Imzot Mirdita: të rishikojmë mentalitetin që nuk paraqet modele e vlera të vërteta,
në mbrojtje të shoqërinë sonë të sotme.
Në letrën e tij drejtuar klerit e besimtarëve të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit,
me rastin e kohës liturgjike të Krezhmëve në përgatitje të Pashkëve, imzot Rrok Mirdita
ndalet te shoqëria e tashme shqiptare në dritën e vlerave ungjillore dhe analizon
ato modele të reja që largohet nga vlerat e vërteta, e madje i kundërshtojnë ato.
“Në një situatë të tillë, sipas imzot Mirditës, veset çmohen si virtyte, ndërsa virtytet
konsiderohen si vese apo dobësi”, e kjo rrezikon shoqërinë e sotme, e cila duhet të
mbështetët e të ndërtohet mbi vlera të patjetërsueshme njerëzore e shpirtërore, kulturore
e shoqërore. E në këtë punë, nënvizon kryeipeshkvi Mirdita, krahas institucioneve
shtetërore, janë edhe Kisha e besimtarët e krishterë me përgjegjësitë e detyrën e
tyre, në njërën anë të angazhuar në kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave të bukura e
të vërteta, e në anën tjetër në demaskimin e hipokrizisë së shoqërisë bashkëkohore.
“Shoqëria e sotme ka nevojë për modele të reja”, pohon imzot Mirdita e u drejtohet
besimtarëve të krishterë e tërë shoqërisë: “Ne jemi të thirrur, dhe kemi përgjegjësi
të madhe, që shoqëria të ketë si themel paqen, respektin, të vërtetën e vlerën, në
kuptimin më të mirë të fjalës. Më tej duhet të jetojmë dhe përjetojmë atë dashuri
që nuk ka kufi e që është aq e fortë saqë nuk hakmerret, po pajton, afron, ndërton,
shëron marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kështu ne i qëndrojmë besnik tij Ungjilli që është
vërtetë dritë që ndriçon errësirën e mosvlerave dhe shëron padrejtësitë. Letra
e kryeipeshkvit të Tiranë-Durrës dhe kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike
të Shqipërisë ndalet në dy aspekte: këndvështrimin e shoqërisë së sotme dhe përgjegjësinë
tonë. Letrën e plotë të imzot Rrok Mirditës drejtuar kryedioqezës së tij me rastin
e kohës së Krezhmëve mund ta gjeni e ta lexoni në faqen e internetit të Programit
Shqip të Radio Vatikanit. E më këtë rast po ju përkujtojmë edhe një adresën tonë:
www.radiovatican.org.
IMZOT RROK MIRDITA ARQIPESHKËV METROPOLIT
I TIRANË-DURRËS TË GJITHË MESHTARËVE, RREGULLTARËVE, RREGULLTAREVE DHE BESIMTARËVE
Fort
të dashur, Jemi përsëri në prag të kohës së shenjtë të Kreshmëve. Me të vërtetë
është një dhuratë e madhe, sepse është ftesë për të përjetuar dashurinë e Hyjit për
njeriun e bjerrë. Ftesa e Jezusit, “Kthehuni dhe besojini Ungjillit”, që do ta dëgjojmë
të Mërkurën e Përhime, qëndron edhe sot. Madje ka një domethënie shumë të rëndësishme
për shoqërinë e sotme. NJE KËNDVËSHTRIM I SHOQËRISË SË SOTME
Kohët ndryshojnë
dhe bashkë me to ndryshojmë edhe ne. Nuk mund të mendojmë vetëm për të kaluarën, sepse
kjo do të na mbyllte në një nostalgji të pafrytshme. Nuk mund të mendojmë vetëm për
të ardhmen, sepse kjo do të na projektonte drejt një utopie ëndërrimtare. As të mendojmë
vetëm për të tashmen, sepse kjo do të na mbyllte në një vetëkënaqësi me atë që jemi
dhe kemi.
Kisha është e lidhur me të kaluarën, sepse është themeluar mbi një
ngjarje historike, që është ardhja, vdekja dhe ngjallja e Jezu Krishtit. Kisha gjithashtu
shikon drejt së ardhmes, sepse është gjithmonë duke pritur ardhjen e Mbretërisë së
Zotit. Por Kisha domosdoshmërisht duhet të vështrojë me kujdes të tashmen. Ky vështrim
shpesh herë shkakton shumë dhimbje, kur shohim se si shoqëria, me anë të mjeteve të
komunikimit, paraqet modele të reja që jo vetëm nuk përfaqësojnë vlerat ungjillore,
por janë në kundërshtim me këto vlera. Në një situatë të tillë, veset çmohen si virtyte,
ndërsa virtytet konsiderohen si vese apo dobësi. Kështu rrezikohet që ai që nuk vjedh
nga një fabrikë ose nga një departament shtetëror të quhet “skrupuloz”, ai që ushtron
me entuziazëm fenë e tij të quhet “fanatik religjoz”, ai që nuk hakmerret nga armiku
të quhet “frikacak”, ai që nuk përdor një fjalor të ashpër e nganjëherë edhe banal,
të quhet “i ngushtë”. Pikërisht ky mentalitet vë në rrezik shoqërinë e sotme. Flasim
shumë për solidaritet, drejtësi, paqe, vëllazëri, e shumë vlera të tjera. Por këtu
vërejmë hipokrizinë e shoqërisë bashkëkohore, sepse ndërsa flasim për këto vlera të
bukura - dhe që janë thelbësisht të krishtera – përjetojmë një situatë krejt në kundërshtim
me po këto vlera.
