2011-03-19 09:42:29

Atë Federiko Lombard reflektim mbi Japoninë e tronditur nga “tërmeti dhe centrali” bërthamor


Në çastet kur lajmet nga Japonia trondisin mbarë botën, e cila ndjek me frymë pezull rrezikun e katastrofës, që mund të mbjellë vdekje në të gjithë Planetin, atë Federiko Lombardi nuk mund të mos e titullonte “Tërmeti e centrali”, editorialin e kësaj fundjave për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit,

“Pamjet e tragjedisë japoneze vijojnë prej ditësh të na shqetësojnë e të na kujtojnë shumë gjëra. Së pari, na sollën në mendje kujtimet dramatike të cunamit në Oqeanin Indian, gjashtë vjet më parë, që gjithashtu shkaktoi një numër të frikshëm viktimash, edhe më të madh: një det me vuajtje e me dhimbje, kërkoi dhëmbshurinë tonë, solidaritetin tonë, lutjen tonë.
Por s’kaluan shumë ditë e vëmendja e botës u zhvendos nga dallgët shkatrrimtare, tek katastrofa e centralit bërthamor. Japonezët treguan se janë mësuar t’i parashikojnë e t’i përballojnë mrekullisht mirë rreziqet e tërmetit, duke ngritur ndërtesa që mund të përballojnë edhe lëkundjet më të fuqishme. Në vende të tjera, lëkundje të tilla do të kishin shkaktuar një numër të pallogaritshëm të vdekurish.
E megjithatë, edhe progresi teknik japonez e tregoi, në këtë rast, pikën e vet të dobët, në një farë mënyre, krejt të papritur. Mjaftoi që njëri nga të 50 centralet bërthamore japoneze të dëmtohej seriozisht nga tërmeti, për të shkaktuar dallgën e re – të frikës, këtë herë – për një burim tjetër tinzar vdekjeje, që po përhapet në mbarë botën, duke iu shtuar valës shkatrrimtare të tërmetit detar. Energjia bërthamore është një burim natyror me vlera të pallogaritshme, që njeriu përpiqet ta vërë në shërbim të vet; por nuk duhet harruar se po i doli dore, kthehet kundër tij. E askush, më mirë se japonezët, nuk i njeh pasojat e energjisë së çliruar nga zemra e materies, që kthehet kundra njeriut. Sigurimi i centraleve dhe kujdesi për skorjet radioaktive nuk mund të jenë kurrë absolute. Prandaj është e drejtë dhe detyrueshme të reflektohet përsëri për përdorimin korrekt të pushtetit teknologjik, për rreziqet që lindin nga një përdorim i tillë, për haraçin e jetëve njerëzore, që duhet paguar. Papa na e kujton shpesh!
Sot, në centralin e tërbuar, një çetë heronjsh po jep bujarisht jetën për shpëtimin e shumkujt. Ashtu si zjarrfikësit e 11 shtatorit. Si atëherë, dashuria solidare për të tjerët, deri në flijimin e jetës, është drita e vërtetë, në mes të errësirës së tragjedisë. Tregon udhën, ku duhet ecur. Është e njëjta udhë, në të cilën eci Jezusi, drejt Pashkëve".







All the contents on this site are copyrighted ©.