2011-03-21 13:56:49

Sulmet ajrore mbi Libinë: Benedikti XVI kërkoi siguri për popullsinë dhe udhë të lirë për ndihmat humanitare.


(21.03.2011 RV)Udhëheqësit e qeverive dhe të forcave të armatosura në Libi, duhet të kujdesen për civilët, që të mos cënohen dhe t’i marrin rregullisht ndihmat humanitare. Janë dy aspekte, që Benedikti XVI kërkoi të garantohen, duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Thirrja e Papës pasoi sulmin ajror e detar kundër liderit të Libisë, të shtunën e kaluar, nisur nga Koalicioni, formuar mbi bazën e Rezolutës 1973 të OKB-së. Ati i Shenjtë u lut për rivendosjen e harmonisë në Libi dhe në të gjithë rajonin veri-afrikan.RealAudioMP3

Mbi Libinë dynden retë e zeza të luftës e Papa lutet që të rikthehet qielli i kthjelltë i paqes mbi gjithë Afrikën veriore. Fjalët e fundit të lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot ishin një thirrje e fuqishme, që shprehte qartë tronditjen e Benediktit XVI. Papa vijon ta ndjekë, prej kohe, me shqetësim të thellë, situatën në Afrikën veriore. E t’i kërkojë Zotit paqen, për popujt e dëmtuar rëndë nga lufta. Posaçërisht gjatë Ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve, javën e kaluar, Ati i Shenjtë dhe Kuria Romake u lutën për pajtim në këtë zonë e në botë, lutje që Ati i Shenjtë e përsëriti dje përpara mijëra besimtarëve e shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit:
I ndjek tani ngjarjet e fundit me shqetësim të madh, lutem për ata, që vuajnë në situatën dramatike të këtij vendi e u bëj thirrje të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi politike e ushtarake, ta kenë për zemër, posaçërisht, paprekshmërinë dhe sigurinë e popullsisë e të garantojnë arritjen e ndihmave humanitare. Dua ta siguroj popullsinë se jam shpirtërisht pranë saj, ndërsa i lutem Zotit që mbi Libinë e mbi të gjithë zonën veri-afrikane, të ndriçojë sa më shpejt drita e paqes dhe e harmonisë”.
Shqetësim i thellë, në zemër të Papës, e jo vetëm për Libinë, por edhe për kombet e tjera të zonës veri-afrikane, ku prej javësh vijojnë ndeshjet e brendshme, të cilat në shtetin libik arritën, tashmë, në majat më dramatike.
I thellë, pastaj, kontrasti ndërmjet tonit të fjalëve të fundit të lutjes së Engjëllit të Tënzot e atyre të reflektimit të Papës para Lutjes mariane. Nga errësira e urrejtjes dhe e luftës, tek një nga faqet më të ndritura Ungjillit, faqja e Shndërrimit të Zotit, për të cilën flet liturgjia e së Dielës II të Kreshmëve. Faqe, në të cilën shpërthen, me gjithë forcën dhe bukurinë e vet, lavdia hyjnore e Jezusit, i cili shkëlqen më shumë se drita e diellit, më shumë se çdo dritë, që ka parë ndonjëherë syri njerëzor:
“Shndërrimi nuk është ndryshim i Jezusit, por zbulim i hyjnisë së tij, depërtim i qenies së tij në Zotin, që bëhet dritë e pastër. Në qenien e tij, bërë një me Atin, Jezusi vetë është “Dritë prej Drite”. Pjetri, Jakobi e Gjoni, duke kundruar hyjninë e Zotit, parapërgatiten për të përballuar shkandullin e kryqit”.

Në fillim të reflektimit, Benedikti XVI foli shkurtimisht për ditët e javës së fundit, të cilat i kaloi në Ushtrimet tradicionale shpirtërore të fillimit të Kreshmëve. Duke kujtuar këtë kohë liturgjike si dhe vegimin e mbinatyrshëm të Shndërrimit të Krishtit, Papa e përfundoi lutjen e së dielës, me fjalët:“Posaçërisht në këtë Kohë Kreshmësh, porosis që, siç shkruan Shërbëtori i Zotit Pali VI,t’i përgjigjemi thirrjes hyjnore për pendesë me ndonjë akt të vullnetshëm, përveç flijimeve e barrës së rënd që bartim ditë për ditë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.