2011-03-22 13:54:07

Bombardime të reja në Libi. Koalicioni ndërkombëtar debaton mbi komandën e misionit.


Në Libi, vazhdon operacioni i koalicionit ndërkombëtar “Odiseja në agim”. Gjatë natës së djeshme filloi vala e tretë e bombardimeve. Objektivi i avionëve të koalicionit ndërkombëtar janë sidomos kundërajrorët dhe radarët në qytetin e Tripolit e të Sirtes, për të respektuar kështu zonën e ndalim-fluturimit. Një nga avionët amerikanë është rrëzuar në afërsi të Bengazit për motive teknike. Piloti është shpëtuar nga kryengritësit, të cilët nuk duan të ulen në tryezën e bisedimeve me liderin libian Gedafi.
Ndërkaq, forcat qeveritare kanë qëlluar sot me tanke kundër qytetit Misrata, deri tani në duart e rebelëve. Një dëshmitar deklaroi se janë vrarë katër fëmijë, ndërsa numri i viktimave që nga dita e djeshme, ka arritur në 40. Në zonën e Tobrukut, janë arrestuar tre gazetarë perëndimorë, dy prej të cilëve korrespondentë të agjensisë “France Press” dhe njëri, fotograf i agjensisë amerikane “Getty Images”. Regjimi sulmon edhe Zintanin, ku një ushtar, i kapur nga rebelët, tregoi se Gedafi jep 600 dinarë (350 euro) për çdo kryengritës të vrarë. Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët nënvizon gjithashtu, se luftimet i kanë shtyrë njerëzit të largohen për në lindje të vendit.
Në planin ndërkombëtar, mungon akoma marrëveshja për mënyrën e veprimit dhe rolin e NATO-s, kërkuar sidomos nga Italia, për të zëvendësuar komandën aktuale amerikane të operacionit “Odiseja në agim”, të cilën dëshiron ta marrë Franca. Dje, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian arritën të miratonin vetëm paketën e re me sanksione kundër regjimit libian. Ndër masat, bllokimi i pasurisë së 11 vetëve, që do t’u shtohen 27-ve të parashikuar më parë dhe kufizimi i veprimtarisë për nëntë institucione financiare. Ndërkaq, mbi mundësinë e kalimit të komandës së operacionit në duart e NATO-s shprehet njëri nga vendet anëtare, Turqia. Sipas kryeministrit Erdogan, ndërhyrja e Paktit të Atlantikut duhet t’i nënshtrohet rregullave të përcaktuara qartë, që nuk parashikojnë plumba kundër popullsisë. Nga ana tjetër, ministri i jashtëm rus kërkon armëpushimin e menjëhershëm dhe fillimin e bisedimeve me Gedafin e kryengritësit.







All the contents on this site are copyrighted ©.