2011-03-22 15:59:17

Vikari apostolik i Tripolit: “Nuk janë bombat, që na japin paqen”


Në Libi Kisha katolike vazhdon të jetë pranë popullsisë edhe në çastet dramatike të krizës shkaktuar nga luftimet. Cili është qëndrimi i Kishës Katolike në Libi për gjendjen aktuale e për ndërhyrjen e koalicionit ndërkombëtar. Të dëgjojmë vikarin apostolik të Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli:
Pas tri ditë bombardimesh, gjendja është e tmerrshme. Natën, bombat nuk na lenë të flemë. Qyteti është kthyer në një vend fantazmë, ku ekziston heshtja, frika, poshtërimi. Shumë njerëz janë larguar për në vendin e origjinës, pasi nuk mund të qëndrojnë më këtu. Ka një atmosferë varreze. Është e vërtetë se bombat janë hedhur në vende të caktuara, por qyteti, në një mënyrë apo në një tjetër, i ndjen pasojat e këtyre shpërthimeve të natës. Është vërtet e pabesueshme si mund të përjetohet diçka e tillë në një vend, ku për vite me radhë, është krijuar, me durim e vështirësi, miqësia me Evropën e sidomos me Italinë.
Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa kërkoi të sigurohet mbrojtja e popullsisë dhe furnizimi i saj me ndihma humanitare. Sipas jush, cila është rruga, që mund ta çojë vendin drejt pajtimit?
Duhet të ndalen bombardimet, të vendoset armëpushimi dhe të gjendet një zgjidhje, nëse është e mundur përmes ndërmjetësimit, përmes kontakteve me persona afër qeverisë libiane. Ati i Shenjtë na ftoi të lutemi. Ne lutemi çdo ditë me grupin e vogël të rregulltarëve dhe me një pjesë të popullit të Zotit, që ka mbetur këtu, ndërsa të tjerët kanë ikur. Lutemi me fe të thellë, të bindur se vetëm lutja, vetëm Zoti mund t’i ndryshojë zemrat. Por nuk janë bombat, ato që mund të na japin paqen.
Cila është thirrja juaj për qeverinë e Gedafit?
Problemi i qeverisë libiane është se nuk e ndjeu këtë krizë brezash të kohëve të fundit. Të rinjtë kërkonin më shumë të drejta, por u tregua më tepër shqetësim për dhunën, ose për gjëra të tjera. E kam përsëritur disa herë se këta të rinj duhen dëgjuar, u duhet dhënë shpresë, sepse veshi i shurdhër nxit dhunën.
Sulmet mbi Libi i kanë shtyrë të huajt e, edhe katolikët, të largohen nga vendi. Ndërsa ju keni vendosur të qëndroni përkrah popullsisë…
Shumë janë nisur. Mbetet një pjesë e vogël e popullit të Zotit. Unë nuk mund t’i lë, nuk mund t’i lemë njerëzit. E jo vetëm të krishterët, por edhe miqtë libianë, të cilët na thonë: “Faleminderit që qëndruat, faleminderit që na jepni shpresë. Prania juaj është shenjë shprese”. Kuptohet, jo aq sa bëjmë, por ajo që jemi, bëhet inkurajim për të gjetur rrugën e paqes. Shumë miq myslimanë më thonë: “Ne lutemi si ju, lutuni për paqen”. Uroj që forca e lutjes t’i ndihmojë njerëzit të rigjejnë vlerën e miqësisë e të respektit për një popull tjetër, pavarësisht se i ndryshëm, e të takohen gjithnjë në rrugën e dialogut për paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.