2011-03-22 13:54:29

Fillon procesi i lumnimit të jezuitit, atë Valter Çishek, ish-i burgosur në Lubjankë.


Fillon procesi i lumnimit për Shërbëtorin e Zotit, atë Valter Çishek (1904-1984). Autor i librave “Me Zotin, në Rusi” dhe “Ai më prin”, jezuiti kaloi 23 vjet nga jeta në Bashkimin Sovjetik, nga të cilat, pesë vjet në burgun famëkeq të Lubjankës, në Moskë e 10 të tjera, në kampet e përqendrimit në Norilsk e në Abakan, në Siberi. Në burg e në kampet e përqendrimit, por edhe jashtë tyre, si njeri i lirë, jezuiti ia kushtoi gjithë kohën dëgjimit të njerëzve, ushtrimeve shpirtërore e mbarështimit të sakramenteve.
Rregulltarët rusë të Shoqërisë së Jezuitëve po punojnë së bashku me postulatorin romak, për të mbledhur dëshmitë e jetës së tij në periudhën e burgimeve e të punës së detyruar. Lajmi për hapjen e procesit të lumnimit u botua në buletinin “Gesuiti News”. Atë Mishel Dëzhardë do të jetë iniciator i çështjes së Atit Çishek, për zonën ruse.
Ndërmjet dokumenteve të mbledhura kohët e fundit, më i rëndësishmi është ai, që u dorëzua në Krasnojarsk nga rregulltari klaretinian, Antoni Badura, i cili kishte krijuar një fail me të gjitha të dhënat personale të Jezuitit. Ky fail, ku shikojmë edhe një fotografi të Atit Çishek, identifikuar si i burgosuri n. 1908, i nxjerrë nga arkivat e KGB-së, i qe dorëzuar atë Badurës nga sigurimi rus, që ta kishte si kujtim. Fatlum, rregulltari klaretinian, që na kujton shqiptarët, të cilët dëshmuan në procesin dioqezan të 42-ve martirëve, viktima të diktaturës komuniste. Por pa foto e pa fail, sepse sigurimi shqiptar, pjellë e shëmtuar e atij sovjetik, nuk ishte aq bujar, sa të dhuronte kujtime të tilla, që një ditë do të kërkonin gjyq para Zotit e para njeriut!
Librat e atit jezuit nuk u botuan asnjëherë në Rusi. Vetëm tani, pas më se 50 vjetësh, do të shikojnë dritën e shtypit në gjuhën ruse. Nuk është kurrë vonë, për të dëshmuar!
Eprori zonal i jezuitëve në Rusi, atë Toni Korkoran, mori bekimin e ipeshkvijve katolikë të Federatës Ruse, për të mbledhur dëshmitë dhe materiale të tjera për jetën e atit Çishek, gjë që do të ndihmojë në procesin e lumnimit. Për jetën dhe vuajtjet e “Të burgosurit të Lubjankës”, po përgatitet edhe një film dokumentar, nën kujdesin e Kana Tv Studio, në rajonin e Novosibirskut.







All the contents on this site are copyrighted ©.