2011-03-19 11:39:01

Festa e shën Jozefit – festa e ditës së emrit të Papës Jozef Racinger


Sot, në festën e shën Jozefit, dhëndrit të Virgjërës Mari, rojtarit të Familjes së Shenjtë, pajtorin qiellor të Kishës universale – programi shqip i Radio Vatikanit i drejton Benediktit XVI urimet më të përzemërta e sinqerta për festën e emrit, të bindur se transmetojmë edhe ndjenjat e dëgjuesve e të shumë njerëzve në të gjitha trevat shqiptare e në botë.

E në ditën e emrit të Papës Jozef Racinger, kujtojmë fjalët e tij për Shën Jozefin, që është shenjt shumë i dashur për Benediktin XVI. Po rikujtojmë disa nga fjalët që ka thënë pikërisht Papa Jozef Racinger për fatin e Virgjërës Mari.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 19 marsit 2006, Ati i Shenjtë theksoi se ”Figura e këtij Shenjti të madh, ndonëse mbetet më shumë e fshehur, ka rëndësi themelore në historinë e shëlbimit. Shën Jozefi, njëlloj si fati i tij, Maria, dëshmoi se ishte trashëgimtar i vërtetë i besimit të Abrahamit: besim në Hyjin, që i udhëheq ngjarjet e historisë sipas planeve të Tij misterioze të shpëtimit.

Madhështia e Jozefit, njëlloj si e Marisë, del edhe më shumë në pah, sepse misioni i tij u krye përvujtërisht në fshehtësinë e Shtëpisë së Nazaretit. Nga ana tjetër, vetë Hyji, në Vehtjen e Birit të tij të mishëruar, e zgjodhi këtë rrugë e këtë mënyrë – të përvujtë e të fshehur, në jetën e tij tokësore.

Shembulli i Shën Jozefit – thekson Benedikti XVI - na fton ta kryejmë me besnikëri, thjeshtësi e modesti detyrën që na cakton Provania Hyjnore.Mendoj kryesisht për etërit e nënat e familjeve – nënvizon Papa Jozef Racinger - e lutem që ta vlerësojnë gjithnjë bukurinë e jetës së thjeshtë e punëdashëse, duke i kultivuar me kujdes marrëdhëniet bashkëshortore e duke e kryer me entuziazëm misionin e madh, e aspak të lehtë, edukativ. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 19 mars 2006).

Papa ua beson Shën Jozefit punëtorët e mbarë botës, të rinjtë që nuk e kanë të lehtë të gjejnë punë e të gjithë të papunët. E kërkon ndërmjetësimin e Shenjtit, që meshtarët ta duan Kishën me përkushtim të plotë e që rregulltarët t’u qëndrojnë besnikë kushteve të varfërisë, pastërtisë e bindjes.Për Shën Jozefin, model i njeriut të drejtë, Ungjijtë nuk flasin asnjë fjalë. Ndërsa Papa, duke e kujtuar këtë heshtje, shpjegon:

“Heshtja për të përshkohet nga kundrimi i misterit të Hyjit, sepse ai iu shtrua plotësisht dëshirave hyjnore. Me një fjalë, heshtja e Shën Jozefit nuk është zbrazësi shpirtërore por, përkundrazi, është fe e pakushtëzuar, që e mbush përplot zemrën e tij e që i prin mendimit të tij në çdo rrethanë… Ta bëjmë tonën këtë heshtje të Shën Jozefit; kemi shumë nevojë për të, në një botë plot zhurmë, që nuk na ndihmon ta dëgjojmë zërin e Hyjit (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 18 dhjetor 2005).

Në përfundim të këtij reflektimi, kujtojmë se sot Papa Jozef Racinger mori urime nga të katër anët e botës. Edhe një herë bashkojmë edhe ne zërin me urimet që vijojnë t’i arrijnë Benediktit XVI, të cilit në pagëzim iu vu emri Jozef, gjë që e lidhi për gjithë jetën me figurën e Shën Jozefit.







All the contents on this site are copyrighted ©.