2011-03-16 16:21:28

Sot, në Ushtrimet shpirtërore në Vatikan, “rruga e vogël” e Shën Terezës Lisië dhe Shën Anselmi.


(16.03.2011 RV)Dita e katërt e Ushtrimeve shpirtërore në Vatikan, për Papën e Kurien Romake. Meditimet e para, propozuar sot nga rregulltari i Urdhërit të Karmelitanëve të zbathur, Fransua-Marí Letél, iu kushtuan Shën Terezës Lisië, e njohur nga të gjithë besimtarët me emrin Tereza e Krishtit Fëmijë. Atë Letél u përqëndrua kryesisht tek zbulimi i ri i Mëshirës së pambaruar e i dashurisë përdëllyese, si burim i çdo shprese pa kufi”. Ishte zbulim i Shën Terezës, autores të “udhës së vogël të besimit e të dashurisë”, udhë e sigurt për shenjtërimin e të gjithëve.
Foli, më pas, edhe për “Mundimet, që karmelitania e re i jetoi së bashku me Marinë, në kenosi të fesë, domethënë, duke e zbrazur krejtësisht vetveten, për t’u mbushur plot me Krishtin, për shëlbimin e të gjithë vëllezërve ateistë, në mbarë botën. Prandaj, pas vdekjes, u shpall Pajtore e Misioneve, ndonëse gjatë jetës së saj të shkurtër kishte shkelur vetëm në korridoret e paqta të Kuvendit e në mjediset e Kishës.
E megjithatë, lutja e saj vijon të shtegtojë në mbarë Planetin, duke prekur shumë zemra e duke fituar shpirtra të rinj për Krishtin. E Ajo vetë vijon të reshë mbi botë, një shi trëndafilash, siç pati premtuar, kur po e dorëzonte shpirtin, në lule të rinisë, ndër duart e atij, të cilit i kishte dhuruar gjithçka, pa asnjë kusht. Dita e sotme e ushtrimeve shpirtërore përfundoi me një meditim kushtuar Shën Anselmit të Aostës, doktor i shkencës së fesë, parë si teologji e Kryqit.







All the contents on this site are copyrighted ©.