2011-03-17 16:49:37

Çelësi i fjalëve të Kishës: 'ushqimi' dhuratë e Zotit, në dritën e Biblës


Të dashur dëgjues, në këtë kohë Krezhmësh, jemi të thirrur të agjërojmë e të jemi të përkorë në të ngrënë. A mos ndoshta krishterimi ka probleme me ushqimin? Jo natyrisht, por përdorimi i ushqimit mund të përvijojë aspekte të rëndësishme për përkushtimin e njeriut ndaj Zotit. Ushqimi është i rëndësishëm në të gjitha fetë, prandaj pikërisht për këtë fjalë, pra për “ushqimin” në dritën e Biblës, do të flasim sot.
Deklarata “njeriu është ajo që ha” –megjithëse filozofi i 1800-ës që e ka formuluar, Ludvig Fojerbah e thoshte në kuptimin materialist – përmban në vetvete një të vërtetë njerëzore themelore. Në fakt, ushqimi nuk është i nevojshëm vetëm për të mbijetuar, por është edhe një sinjal i rëndësishëm simbolik, përmes të cilit njeriu merr pjesë në gëzime (të mendojmë për shembull për sofrën e martesës, të dashur edhe për Jezusin), por edhe në dhimbje. Në shumë kultura bëhet dreka pas vdekjes e në Bibël përmendet “buka e zisë” (Ez 24,17). Aspekti simbolik i ushqimit - i cili në hebraisht e shqip tregohet thjesht me emrin “bukë”, pasi është ushqimi kryesor - del qartë nga normativa e rreptë e përshkruar në Librin e Levitikut, që ka të bëjë me kafshët e pastra e jo të pastra, pra që mund të hahen ose jo, sipas rregullave të lashta që shkrinin në një, elemente higjienike e ambientale dhe përmasa folklorike e tradicionale.
Për këtë arësye kemi edhe drekën e shenjtë, ajo që hahet me mishin e kushtuar në tempull. Kjo praktikë është e lidhur me “sakrificën e bashkimit(kungimit)”. Kemi kështu ndërthurjen e thellë të realitetit të përditshëm, i cili përfshin konsumin e ushqimit për të jetuar, me kremtimin e kuptimit më të lartë që përmban ky konsum. Në ndryshim nga kafsha, njeriu ha e pi me gjeste, që ndjekin një lloj rituali.
Feja biblike, duke qenë historike, merr nga historia një seri pjatash të pasura: bukë, rrush, fiq, hurma arabie e fruta të tjera, pastaj mish, peshk, verë, vaj, qumësht, mjaltë, specie, ujë e kështu me radhë. Por ajo gjithnjë kërkon te ushqimi një vlerë më të lartë e simbolike, nëse jo për tjetër, për faktin se buka është dhuratë e Zotit. Prandaj për Zotin themi se “u jep ushqim të gjitha gjallesave” (Psalmi 136,25). Edhe në lutjen kryesore të krishterimit, Atynën, i kërkojmë Hyjit të na japë bukën e përditshme. Kjo është rruga, që e çon ushqimin drejt një përmase gjithnjë e më shpirtërore.
Dihet nga të gjithë shembulli i manës, që në vetvete është një rrëshirë e ngrënshme, e cila del nga bruka e shkretëtirës, një bimë që njihet shkencërisht me emrin tamerix mannifera. Por, është e qartë që edhe në tregimin e kapitullit 16 të Librit të Daljes, ajo bëhet shfaqje e dashurisë atërore të Zotit për bijtë e vet në shkretëtirë. Prandaj Libri i Urtisë flet për manën si për “shujtën e engjëjve, që kishte në vete çdo ëmbëlsirë, e aftë të kënaqë secilën shije” (16,20). Edhe vetë Jezu Krishti do të përdorë shembullin e manës për të vazhduar t’i japë vlera simbolike ushqimit.
Është rasti i predikimit në sinagogën e Kafarnaumit, siç na tregon kapitulli 6 i Ungjillit sipas Gjonit. Në të, Krishti e zëvendëson manën me një ushqim, që shërben jo aq për jetën fizike, se sa për “jetën e amshuar”. E gjithë simbolizmi e paradoksi i këtij ushqimi del në pah kur Ai thotë se ky ushqim do të jetë korpi i tij, “ushqim i vërtetë” dhe gjaku i tij, “pije e vërtetë”. Në darkën e mbrame, ushqimi i thjeshtë e universal prej buke e vere do të bëhet prania e korpit dhe e gjakut të Hyjit, mjet i përsosur i bashkimit ndërmjet Zotit e njeriut. Atëherë, kuptohet këshilla e Jezusit: “Kërkoni, por jo ushqimin që prishet, por një ushqim që qëndron për jetën e amshuar: atë do t’jua japë Biri i njeriut” (Gjoni 6,27).







All the contents on this site are copyrighted ©.