2011-03-18 16:39:48

Thellohet intoleranca dhe diskriminimi kundër të krishterëve në Evropë.


“Intoleranca dhe diskriminimi kundër të krishterëve në Evropë”: rreth kësaj teme, akademikë dhe europarlamentarë, përfaqësues të vendeve të ndryshme të Evropës, por edhe të botës, diskutuan në seminarin, organizuar dje pasdite në Bruksel, pranë Parlamentit Evropian. Punimet i hapi profesor Jozef Veiler, i Universitetit të Nju Jorkut.
“In my work as the director of the Observatory on intolerance against …
Gjatë punës sime, si drejtoreshë e Vëzhguesit kundër intolerancës dhe diskriminimit, me seli në Austri – nënvizoi zonja Gudrun Kugler, në raportin e mbajtur gjatë takimit - vërej se në Evropë vijon të thellohet kristianofobia, domethënë, qëndrimi intolerant kundër të krishterëve, një fare urrejtjeje kundër besimtarëve të kësaj feje, më tradicionalja në Kontinentin e vjetër. Zonja Kugler solli edhe një shembull, marrë nga Kroacia, ku një pedagoge u hodh në gjyq, sepse mbështeti qëndrimin e Kishës kundër homoseksualitetit.

Më pas, profesoresha Lurdë Ruano Espina foli për gjendjen në Spanjë, duke shpjeguar se në ligjshmërinë e vendit po i hapet gjithnjë më shumë rruga mënjanimit të të gjitha besojmave fetare.
Profesor Rikard Komicki, i Mbretërisë së Bashkuar, kujtoi rastin e punonjësve të shoqërisë kombëtare të fluturimeve ajrore, të cilat e kanë të ndaluar të mbajnë në qafë kryqin. E në vijim, kërkoi me forcë që të krishterët të mos e humbasin vigjilencën, por t’i mbrojnë me të gjitha forcat liritë themelore, ndërmjet të cilave, liria fetare.
Profesor Masimo Introvinje, përfaqësues, për këto tema, i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, foli për fondamentalizëm në rritje, për një fanatizëm, që përqafon ideologji antifetare e nxit qëndrime antikristiane, të cilat shumë shpejt shndërrohen në intolerancë.
Profesor Jozef Veiler, i Universitetit të Nju Jorkut, hebre, u shpreh kështu, në mikrofonin tonë:
Çka më rrënqeth më shumë, nuk është fakti se ka diskriminim, urrejtje, kristanofobi, por se e gjithë kjo shëmtirë pranohet, se askush nuk e ngre zërin, e se kjo ngjarje sot, në Bruksel është një nga të parat e llojit. Në se do t’i ndodhte kjo gjë hebrejve ose myslimanëve, do të tundej bota, do të bëhej bujë e madhe në të gjitha gazetat! Në të gjitha ekranet. Ndërsa të krishterëve ky u duket administrim normal. Kjo është e padurueshme. Nuk mund të durohet më! Duhet ngritur zëri, kudo e kurdoherë!”.
Pas këtyre fjalëve, të shkon menjëherë mendja tek situata e dhunës kundër të krishterëve në zona të tjera të Botës. Mjafton të mendosh për Irakun e për Indinë, në Azi, e edhe për vise të tjera, jo më pak të rëndësishme, të tronditura nga intoleranca. Natyrisht, në Evropë flitet pak si më ndryshe. Profesor Veiler e shpjegon kështu:
“Ka shumë gjëra, në dukje të vogla: nuk është persekutim i drejtpëdrejtë. Të krishterët, në vende të ndryshme të botës, persekutohen në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, e ky është shkandull i madh. Ndërsa në Evropë persekutimi është shumë më i rafinuar, më “social”.
Me një fjalë, në Evropë “të kryqëzojnë”, duke i larë mirë duart, para e pas ‘gozhdimit”, që të mos mbeten ‘shenja të dukshme gjaku’.
Europarlamentari Mario Mauro, organizator i seminarit, së bashku me kolegun austriak Othmar Karas, nënvizoi se është e domosdoshme që tema e intolerancës kundër të krishterëve në Evropë, të vihet në qendër të vëmendjes, ndërmjet temave më të rëndësishme, që diskutohen, si në opinionin publik, ashtu edhe në tryezat e selive politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.