2011-03-17 13:49:05

Shqipëria e Maqedonia nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit


Shqipëria dhe Maqedonia nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të aderimit në Bashkimin Europian.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në kuadër të vizitës në Shqipëri të Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili ndodhet sot në vendin tonë për një vizitë zyrtare dyditore me ftesë të homologut shqiptar, Bamir Topi.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në ambientet e Pallatit të Brigadave, pas takimit me dyer të mbyllura të dy Presidentëve dhe delegacioneve respektive. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u pasua nga një konferencë e përbashkët për shtyp e dy Presidentëve.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov u shpreh sot në Tiranë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, duke veçuar rëndësinë e ndërtimit të Korridorit 8.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Shqipërisë Topi, kreu i shtetit maqedonas, Ivanov tha se "dy vendet po projektojnë të ardhmen e përbashkët evropiane dhe euroatlantike" dhe vlerësoi mbështetjen që Shqipëria i jep Maqedonisë në kuadër të anëtarësimit në NATO.
Duke vënë në dukje nivelin e ulët të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, Ivanov përmendi si një prej arsyeve, infrastrukturën jo të mirë mes dy shteteve. "Ndaj edhe Korridori 8 do t'u mundësojë bizneseve të dy vendeve që të zhvillojnë bashkëpunimin e tyre dhe këmbimin tregtar", tha Ivanov.
Ai u shpreh i gëzuar për faktin se "gjithnjë e më tepër turistët maqedonas vijnë në bregdetin shqiptar, por kemi edhe një interes në rritje të turistëve shqiptarë që vijnë për pushimet e dimrit në Maqedoni".
Ivanov kërkoi që bashkësia shqiptare në Maqedoni dhe ajo maqedonase në Shqipëri të jenë urat e vërteta të bashkimit të dy vendeve
Vizita e Presidentit Ivanov do të takohet me kryeministrin Sali Berisha, ndërsa në orët e mesditës Kreu i shtetit maqedonas do t'i drejtohet me një fjalë përshëndetëse Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë vizitës në Tiranë, Presidenti Ivanov pritet të takohet me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Vizita e Presidentit të Maqedonisë, Ivanov, në Tiranë do të mbyllet me një takim me minoritetin maqedonas që jeton në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.