vijnë me pikatore. Do të kishim dashur të ndërtonim kampe për refugjatët, por egjiptianët i konsiderojnë libianët të përkohshëm e jo si mysafirë, që do të qëndrojnë gjatë në kufi. Është e vërtetë se nga 136 mijë personat, që kanë kaluar kufirin, 79 mijë janë egjiptianë, që punonin në Libi, ndërsa vetëm 15-20 mijë janë libianë, që ikin nga frika e raprezaljeve. Megjithatë, duket se kanë mjete për të mbijetuar, vazhdojnë rrugën për në brendësi të Egjiptit, ku ndoshta kanë pika mbështetjeje. Por, nëse gjendja në Bengazi do të vazhdojë të keqësohet, ka mundësi të vijnë libianë, që nuk kanë asnjë mjet jetese. Gjithashtu, ekziston problemi i atyre, që ishin refugjatë në Libi, si eritreasit, somalët, sudanezët, të cilët nuk mund të kthehen në atdhe. Pastaj, ka persona të kombësive të tjera, për të cilët qeveritë apo ambasadat nuk po shqetësohen aspak. Të tillë janë ata që vijnë nga Bangladeshi. Po organizojmë avionë për tranferimin e tyre dhe po sjellim ushqime e ndihma të tjera nga depot tona në Dubai.







All the contents on this site are copyrighted ©.