2011-03-18 14:45:09

Karitasi Japonez punon, përkrah qeverisë, për emergjencën dhe rindërtimin.


Popullsia i përgjigjet atmosferës së frikshme, krijuar në Japoni, me vetëpërmbajtje e dinjitet, pa harruar se në një situatë të tillë, kur njeriut i dridhet toka nën këmbë, ndjehet fort nevoja e solidaritetit. Kështu shprehet drejtori i Karitasit japonez, atë Dasuke Narui, i cili e vlerëson lart qëndrimin e urtë të popullit të Japonisë, përballë fatkeqësive kaq të rënda, që e tronditën thellë jetën e vendit. Përmasat e katastrofës bëhen gjithnjë më shqetësuese, toka vijon të luhatet e impiantet bërthamore, të rrezatojnë rrezikun e vdekjes. Karitasi japonez e Kisha në vend, përmes veprimtarisë së katër dioqezave, të famullive të shumta e të vullnetarëve, vijon të jetë shumë pranë popullsisë e të shpërndajë ndihma, të domosdoshme për këtë situatë të rëndë. Nuk mungon as koordinimi në nivel ndërkombëtar. Ngushëlluese, gatishmëria e vullnetarëve, posaçërisht e të rinjve të të gjitha dioqezave, që vijojnë të nisen për të shërbyer në zonat më të goditura. Problemi kryesor është mungesa e karburantit dhe e ushqimit. Kush ia del mbanesh të largohet, drejtohet kryesisht nga jugu. Karitasi i Japonisë ka vënë në dispozicion strukturat e veta e po koordinon veprimtarinë me atë të qeverisë, për t’i ndihmuar sa më shpejt e sa më shumë të ikurit, sidomos më nevojtarët, pleqtë, familjet me fëmijë të vegjël, të sëmurët. Dje, në Sendai, u organizua një takim, me pjesëmarrjen e të gjithë ipeshkvijve. Të pranishëm, dhe kryetari i Karitasit japonez, imzot Isao Kikushi e atë Narui. Gjatë takimit, u hartua plani i përbashkët për shpërndarjen e ndihmave nga ana e Kishës katolike.
Karitasi italian, pasi vuri në dispozicion kontributin e tij të parë prej pesë mijë eurosh, vijon të jetë i lidhur me Karitasin japonez e me rrjetin ndërkombëtar, përmes azhurnimeve e telekonferencave. Koordinon, kështu, veprimtaritë dhe analizon nevojat në të gjithë zonën e dëmtuar nga tërmeti e nga cunami, duke u përpjekur të hyjë edhe në zonat më të rrezikshme e më të paarritshme. Të panumërta mesazhet e afërsisë dhe ndihmat, që vijojnë të arrijnë nga Karitaset e mbarë botës. Për t’u theksuar posaçërisht, mobilizmi i Karitasit të vendeve aziatike, të dëmtuara nga cunami i vitit 2004, ose nga fatkeqësi të tjera të natyrës. E ky mobilizim, edhe pse, në ditët e tyre të zeza, e patën gjithnjë pranë dorën bamirëse të Karitasit japonez.
Në koordinim të vazhdueshëm me realitetet e tjera të pranishme në terren, Karitasi japonez, ndonëse vijon ndihmën e fazës së emergjencës, tashmë ka nisur të mendojë për fazën e dytë të veprimtarisë, atë të rimëkëmbjes, me afate të mesme e të gjata, duke e përqendruar vëmendjen kryesisht tek ndihma psikologjike.







All the contents on this site are copyrighted ©.