2011-03-19 09:42:52

Gjykata e Strasburgut për të drejtat e njeriut: “Kryqi në klasë nuk diskriminon”


Me 18 mars 2001 Dhoma e Madhe e Gjykatës së Strasburgut merr vendimin përfundimtar: “Nuk ka elementë, që të vërtetojnë se ekspozimi i një simboli, si Kryqi, në muret e klasave, mund të ketë ndikime negative mbi nxënësit”.
Sipas gjykatësve të Strasburgut, “në se një person mund të shikojë në ekspozimin e Kryqit në klasat e shkollave, mungesë respekti nga ana e shtetit ndaj së drejtës për t’i edukuar fëmijët sipas bindjeve të caktuara filozofike, ky perceptim subjektiv nuk mjafton për ta shikuar ekspozimin, si shkelje të Kartës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në atë pjesë, që ka të bëjë me të drejtën për shkollim”.
“Qeveria italiane – vijon vendimi – mbron idenë se prania e Kryqit në klasat e shkollave publike përkon me një traditë, që duhet vazhduar. Në të vërtetë, përtej kuptimit fetar, Kryqi mbetet simbol i parimeve dhe i vlerave, që janë në themel të demokracisë e të qytetërimit evropian. Në këtë pikë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nënvizon se “Këshilli i Shtetit Italian dhe Gjykata e tij Kasacionit mbajnë qëndrime të ndryshme mbi kuptimin e Kryqit, ndërsa Gjykata Kushtetuese deri më sot nuk e ka thënë fjalën e vet. Prej këndej, nuk është detyrë e Strasburgut të ndërhyjë në punët brendshme. Gjykata e shikon si detyrë të respektojë qëndrimet e shteteve në fusha si kjo, duke lejuar praninë e Kryqit në klasat e shkollave publike, me që ligji italian i jep fesë më të përhapur, vendin që meriton në mjediset shkollore. Një qëndrim i tillë nuk mund të quhet ‘indoktrinim’ nga ana e Italisë. Aq më tepër që, prania e kryqit nuk shoqërohet me mësimin e detyruar të besimit të krishterë. Sipas qeverisë, hapësira shkollore italiane i ka portat e hapura për nxënësit e të gjitha feve e s’ka asnjë fakt që ta bindë opinionin publik se autoritetet janë intolerante ndaj nxënësve të feve të tjera; ndaj atyre, që nuk kanë kurrfarë besimi; e as ndaj atyre, që jetojnë sipas bindjeve të tjera filozofike ose që nuk kanë të bëjnë me asnjërën nga fetë e praktikuara në vend.
Prandaj – sipas Gjykatës së Strasburgut – këtu nuk ka kurrnjë farë shkeljeje të të drejtave të njeriut, as përsa i përket shkollimit, e as lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë. E aq më pak ka shkelje, që kanë të bëjnë me diskriminimin. Dhoma e madhe kryesohej nga Zhan-Pol Kosta (Francë). Sapo u mor vendimi, mbrojtësit e Kryqit në mbarë Evropën e vlerësuan si fitore të madhe të qytetërimit të vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.