22 mijë viktima në Japoni. Ushqimi, i ndotur me lëndë radioaktive
(21.03.2011 RV)Në Japoni, Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin: ndotja
e ushqimit me lëndë radioaktive është e madhe e jo si mendohej më parë. Ndërkaq, në
centralin bërthamor të Fukushimës, teknikët mundën të çojnë elektricitetin tek të
gjashtë reaktorët, por sot një shtëllungë e re tymi doli nga reaktori n.3 e pastaj
nga n.2. Autoritetet larguan të gjithë personelin dhe kryeministri japonez e siguroi
sërish popullsinë se gjendja është nën kontroll, por mënyra e administrimit të situatës
nga ana e entit përgjegjës për impiantet ka shkaktuar debate të ashpra. Ndërkaq, rritet
bilanci i viktimave të tërmetit e të tsunamit. Janë rreth 22 mijë të vdekur ose të
zhdukur. Banka Botërore llogarit që fatkeqësia natyrore ka shkaktuar dëme prej 165
miliard eurosh.