2011-03-23 17:58:21

Impenjimi i Kishës së Japonisë për shërimin e plagëve të hapura nga tërmeti, cunami e rrezatimet bërthamore.


(23.03.2011 RV)Vijon impenjimi i Kishës në Japoni. Atë David Uribe, misionar i Guadalupes, shpjegon, në Agjensinë AziaNjuz, se në shumë famulli të kryedioqezës së Tokios, besimtarët kanë mbledhur ndihma të domosdoshme për jetesën, për t’i dërguar në prefekturat më të dëmtuara nga tërmeti, tsunami e rrezatimi bërthamor. Meshtari nënvizon se nuk është siguruar ende lidhja me famullitë e dioqezës të Sendai, më e dëmtuara nga tsunami, ndonëse skuadrat e ndihmës e kanë rregulluar një pjesë të mirë të rrugëve, që sigurojnë komunikimin me prefekturat në veri-lindje së vendit, ku tani për tani ndalohet hyrja e të huajve. Dje kryeipeshkvi i Tokios, imzot Peter Takeo Okada, në një mesazh drejtuar popullatës, i siguroi të gjithë ata, që po kalojnë çaste vërtet të vështira, se ndjehet shumë pranë tyre e se lutet, që këto çaste të kalojnë sa më shpejt, duke i hapur rrugën rikthimit në jetën normale. Në të katër anët e botës – pohon prelati – miliona njerëz luten çdo ditë për Japoninë. E lutja është ndihma më e mirë. Pa harruar edhe ndihmat ekonomike, në një çast kur Banka Botërore bën të ditur se, sipas vlerësimit të saj, shuma që duhet shpenzuar për rindërtimin, duhet të jetë rreth 234 miliard euro.









All the contents on this site are copyrighted ©.