2011-03-17 11:37:18

Udhëtimi i Papës dhe ekumenizmit në qendër të Konferencës së ipeshkvijve të Gjermanisë.


Dialogu për reformat e Kishës është tema kryesore e letrave baritore, që ipeshkvijtë gjermanë u drejtojnë besimtarëve. Tashmë janë lexuar në të gjitha Kishat e dioqezave të vendit, në prag të asamblesë plenare të konferencës ipeshkvnore katolike gjermane, që u hap të hënën e kaluar e përfundoi sot, në Paderborn.
Imzot Robert Zollitsh, kryetar i Konferencës ipeshkvnore gjermane, i ftoi besimtarët e kryedioqezës së Friburgut të marrin pjesë në dialogun për ardhmërinë e Kishës katolike. Periudha kreshmore është posaçërisht e përshtatshme për të verifikuar akustikën shpirtërore të bashkësive tona - shkruan imzot Zollitsh.
Imzot Gerhard Feige, bari i Magdenburgut, uron një dialog të sinqertë e pa kurrfarë frike.
Kardinali Reinhard Marks i Munihut, nënvizon se është e nevojshme të organizohet një diskutim aktiv për reformat dhe përtëritjen shpirtërore. Pa harruar – thekson prelati i lartë - se rrugët e reja, të kërkuara me guxim, nuk duhet ta shkëputsin kurrë Kishën nga tradita e madhe e fesë.
Imzot Ludvig Shik, ipeshkëv i Bambergut, ripohon se Kisha duhet t’i pranojë me zemër të hapur kritikat e drejta, duke pasur kujdes t’u përgjigjet si duhet, atyre që janë të padrejta e kanë për qëllim të minojnë veprimtarinë e saj. Gjithnjë duke jetuar në frymën e pendesës e të kthimit në rrugën e Zotit, pa të cilat nuk mund të flitet për fe të vërtetë, në Kishë e jashtë saj.
Imzot Gebhard Furst, kryeipeshkëv i Rotenburgut, vëren se periudha para Pashkëve mund të jetë një portë shpirtërore në procesin e dialogut për reformimin e Kishës.
Kjo, problematika kryesore e letrave baritore të Kreshmëve. Por ipeshkvijtë gjermanë përballuan edhe aspektet kryesore të programit të shtegtimit të Papës në Gjermani gjatë asamblesë së tyre plenare në Paderborn, që nisi të hënën e kaluar e përfundoi sot, më 17 mars. Në qendër të mbledhjes plenare të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Gjermanisë, në të cilën morën pjesë 69 prelatë nën drejtimin e presidentit të Episkopatit, kryeipeshkvit imzot Robert Zollitsh, ishte dialogu i gjithanshëm i Kishës, si brenda konferencës ipeshkvnore, si ai me besimtarët në aspektin e dioqezave të veçanta, siç ishte vendosur në mbledhjen e shtatorit të vitit 2010 mbajtur në Fulda.
Në konferencën që përfundoi sot janë mbajtur “ditët e studimit” kushtuar temës së ekumenizmit, në mënyrë të veçantë me Kishat e Reformës. Tema tjetër qendrore ishte përgatitja për vizitën e ardhshme të Atit të Shenjtë Benediktit XVI në Gjermani.







All the contents on this site are copyrighted ©.