2011-03-22 14:55:38

Sali Berisha: 22 marsi 1992 dita e demokracisë shqiptare që shembi diktaturën komuniste


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e cilësoi sot 22 marsin e vitit 1992, si ditën e parë të bekuar të demokracisë shqiptare, që shembi me votë diktaturën komuniste.
Në një koncert festiv, që u organizua të martën në Tiranë nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike me rastin e kësaj dite, Kryeministri Berisha kujtoi se "në 22 mars shqiptarët kërkuan me votën e tyre një Shqipëri tjetër, Shqipërinë Evropiane".
Në fjalën e tij, Berisha shprehu mirënjohjen e thellë ndaj miliona shqiptarëve që me votën e tyre të lirë në 22 mars 1992 hodhën themelet e demokracisë shqiptare.
"Një mirënjohje të thellë ndaj qindra mijëra shqiptarëve të diasporës, të cilët mbajtën të gjallë flakën e lirisë së kombit shqiptar dhe dhanë ndihmesën e tyre historike në fitoren e PD-së të 22 marsit të vitit 1992. Një mirënjohje të thellë edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë, që 20 vjet më parë, me mbështetjen e fuqishme të PD-së, bënë të mundur fitoren tonë", tha Berisha.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi se "në 22 mars 1992 shqiptarët kërkonin një Shqipëri tjetër". "Shqiptarët nuk donin Shqipërinë e mjerimit, izolimit dhe prapambetjes, por kërkonin Shqipërinë e prosperitetit, të zhvillimit, të lirive dhe të drejtave njerëzore, Shqipërinë evropiane", tha Sali Berisha.
"22 marsi do mbetet në memorien kombëtare si pranvera më e bukur në të gjithë historinë tonë", tha Berisha, ndërsa e cilësoi 22 marsin si fitoren e dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.
"Më 22 mars ata që me votën e shqiptarëve erdhën në pushtet nuk kishin projekte në letër për të zbatuar, por ata kishin projektet më mahnitëse, më të bukura, më të gjalla, sepse kishin ëndrrat dhe aspiratat e qytetarëve të vendit", tha Berisha.
Sipas tij, "këto ëndrra e aspirata e bënë Shqipërinë anëtare të NATO-s nga vendin më të izoluar të planetit". "Këto ëndrra e bënë Shqipërinë vendin e lëvizjes së lirë dhe bënë që shqiptarët të ecin më shpejt se çdo komb tjetër, në rrugën e lirisë", vijoi Kryeministri.
Lidhur me zgjedhjet e 8 Majit, ai tha se programi elektoral i PD-së do të jetë ai i ëndrrave dhe aspiratave të qytetarëve. "Programi ynë jeni ju, ëndrrat dhe bindjet tuaja", iu drejtua Berisha mijëra të pranishmëve në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ndërsa la të kuptohet se kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës do të jetë Lulzim Basha, aktualisht ministër i Brendshëm.
"Ju ftoj të mbjellim këtë pranverë në mbarë vendin lulet e shpresës dhe të fitores së thellë. Ju ftoj të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për qytetarët dhe për vlerat qytetare që ne ndajmë, zgjedhje për idealet evropiane që po ndërtojmë dhe duhet t'i ndërtojmë. Le të shndërrojmë së bashku 8 majin në festën e madhe të votës së lirë, respektit, dashurisë, përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, familjes dhe Shqipërisë", tha Kryeministri Berisha.( nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.