2011-03-22 14:41:05

Bashkësia ndërkombëtare e përçarë për ndërhyrjen në Libi


Bëhen pra më të thella, ndarjet e mosmarrëveshjet e brendshme në gjirin e koalicionit të vullnetarëve, siç quhen shtetet, që kanë vënë në lëvizje makinën e luftës kundër regjimit të Gedafit në Libi. Bilanci i viktimave mes civile e kryengritësve të armatosur gjatë sulmeve të forcave qeveritare të shtunën në Bengazi është 120, sipas të dhënave që bënë të ditur Ghogha. Asnjë bilanc për të vdekurit nga ana e qeverisë së Tripolit.
Mbi arsyet e kësaj përçarjeje, të dëgjojmë profesoreshën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Maria Gracia Enardu:
Në vendimin për të ndërhyrë njëfarësoj në Libi morën pjesë subjekte krejt të ndryshëm ndërmjet tyre: OKB-ja, megjithë abstenimin e Rusisë, Kinës, Gjermanisë dhe Indisë; Lidhja Arabe, e cila nuk bën pjesë në Këshillin e Sigurimit, por qe shumë e rëndësishme; NATO-ja, që përbëhet nga një numër vendesh, disa prej të cilave jo evropiane e që, për herë të dytë në histori gjendet në mesin e një operacioni mesdhetar, i cili nuk mund të administrohet me mendësinë e Paktit Atlantik.
Që nga fillimi, Franca nguli këmbë për ndërhyrje të armatosur. Përse gjithë ky interes për Libinë?

Objektivat e Francës janë mesdhetare, evropiane. Interesat e vërteta mund të jenë nga më të ndryshmet e kanë të bëjnë me politikën: lidershipi i Sarkozisë, lidershipi i Francës në Bashkimin Evropian, zgjedhjet presidenciale. Pra, një sërë motivesh politike, personale e të përgjithshme. Sepse në Evropën e bashkuar nga Mesdheu, rivaliteti ndërmjet fuqive të vjetra koloniale është gjithnjë i lartë, sidomos tani që krejt Mesdheu jugor duhet të gjejë drejtimin e vet.

Në këtë fazë, cili mund të jetë qëndrimi i Uashingtonit në Mesdhe?

Në këtë çast, SHBA-të nuk duan të shkojnë në luftë kundër një vendi tjetër arab, por, për një sërë arsyesh, vendosën të ndërhyjnë. Impenjimi i tyre shkon drejt shuarjes. Dëshirohet një ndërhyrje nën ombrellën e NATO-s, ku ata mbeten në komandën më të lartë, por do t’ia linin kryesinë e operacionit në Libi një anglezi, apo një francezi. Ky qëndrim është irritues për vendet e tjera të NATO-s, si Italia.

Sipas jush, rasti i Libisë mund të jetë një leksion për Perëndimin mbi marrëdhëniet ndërkombëtare?

Absolutisht që jo. Mund të na mësojë diçka në teori, por kur kemi të bëjmë me një vend si Libia, që ka naftë, pra ka fuqi të madhe blerëse – mjafton të kujtojmë armët që blen – të gjitha ndjetet e mira përfundojnë në kosh të plehrave. Ndjetet e ndjenjat e mira, të solidaritetit, ngjallen vetëm kur kemi të bëjmë me ndonjë vend të vogël e të varfër.







All the contents on this site are copyrighted ©.