2011-03-22 14:40:41

Kremtohet në Abacinë e Montecassinos pajtori qiellor i Evropës, shën Benedikti, Abat.


Në Abacinë e njohur në Montecassino, në provincën italiane Frosinone, u kremtua dje Festa e pajtorit qiellor të Evropës, Shën Benediktit, Abat. ‘Ditët e Shën Benediktit 2011’ patën një program të pasur kulturor e fetar në të cilët morën pjesë autoritete të larta kishtare e shtetërore italiane dhe evropiane si dhe trupi diplomatiki, pranishëm edhe Ambasadori i Kosovës në Romës zoti Albert Prenkaj. Programi festiv për nder të shën Benediktit pat pikën kulmore në kremtimin e Meshës së Shenjtë udhëhequr nga kardinali Mauro Piacenza, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Klerin në bashkëkremtim me abatin e Montecassino-s imzot Pietro Vittorelli e përfaqësues të Abacisë së famshme të Westminsterit.
Në homelinë e Meshës përqendruar mbi Ungjillin e festës e me referime ndaj rolin dhe misionit që ka politika në shoqëri, kardinali Piacneza kujtoi se “askush më shumë se Shën Benedikti nuk ka bërë për Evropën: shkrimet e tij duhet të jenë pik referimi e pashmangshme për atë që merret dhe e ka përzemër çështjen e Evropës. Ose Evropa i njeh e vlerëson rrënjët e krishtera, përndryshe rrezikon të më mos ekzistojë më”.
Ai i Shën Benediktit, Abat – nënvizoi presidenti i rajonit të Lacios Mario Abbruzzese – është një mesazh i rëndësishëm. Ne jemi nisur nga Londra e aty kemi ndez llambën benediktine për të transmetuar mesazhin e bashkimit e të paqes evropiane. Sot Montecassino është vendi ideal për të transmetuar mesazhin e dialogut ndërmjet popujve”. Kremtimet përfundua me ndërhyrjen e Abatit Pietro Vittoreli dhe bekimin e shenjtë me relike Shën Benediktit drejtuar qytetit dhe Evropës
Kujtojmë edhe fjalët e Palit VI shqiptuar më 24 tetor 1964, nga Montekasino ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin e Vjetër mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë së krishterë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit perëndimor, si Pajtor qiellor i Evropës."Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacenueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë, e shpallëm Shën Benediktin - Pajtor të Evropës".
Ndërsa Papa Racinger në katekizmin kushtuar Shën Benediktit më 9 prill 2008 mes tjerash tha: në se nuk i njeh rrënjët e veta të krishtera, Evropa nuk mund ta zbulojë identitetin e saj. Shën Benedikti është “njeri i cili, me ‘Rregullën’ e tij të famshme, solli një tharm shpirtëror, që i dha Evropës së kohës, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, të bazuar mbi fenë e krishterë, pohoi mes tjerash Papa Racinger për Shën Benediktin nga Norçia. Edhe sot, si në kohët e Shën Benediktit Evropa është në kërkim të identitetit. E ky identitet nuk mund të mos ngrihet mbi ato rrënjë të lashta të krishtera, që jeta murgare benediktine i shtriu në të gjithë kontinentin.
Evropa e shekullit V, Evropa e shekullit XX. E para, si u shemb sistemi unifikues, imponuar nga perandoria romake, kërkon të gjejë, me dhimbje, një identitet të ri. E dyta, e shkretuar nga dy luftëra botërore dhe nga shembja e ideologjive totalitare, përpiqet prej vitesh, jo pa dhimbje, të krijojë fizionominë e vet të përbashkët. Këto dy fytyra të Evropës, historikisht larg njëra-tjetrës, kanë të përbashkët një rrënjë, rrënjën e krishterë të cilën, më se 1500 vjet më parë, e ‘eksportoi’ nga kodra e Montekasinos, në të gjithë Kontinentin e Vjetër, një vetmitar 50 vjeçar, që u bë murg, pikërisht sepse kishte vendosur t’i jepte Evropës rrënjët e përbashkëta. E këto rrënjë të lashta – pohoi Benedikti XVI – në ciklin e katekizmit kushtuar figurave të mëdha të Kishës së shekujve të parë - janë njëkohësisht rrënjë moderne për Evropën tonë e cila, pa limfën jetike të Hyjit, rrezikohet të bjerë në utopinë e vetëringjalljes:
“Sot Evropa, që sapo ka dalë nga një shekull thellësisht i plagosur nga dy luftëra botërore e pas shembjes së ideologjive të mëdha, që u duk qartë se s’ishin tjetër, veçse utopi tragjike, është në kërkim të identitetit të vet. Për të krijuar një bashkim të ri e të qëndrueshëm, sigurisht kanë shumë rëndësi mjetet politike, ekonomike e juridike, por nuk duhet harruar edhe përtëritja etike e shpirtërore, që buron nga rrënjët e krishtera të Kontinentit, sepse pa këto rrënjë Evropa nuk mund të ndërtohet”.
E pikërisht për këto rrënjë, që u përhapën falë punës së madhe të Shën Benediktit, shpallur Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI në vitin 1964 e tani edhe Pajtor i papnisë së Benediktit XVI .
Ati i Shenjtë Papa Racinger foli gjatë mbi figurën e Shën Benedikti, u ndal tek jeta dhe misioni i themeluesit të Benediktinëve e tha:
Vepra e Shenjtit e, në mënyrë të posaçme, rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror i cili, në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës shumë përtej kufijve të Atdheut të tij, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e kontinentit. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë”.
Para se të ushtronte, me manastiret e tij, këtë ndikim themelor mbi zhvillimin e qytetërimit e të kulturës evropiane, Benedikti Abat ishte kryesisht njeri i lidhur me lutjen e meditimin e Fjalës së Zotit. Kur i lindi ideja për themelimin e manastirit të Montekasinos, shenjti i ardhshëm u tërhoq në një shpellë të Subiakos. Aty e kuptoi se gjëja e parë që duhet të bënte, ishte sundimi i vetvetes. Në kundërshtim me vetërealizimin e shpejtë, pa mundim, egocentrik, që sot gjithnjë më shpesh shikohet si virtyt i lartë – theksoi Papa – Shën Benedikti nisi të kërkonte përvujtërisht takimin me Hyjin:
“Pa lutje, nuk ka takim me Zotin. Por përshpirtëria e Shën Benediktit nuk ishte jashtë realitetit. Në kohën e tij të shqetësuar e të trazuar, ai jetonte i ndjekur nga syri i Hyjit, pa i harruar kurrë detyrat e jetës së përditshme e njeriun, me nevojat e tij konkrete. Duke parë Zotin, kuptoi realitetin e njeriut dhe misionin e tij”.
E pikërisht nevojat konkrete të njeriut përmblidhen në rregullën e famshme të Shën Benediktit, që bazohet mbi dy fjalë: “Lutu e puno!”, të shkruara pesëmbëdhjetë shekuj më parë, por që mbeten çuditërisht moderne edhe për sot:
Benedikti e quan Rregullën ‘të vogël, të hartuar vetëm për fillimin’; në të vërtetë kjo rregull jep këshilla të urta jo vetëm për murgjit, por edhe për të gjitha ata që kërkojnë një prijës në shtegtimin e tyre drejt Hyjit. Për masën, humanizmin e dallimin ndërmjet asaj që ka rëndësi të dorës së parë e asaj që është dytësore në jetën shpirtërore, ajo e ruajti forcën deri më sot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.