2011-03-16 18:17:16

Në Kosovë arrestohen 8 ish-ushtarë të UÇK-së


Policia ekzekutive e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, gjatë ditës së sotme ka bërë disa arrestime në Kosovë në lidhje me akuzat për krime lufte. Aksioni ka ngjallur reagimin e ashpër të veteranëve të UCK-së, sipas të cilëve këto veprime nxisin tensione në Kosove.
EULEX, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës. Hetimet ndërkaq, janë duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Por, teksa EULEX-i nuk jep detaje për numrin e të arrestuarve, burime nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur për se janë arrestuar 8 ish-ushtare të UCK-së, prej këtyre 4 në Malishevë, njëri prej të cilëve quhet Behlul Limaj.
Ndërkohë, agjencia “Kosova Press” shkruan se urdhër-arresti është lëshuar për 11 ushtarë të brigadës 121 – “Kumanova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga ana tjetër, në Prizren gjatë mëngjesit u tentua të arrestohej në shtëpinë e tij drejtori i policisë rajonale, Nexhmi Krasniqi.
Veteranët e luftës shprehen të indinjuar me rastin e arrestimeve të disa pjesëtarëve të ish- UÇK së nga Malisheva dhe Lipjani, duke theksuar se "veprimet e EULEX it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë". Nëpërmjet një komunikate, organizatat e dala nga lufta e UÇK së, thonë se "nuk pajtohen me këto veprime antishqiptare" dhe konsiderojnë se EULEX-i, e ka "devalvuar veten në sytë e qytetarëve të Kosovës". "Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj janë të njohura ndërkombëtarisht. Demonizimi i luftës së UÇK së nga misioni i EULEX it, tregon bashkëpunimin që ka ky mision me Serbinë gjenocidale dhe me argatët e saj brenda Kosovës". Po ashtu organizatat e veteranëve të luftës kërkojnë që "gjahu kundër luftëtarëve të UÇK së të ndërpritet menjëherë, e të ndiqen kriminelët e vërtetë", duke shtuar se në ditët në vijim, do të informojnë për masat e mëtejshme për siç thuhet "ndërprerjes së fushatës së EULEX it kundër UÇK së".







All the contents on this site are copyrighted ©.