2011-03-17 16:49:09

Patriku i Moskës Kirill, shpirtërisht pranë viktimave të tërmetit në Japoni


Dashtë Zoti e pjesëmarrja e Rusisë, ndërmjet vendeve të tjera, në mbështetje të Japonisë, të japë ndihmesën e vet për pajtimin e dy popujve. Duhet të jemi bashkë në dhimbje, në mënyrë që pastaj të mund ta durojmë njëri-tjetrin edhe në paqe. Kështu, sipas agjensisë Interfax-Religion, Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Kirill, e komentoi tragjedinë e patregueshme, që goditi vendin aziatik. Në raste fatkeqësish natyrore - thekson Patriku – duhet t’i ndihmojmë të gjithë, pa asnjë përjashtim. Solidariteti ndërmjet njerëzve duhet të jetë faktor vendimtar për përballimin e këtyre rrethanave kaq të tmerrshme.
Pak ditë më parë – shkruhet në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ – Patriku Kirill i përcolli ngushëllimet e veta më të ndjera kryeministrit japonez, Naoto Kan, metropolitit të Tokios dhe të gjithë Japonisë, Danielit, si dhe ipeshkvit të Sendai, Serafin.
Kisha ortodokse ruse – shkruan Patriku ortodoks – jeton me dhimbjen e popullit japonez, duke i drejtuar atij mesazhin e ngushëllimit e të ndihmës. Lutem për gjithë të vdekurit, që të pushojnë në paqe, por edhe për të gjallët, që të mund t’i përballojnë me guxim e shpresë pasojat kësaj katastrofe natyrore e, sidomos, t’i kapërcejnë sa më shpejt, duke u kthyer në kushtet e jetës normale. Tërmeti, që rrënoi jetë e strehë, nuk i kurseu as Kishat. U bë rrafsh me tokë Kisha e Zojës Nunciatë në Yamaha si edhe ajo e Sendai, që ngrihej në zonën më të goditur nga tërmeti. Ishte strehë shpirtërore për bashkësinë e vogël ortodokse, një nga tre konfesionet e krishtera, që numëron vetëm nëntë mijë besimtarë.









All the contents on this site are copyrighted ©.