2011-03-17 16:57:07

Në Tiranë mbahet simpoziumi vjetori i NATO-së mbi bërthamoren


Përfaqësues të shteteve anëtare të Organizatës së Atlantikut Verior (NATO) u takuan sot në Tiranë, për të diskutuar mbi të ardhmen e Strategjisë Ushtarake dhe Politikave të Aleancës, kryesisht në luftën kundër lëndëve bërthamore dhe përparimin e deritanishëm të luftës në Afganistan.
Takimi, i cili vjen menjëherë pas atij të Lisbonës, u hap nga drejtori i Simpoziumit Vjetor të Politikave Bërthamore të NATO-s, Guy Roberts, ndërsa u përshëndet edhe nga Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami.
Në këtë takim diskutohet specifikisht për sistemin mbrojtës raketor, një plan ky që në të kaluarën ka shkaktuar mosmarrëveshje serioze me Moskën. Ky sistem, fillimisht i propozuar nga ish-Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, është kundërshtuar ashpër nga Moska, por me ardhjen në pushtet të Presidentit Barack Obama, duket se përfaqësuesit e NATO-s po gjejnë gjuhën e përbashkët edhe me Moskën zyrtare.
Politika bërthamore është miratuar në përputhje dhe me përgjigjet e evoluimit të problemeve të sigurisë. Konkluzionet përfundimtare të këtij simpoziumi do të dalin nesër në mesditë, kur dhe do të mbyllen punimet e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.