2011-03-17 12:17:19

Në Japoni vazhdon emergjenca bërthamore, po punohet pareshtur për ftohjen e reaktorëve


Me topa që hedhin ujë e helikopterë ushtarak që shkarkojnë nga lartë, autoritetet japoneze po provojnë t’ia arrijnë ftohjes së reaktorëve 3 e 4 të centralit të Fukushimës, nga të cilët, sipas Entit bërthamor të SHBA-së, del avulli radioaktiv “jashtëzakonisht i fortë, me fuqi vdekjeprurëse”.
Presidenti amerikan Obama e kryeministri japonez Naoto Kan kanë folur telefonikisht e presidenti amerikan pohoi se SHBA bashkëpunojnë “në të mënyrat e mundshme”, dhe premtoi dërgimin e ekspertëve tjerë bërthamor amerikanë në Japoni.
Bilanci i tërmetit e cunamit është azhurnuar në 5.187 të vdekur e 8.606 të zhdukur, mirëpo vetëm në rajonin e Miyagut të zhdukurit janë 20 mijë vetë. Numri i të plagosurve ka arritur në 2.285, sipas këtij bilanci.
Më shumë se 88 000 shtëpi e ndërtesa janë shkatërruar krejtësisht. Ky bilanc u shpall ditën e gjashtë pas tërmetit më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë më parë dhe që rrezikon të rëndohet akoma.
Shefi i policisë së Miyagit u shpreh se numri i banorëve të vdekur në Ishinomaki pas tërmetit katastrofik dhe cunamit shkatërrues mund të kalojë shifrën 10 000 vetëm në këtë rajon ku ndodhet veçanërisht qyteti Sendai.
Tashmë të traumatizuar nga katastrofa natyrore së cilës iu shtua dhe kërcënimi për një aksident bërthamor në centralin e Fukushimas, verilindja e Japonisë që dje u përfshi edhe nga reshje të dendura dëbore.







All the contents on this site are copyrighted ©.