2011-03-21 13:55:07

Libi: Kryeministri Shqipërisë përshëndet mbështet operacionet ushtarake të koalicionit ndërkombëtar


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha përshëndeti dje, vendimin e koalicionit Ndërkombëtar për fillimin e operacioneve ushtarake ajrore, në mbështetje të rezolutës 1973, të Këshillit të Sigurimit dhe kërkesës së Lidhjes Arabe për të mbrojtur civilët libianë ndaj sulmeve të regjimit të Gedafit, që kanë shkaktuar qindra viktima.
Përmes një deklarate për shtyp, Kreu i Qeverisë së Tiranës vlerëson se "këto operacione, në zbatim të ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare, janë plotësisht legale dhe legjitime dhe kanë si qëllim kryesor mbrojtjen nga sulmet e egra të regjimit të Gedafit të jetës së qytetarëve libian, lirive dhe të drejtave universale që ata meritojnë, mundësisë për të përcaktuar, me vullnetin e lirë, fatin e tyre".
Sipas tij "këto veprime janë një kontribut historik për liritë, të drejtat, dinjitetin e kombit arab që u ngrit fuqishëm dhe në një hark kohor të shkurtër përmbysi, në Tunizi dhe Egjipt, dy regjime që qëndruan dekada në pushtet, në kundërshtim me vullnetin e popullit të tyre".
"Ne shqiptarët, në 20 vjetorin e shembjes së Benalive dhe Gedafëve të Shqipërisë që sunduan këtë vend me dhunë dhe terror për pothuaj gjysmë shekulli, mirëkuptojnë më shumë se të tjerët, aspiratat e kombit arab për liri dhe dinjitet dhe vlerësojnë lart çdo ndihmë ndërkombëtare ndaj tij, Shqipëria mbetet e gatshme t'i ofroj lehtësitë e nevojshme koalicionit ndërkombëtar në misionin e tij shumë të rëndësishëm për lirinë, paqen dhe stabilitetin në Mesdhe", përfundon deklarata e Kryeministrit Berisha.( nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.