2011-03-21 07:51:17

Më 21 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Nikollin e Flyelit, Pajtor i Zvicrës.


(21.03.2011 RV)Më 21 mars kalendari kishtar përkujton shën Nikollin e Flyelit, babë familje e oshënar. I njohur edhe me emrin Vëllai Klaus, shën Nikolla Flyeli gëzon një popullaritet të madh në Zvicër, vend që e ka zgjedhur si pajtor qiellor.
Klausi lindi në vitin 1417 në Flyeli, pranë Sahseln, në kantonin e Obvaldenit. Ndonëse që në moshë të njomë ndjeu thirrjen për jetë eremite (oshënare), kundër dëshirës së tij, iu desh të kryente disa detyra të rëndësishme civile, si kryetar i bashkisë së Sahselnit, këshilltar i gjykatës kantonale, deputet e ushtarak.
Në vitin 1445 u martua me Dorotea Vys; nga ky bashkim i lindën pesë djem e pesë vajza: njëri nga djemtë u bë famullitari i Sahselnit, ndërsa një nga nipat, vdiq si shenjt.
Shumë shpejt, pa marrë parasysh kundërshtimet e së shoqes, së cilës nuk i pëlqente dëshira e tij për jetë vetmitare, hyri në një bashkësi rregulltare alsasiane që njihej me emrin “Miqtë e Zotit”. Më pas u tërhoq në Kristerli-Alp, ku nisi një jetë shenjte. Ekzistojnë disa dëshmi, sipas të cilave shenjti për 19 vjet me radhë u ushqye vetëm me Eukaristinë, gjë që ngjalli kureshtjen e të afërmve e të largëtëve. Atëherë ai u detyrua të gjente strehë në Ranft, pranë një humnere vetmitare. Dilte nga shpella ku jetonte, vetëm për të shkuar në Meshë e për t’i ardhur në ndihmë atdheut të vet, në çaste kritike. Kështu, në vitin 1473, kur Austria kërcënonte fatet e Zvicrës, pastaj më 1481 e 1482, kur u ndje rreziku i shpërthimit të luftës civile. Me lutjet e tij, me praninë e tij, me këshillat, me paqen shpirtërore që rrezatonte si rezultat i lëshimit të plotë në dorë të Zotit, ia doli mbanesh të siguronte bashkëjetesën paqësore të grupeve rivale, me interesa të ndryshme ekonomike e politike. Rezultatet që u arritën me ndërmjetësinë e tij ishin aq të mëdha, sa meritoi emrin “Profet e Atë i Atdheut”.
Lutja që thoshte më shpesh ishte: “O Zoti im e Hyji im, largoi nga unë të gjithë ata që më largojnë nga ti, më çliro nga vetvetja e bëj që të kënaqem vetëm me Ty!”.
Si e vëzhguan për shumë kohë nga larg, të afërmit u bindën për vlerën e dëshmisë së tij e të lutjes së e tij. Atëherë i ndërtuan një eremitazh e një kapelë, e cila u shugurua në vitin 1469. Atje vijoi të jetonte e të lutej Shën Nikolli i Flys, një nga mistikët më në zë të të gjitha kohërave. E atje edhe vdiq në ditën kur po mbushte 70 vjet, më 21 mars 1487.
Në vitin 1501 Enrico Wolflin hartoi biografinë e tij të parë mbi bazën e fakteve të mbledhura, nën betim, nga dëshmitarë që kishin parë me sytë e tyre e kishin dëgjuar me veshë ngjarjet e mrekullueshme të jetës së Shenjtit.
I lum u shpall në vitin 1669; shenjt - nën papninë e Piut XII në vitin 1947.
Na la si kujtim thënien aq aktuale: “Zoti është paqe e këtë paqe s’ka forcë në botë që ta shkatërrojë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.