PËRGJEGJËSIA JONË
Papa Pali VI, në kohën e tij, ka
shtruar pyetjen: “Për çfarë ka më shumë nevojë Kisha sot?” Dhe ai vetë është përgjigjur:
“Sot Kisha ka nevojë për besimtarë të fortë”: Besoj se sot, gati dyzet vjet pasi Papa
Pali VI ka bërë këtë pohim, duhet të pranojmë se kemi edhe më shumë nevojë për besimtarë
të tillë, të bindur në besimin e tyre, të fortë në dëshminë e tyre.
Para tre
muajsh kemi përkujtuar mbylljen e procesit dioqezan për çështjen e martirëve shqiptarë,
që shpresojmë s’do të vonohemi ti shohim të shpallur “të lumtur”. Kemi fat se kemi
dëshminë e shumë besimtarëve që kanë njomur atdheun me gjakun e tyre, sepse deshën
të qëndrojnë besnik deri në fund ndaj besimit të tyre, pa bërë asnjë kompromis me
një regjim ateist.
Po ne, si të krishterë, çfarë dëshmie po japim në Evropë
që dalëngadalë po i kthen shpinën Krishtit dhe Ungjillit të tij, po u kthen shpinën
vlerave që e kanë stolisur me një kulturë e që i dhanë një identitet? Me shumë arsye
Papa Gjon Pali II thoshte: “Nuk duhet të harrojmë kontributin e madh që krishterimi
i ka dhënë kulturës dhe instituteve evropiane: dinjitetin njerëzor, lirinë, shkolla
dhe universitete, shërbime shoqërore...”
Shoqëria e sotme ka nevojë për modele
të reja. Ne jemi të thirrur, dhe kemi përgjegjësi të madhe, që të bëhemi këto modele
në shoqëri, duke u angazhuar për atë që është themeli i paqes, duke përjetuar atë
dashuri që nuk ka kufi dhe që është aq e fortë saqë nuk hakmerret, duke qëndruar besnik
ndaj ungjillit që të jemi me të vërtetë dritë që ndriçon errësirën. Jemi trashëgimtarët
e besimit që ka nisur në botë një revolucion të veçantë, sepse arma e vetme e këtij
revolucioni ishte arma e dashurisë. Kush ka folur më mirë se Jezusi për dashurinë?
Ai ka thënë: “Çka do bëtë për njërin nga këta vëllezër të mi të vegjël, e bëtë për
mua” (Mt. 25,40). Kush ka folur më qartë për barazinë mes të gjithë njerëzve se Shën
Pali Që thoshte: “ Nuk ka më: hebre apo grek! Nuk ka më: skllav ose i lirë! Nuk ka
më: mashkull ose femër! Të gjithë ju jeni Një në Krishtin Jezus!” (Gal 3,28).
Të
dashur vëllezër dhe motra, le të dëftojmë njohjen tonë ndaj Zotit që na ka rilindur
në sajë të pagëzimit. Koha e kreshmëve na detyron ti ripërtërijmë hirin e pagëzimit,
që do të thotë një “jo” mëkatit dhe një ”po” dashurisë së Zotit. Pa asnjë kompromis
me asnjë lloj padrejtësie, hakmarrjeje, korrupsioni, le të tregohemi si trashëgimtarë
të vërtetë të Ungjillit që na bën apostuj të vlerave që mund të shndërrojnë shoqërinë
në një familje ku sundon dashuria, drejtësia, paqja, solidariteti. Ju kujtojmë
detyrën tonë të mbajmë agjërim të Mërkurën e Përhime e më pas të Premten e Madhe.
Janë të detyruar të agjërojnë në këto dy ditë të gjithë ata që kanë mbushur moshën
18 vjeç deri në 60 vjeç. Mos ngrënia e mishit është e detyrueshme për të gjitha të
premtet e kreshmëve për të gjithë ata që kanë mbushur 14 vjeç. Duke ju uruar çdo
të mirë shpirtërore gjatë kësaj periudhe të shenjë, ju përcjell bekimin baritor.
Dhënë
nga Kuria Arqipeshkvnore, më 2 mars 2011.
+Rrok Mirdita Arqipeshkëv Metropolit
i Tiranë-Durrës