2011-03-21 16:23:39

Gjykata e BE-së për të drejtat e njeriut në Strasburg.: Kryqi nuk diskriminon.
Për Selinë e Shenjtë ky është një vendim historik


(21.03.2011 RV)Selia e Shenjtë dhe përfaqësuesit e botës politike e civile, shprehën kënaqësinë e tyre të thellë lidhur me vendimin e Dhomës së Madhe të Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e njeriut. “Nuk ka elemente, që të vërtetojnë se ekspozimi i një simboli, si kryqi, në muret e klasave, mund të ketë ndikime negative mbi nxënësit”, shkruhet në vendimin përfundimtar: 15 vota në favor, dy kundër. Është rezultat i apelimit nga ana e Italisë, pas vendimit të parë të vitit 2009. Ky vendim i jepte të drejtë zonjës Lautsi, e cila ankohej se prania e kryqit në klasa, cënonte të drejtën për edukimin e fëmijëve në përkim me bindjet e prindërve jo besimtarë. Vendimi i rëndësishëm e mbyll përfundimisht “çështjen Lautsi”. Folëm për këtë ngjarje historike, me Vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, imzot Aldo Gjordano, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Fakti që Evropa e shkroi këtë faqe dhe njohu traditën e madhe, thesarin e madh, që vjen nga krishterimi, na jep shpresa për të ardhmen. Evropa, pa identitet, do të ngjallte një frikë të tillë, që do të kishte pasoja edhe në marrëdhëniet me Kontinentet e tjera, me kulturat e tjera, lidhur me problemet e mëdha, që duhet të përballojë njerëzimi. Ndërsa një Evropë e vetëdijshme për thirrjen e saj, për thesarin, që ka në gjirin e vet prej shekujsh, është sigurisht Evropë, që mund të japë kontribut të madh për historinë aktuale, për mbarë botën.

E, mbi rëndësinë e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, të ndjekim reflektimin e atë Federiko Lombardit, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit dhe i Radios sonë:

“Vendimi i Gjykatës Evropiane të të drejatve të njeriut lidhur me eskpozimin e detyrueshëm të kryqit në klasat e shkollave publike italiane, u prit me kënaqësi nga Selia e Shenjtë.
Është fjala për një vendim impenjativ, historik, siç e tregon rezultati në të cilin arriti “Dhoma e Madhe” në përfundim të shqyrtimit të thelluar të çështjes. Dhoma e Madhe përmbysi në të gjitha drejtimet vendimin e shkallës së parë, marrë një zëri nga Dhoma e Gjykatës, që shkaktoi jo vetëm reagimin e Shtetit italian, i cili e apeloi menjëherë, por edhe të shumë shteteve evropiane, në një masë që nuk ishte parë deri atëhere. Nuk munguan të ngrejnë zërin edhe shumë organizata jo qeveritare, të cilat i bënë jehonë dëshirave të popujve të tyre.
Pranohet, pra, në një nivel juridik tejet autoritar e ndërkombëtar, se kultura e të drejtave të njeriut nuk duhet t’i kundërvihet bazave fetare të qytetërimit evropian, të cilit krishtërimi i ka dhënë kontributin themelor. Pranohet edhe se, sipas parimit të ndihmës, është e domosdoshme t’i garantohet çdo vendi hapësira e nevojshme për vlerësimin e simboleve fetare të historisë së vet kulturore dhe të identitetit kombëtar si dhe e drejta për t’i eskpozuar në vende të caktuara (siç u pohua këto ditë edhe nga Gjykatat e Larta të disa vendeve evropiane). Në rast të kundërt, në emër të lirisë fetare, do të kishim prirjen paradoksale për ta kufizuar ose edhe për ta mohuar këtë liri, duke përfunduar në përjashtimin e çdo shprehjeje të saj nga hapësirat publike. E duke vepruar kështu, do të dhunohej vetë liria e do të errësoheshin identitetet e veçanta e të ligjshme. Gjykata thotë se ekspozimi i kryqit nuk konsiderohet indoktrinim, por shprehje e identitetit kulturor e fetar të vendeve me traditë të krishterë”.

Vendimi i ri i Dhomës së Madhe u mirëprit edhe sepse kontribuon me sukses për të rivendosur besimin në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut nga ana e një mori vendesh evropiane, të bindura e të vetëdijshme për rolin vendimtar të vlerave të krishtera në historinë e tyre, por edhe në ndërtimin e Evropës së Bashkuar e në kulturën e tyre të së drejtës e të lirisë.









All the contents on this site are copyrighted ©.