2011-03-19 09:38:08

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Kreshmëve “A"


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së dytë të kohës së Kreshmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Leximet biblike të kësaj së diele të dytë të Kreshmëve flasin për dëftimet e mëdha të Zotit: dëftimi i marrëdhënies së besnikërisë që e lidhë Zotin me njeriun në personin e Abrahamit, dëftimi i cakut e fatit të lavdishëm në Krishtin që “na ka shndërruar në korpin e vet të lavdishëm” dhe së fundi dëftimi i hyjnisë së Krishtit “Birit të zgjedhur” në Shndërrimin mbi Malin Tabor.
Kështu, pas tundimeve të Krishtit, për të cilat foli Ungjilli i dielës së kaluar, dielës së parë të Kreshmëve, në këtë diele të dytë, pjesa e Ungjillit na paraqet Shndërrimin e Krishtit .
Ungjilltari na thotë se dishepulli e i krishteri nuk ka tjetër kënd që ta kërkojë apo dëgjojë përveç Jezusit. Vetëm Atë duhet dëgjuar e vetëm Atë duhet ndjekur. Pjesa Ungjillore e kësaj së diele na fton të ecim bashkë me Krishtin drejt malit të shenjtë për të kundruar fytyrën e tij të lavdishme. Duke vështruar Jezusin e shndërruar në shkëlqimin e lavdisë së tij mbi malin Tabor, ne nxitemi e mbushemi me shpresë që edhe ne do t’ia arrijmë lavdisë së jetës së përjetshme e do të shndërrohemi bashkë me Të në amshim.
Me shndërrimin e vet, Jezu Krishti na kumton ngjalljen e tij e na tregon se edhe ne jemi të paracaktuar të jemi e të bëhemi pjesë e lavdisë së tij hyjnore të qiellit. Tani e përjetojmë mundimin, e pësojmë peshën e jetës së përditshme, por jemi të nxitur, jemi të frymëzuar, jemi të mbështetur e të shndritur nga shpresa e jetës së amshuar, në të cilën Zoti na ka thirrur.
Ungjilli i kësaj së diele të dytë të Kreshmëve që paraprin e përgatit Pashkët, na paraqet Jezusin në udhëtim drejt Jerusalemit, drejt pagëzimit të kryqit; në një vendalim gjatë udhëtimit, tre dishepujt e tij do të kenë mundësinë ta kundrojnë Mësuesin e shndërruar në lavdi. Edhe ne kemi të njëjtin cak e fat të lavdishëm.
Në këtë të diele të dytë të Kreshmëve, leximet biblike na propozojnë e dorëzojnë një përjetim, eksperiencë të ngazëlluar. Dishepujt, para se ta njohin në Jezusin Shërbëtorin e munduar e të vuajtur, kanë një vegim, kanë një pamje të shkurtër por të fortë e të thellë të lavdisë së tij. Në fytyrën e Birit të Njeriut ata shohin dëftimin e lavdisë së Zotit. Misioni ynë është që fytyrën e shpërfytyruar e të munduar të sa e sa vëllezërve tanë, të bëjmë që të shkëlqejë rrezja e dashurisë së Zotit dhe e lavdisë të të shëlbuarëve..
Leximi i parë (Zan 12, 1-4)

Abrahami braktis qytetin e tij, që ishte ndër më të lulëzuarit e asaj kohe; braktis të afërmit dhe fenë e fisit të vet; shkatërron lidhjet më të forta dhe fillon një aventurë plot me rreziqe me Hyjin. Hyji zgjedh në të një njeri të gatshëm, të pakushtëzuar nga historia e kaluar, për të ripërtërirë dialogun e ndërprerë nga mëkati dhe për të filluar jetën e një populli të shenjtë.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti i tha Abrahamit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj. Prej teje do të bëj një popull të madh dhe do të të bekoj. Do ta bëj të madh emrin tënd. Ti do të jesh bekimi. Do t’i bekoj ata që do të bekojnë ty, do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty. Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës!”
Atëherë Abrahami u nis sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe me të shkoi edhe Loti. Abrami kishte shtatëdhjetë e pesë vjet, kur u çua prej Harranit.
Fjala e Zotit

Psalmi 33 (32)

Ref:
Na e jep, o Zot, mëshirën tënde,
sepse në ty shpresojmë

E drejtë është fjala e Zotit,
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
____________________________________________________

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
_____________________________

Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
___________________________________________________

Leximi i dytë (2 Tim 1, 8-10)

Nisma është gjithmonë e Hyjit, si kur bëhet fjalë për krijimin e botës, ashtu edhe kur thërret njeriun në jetë, edhe kur e shpëton kur ka mëkatuar. Edhe besimi është së pari një dhuratë e Hyjit, e së dyti përgjigjja e njeriut. Kjo është sidomos kuptimi i Krezhmeve: është një kohë për të ripërtërirë përgjigjjen tonë të dashurisë duke ditur çfarë dashurie të madhe Krishti Jezus ka për ne.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin dhe u dëftua tani me ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit.
Fjala e Zotit

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:
“Ky është Biri im: Atë dëgjoni!”
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

V Ungjilli (Mt 17, 1-9)

Jezusi sapo u ka shpallur apostujve mundimin dhe vdekjen e tij të afërt; por ata nuk e kanë kuptuar.
Shndërrimi ka si qëllim të tregojë hyjninë e Jezusit dhe të parashpallë ringjalljen e tij pas udhës së kryqit. Në të vërtetë vdekja e Krishtit, qe realiteti që më shumë se gjithçka apostujt e kundërshtonin dhe për këtë realitet Jezusi duhet t’i përgatiste.
Këtu mbi malin Tabor Jezusi nuk është ndryshe nga ai që do të jetë në Kalvar: këtu gjendet maksimumi i dashurisë së Hyjit, këtu gjendet shpallja e një fitoreje mbi vdekjen që do të trondisë historinë e njeriut.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shnditshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.
Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”
Fjala e Zotit!
Më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së dytë të krezhmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës, mund të dëgjoni edhe këtu.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.