2011-03-21 17:54:17

Kardinali Sandri: të krishterët e Tokës së Shenjtë nuk dorëzohen, edhe pse jetojnë në vise, ku nuk ka paqe!


(21.03.2011 RV)“Toka e Shenjtë ka nevojë të besojë në paqen”: këtë nënvizon kardinali Leonardo Sandri në Letrën e së Premtes së Madhe për mbledhjen e lëmoshëve, botuar sot. Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore i nxit të gjithë besimtarët të bashkohen me Papën për t’i inkurajuar shpirtërisht e konkretisht, të krishterët e Lindjes së Mesme, që jetojnë çdo ditë në kushtet e martirizimit e të mungesës së paqes.
Toka e Shenjtë pret që Kisha universale t’i shtrijë dorën vëllazërore dhe dëshiron t’ia shpërblejë me përvojën e hirit e të dhimbjes, që provon në çdo hap: kështu shkruan kardinali Leonardo Sandri, duke nënvizuar se detyra e solidaritetit nis që në kohët apostolike. Kardinali shpreh dhimbjen për ushtrimin e dhunës kundër të krishterëve të Lindjes, pasojat e së cilës vërehen fuqimisht në Tokën e Shenjtë. Të krishterët e Lindjes, nënvizon me hidhërim, martirizohen ditë për ditë; vuajnë nga mungesa e stabilitetit dhe e paqes. E shton se sinjali më shqetësues, mbetet shpërngulja e tyre e vazhdueshme. Turma të reja largohen çdo ditë nga këto troje, të dashura për mbarë botën. Ndonjë shenjë pozitive, shkruan, nuk mjafton për t’i prerë rrugën emigrimit të të krishterëve, që e varfëron mbarë zonën, së cilës po i mungojnë forcat më jetike, breznitë e reja.
Përmes Letrës, kardinali Sandri i nxit besimtarët të bashkohen me Atin e Shenjtë për t’u dhënë zemër të krishterëve të Jeruzalemit, të Izraelit e të Palestinës; të Jordanisë e të vendeve lindore fqinje, me vetë fjalët e Papës: “Paqja mund të vendoset! Paqja është urgjente!”. Thirrja për lëmoshë, pohon kardinali, është në ndihmë të çështjes së paqes, për të cilën vëllezërit e motrat e Tokës së Shenjtë dëshirojnë të jenë mjete të frytshme në dorën e Zotit, për të mirën e mbarë popujve të zonës. Kongregata për Kishat Lindore, shton kardinali Sandri, bëhet zëdhënëse e nevojave baritore, edukative, asistenciale dhe bamirëse të Kishës së Lindjes së Mesme. Falë solidaritetit universal, lexohet në Letër, këto Kisha do të jenë përkrah popujve të tyre në vuajtje e në shpresa, do të mbrojnë të drejtat e detyrat e individëve e të bashkësive, duke nisur nga ushtrimi personal e publik i lirisë fetare, do të mund t’u çojnë një rreze shprese të varfërve, pa kurrfarë dallimi, duke dhënë, kështu, ndihmesën e tyre, për zhvillimin e gjithanshëm të Lindjes së Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.