2011-03-23 17:57:33

Benedikti XVI: Potret i Shën Lorencit nga Brindizi


Shën Lorenci, që në pagëzim u quajt Jul Qesari, lindi më 1559, në qytetin e Brindizit, në familjen fisnike, por tashmë të varfëruar, Russo. I jati i vdiq kur ishte vetëm 7 vjeç. Jetimi mbeti në duart e së ëmës e të Vëllezërve Françeskanë Konventualë të qytetit të lindjes. Ndonjë vit më pas, u vendos me të ëmën në Venedik, ku njohu së afërmi vëllezërit kapuçinë, të cilët në atë kohë ishin vënë bujarisht në shërbim të mbarë Kishës, për zbatimin e reformës shpirtërore, nisur me Koncilin e Trentit. Ishte 14 vjeç, kur e la edhe e ëma. Atëherë vendin e familjes fizike, e zu familja shpirtërore: 17 vjeç Juli veshi zhgunin e vrazhtë françeskan e u bë fra Lorenci nga Brindizi. Në vitin 1575 bëri kushtet e përhershme, për t’u shuguruar meshtar në vitin 1582.Që në vitet e para të studimeve, u dallua për cilësi intelektuale të jashtëzakonshme. Mësoi me lehtësi të çuditshme disa gjuhë të lashta, si greqishten, hebraishten, sirishten, e jo më pak, gjuhët moderne: frëngjishten e gjermanishten, që iu shtuan njohjes së thellë të italishtes e të latinishtes, e cila flitej lirisht nga të gjithë njerëzit e Kishës e të kulturës. Ishte, asokohe, gjuhë ndërkombëtare. U krijonte mundësinë të merreshin vesh menjëherë, të gjithë atyre, që kishin rrokur pendën në fusha të ndryshme të kulturës.
Falë zotërimit të gjithë këtyre gjuhëve, Lorenci mundi ta kumtonte Ungjillin ndërmjet njerëzve të kombeve të ndryshme, në një kohë kur në Evropë vijonte të përhapej protestantizmi.
Shumë shpejt u vlerësua nga sivëllezërit aq, sa të zgjidhej në krye të Urdhërit, si gjeneral i të gjithë fretërve, të cilët e mbiquajtën “ngushëllimi i vëllezërve”.
Më 1619, në sa drejtonte, në Lisbonë, bisedimet e suksesshme me Filipin III të Spanjës në dobi të napoletanëve, u takua, papritmas, me “motrën vdekje” e cila e mori me vete, në sa mbushte 60 vjeç.
U shpall shenjt në vitin 1881 e, falë veprimtarisë së tij të jashtëzakonshme, shkencës së gjërë e të harmonishme, meritoi titullin “Dijetar Apostolik” nga ana e Papës Gjoni XXIII, në vitin 1959, me rastin e katërqind vjetorit të lindjes. Një titull i tillë iu dha edhe si autor i një sërë veprash të ekzegjezës biblike, të teologjisë e të predikimit të Fjalës së Zotit. Përmes tyre na la trashëgim paraqitjen organike të historisë së shëlbimit, përqendruar tek Mishërimi, shprehja më e lartë e dashurisë hyjnore për njerëzimin. Shën Lorenci ishte edhe mariolog i madh, autor i përmbledhjes së predikimeve kushtuar Virgjërës Mari, titulluar “Mariale”.
Shenjti vijon t’i porosisë të gjithë, e jo vetëm njerëzit e Kishës, të luten vazhdimisht, me zë e pa zë, me mendje e me zemër, kur punojnë e kur pushojnë, sepse njeriu që lutet, flet me Zotin, e Zoti, me të. E kështu i bën të gjithë ata që luten, lajmëtarë të harmonisë e të pajtimit, të paqes e të mirësisë!









All the contents on this site are copyrighted ©.