2011-03-16 16:21:41

Mesazhi i Papës për Bashkimin e Italisë: Kisha e katolikët e fuqizuan identitetin kombëtar.


(16.03.2011 RV)Kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, dorëzoi sot paradite në duart e presidentit të Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano, mesazhin e urimit të Papës, me rastin e 150-vjetorit të Bashkimit politik të Italisë.

Mesazhi është një reflektim i gjerë dhe i thellë mbi rolin e krishterimit e të Kishës në historinë e kombit italian. Kujton se procesi i unifikimit politik në shekullin XIX, u arrit falë formimit të identitetit kombëtar, për të cilin krishterimi dha ndihmesën kryesore, duke nisur që nga Mesjeta, me zhvillimin e arsimit, veprimtaritë e ndihmës, artet, shëndetësinë dhe me personalitete, si Shën Françesku e Shën Katerina e Sienës. Identitet aq i fuqishëm, sa t’i bënte ballë edhe kohës së gjatë të copëzimit gjeopolitik, që pasoi.
Edhe gjatë periudhës së Risorxhimentos, me gjithë që kjo rilindje u konsiderua shpesh si lëvizje kundër Kishës e kundër fesë, nuk mungoi kontributi i katolikëve në formimin e një shteti të vetëm. Mjafton të kujtojmë vetëm disa emra, si Gioberti, Rosmini, Manzoni, Pellico, e edhe emrin e njërit nga edukatorët më të mëdhenj, atë të Shën Gjon Boskos.
Papa nuk ngurron të prekë edhe një problem tejet delikat, siç ai i “Çështjes Romake”. Është fjala për problemim e mprehtë politik të ligjshmërisë së pushtetit tokësor të papëve dhe të mbijetesës së shtetit të pavarur papnor, plotësisht sovran, në qytetin e Romës, edhe pasi të realizohej bashkimi i Italisë. Kjo çështje nisi në vitet 1860, për të vijuar deri më 1929, me pasoja jo të pakta mbi ndërgjegjën individuale dhe kolektive të katolikëve italianë. Gjithsesi Papa ngulmon se konfliktet në gjirin e shoqërisë u shmangen plotësisht, falë miqësisë së thellë e të përhershme ndërmjet bashkësisë civile e asaj kishtare. E kjo, sepse baza më e shëndoshë e bashkimit politik ishte identiteti kombëtar i italianëve, i rrënjosur thellë në traditat katolike, e edhe pse në gjirin e shoqërisë, nuk kishte asnjë konflikt ndërmjet fesë e kombësisë. Këtë e tregon fakti se katolikët nuk iu shmangën kurrë përgjegjësive politike e shoqërore. Përkundrazi, dhanë një kontribut të shquar në arsim, veprimtari ndihmëse, shëndetësi, bashkëpunim, ekonomi shoqërore … E fryt i pranimit të plotë të kësaj përgjegjësie në gjirin e bashkësisë së re, të sapolindur, është krijimi i një shoqërie solidare.
“Problemi Romak” paraqitet, kështu, si një rast krejt i veçantë e i ndërlikuar, si konflikt ndërmjet Institucioneve Shtet-Kishë, me natyrë plotësisht italiane, për faktin se selia papnore është në trojet e Italisë e, pas përfundimit të shtetit papnor, kjo seli kërkonte liri e sovranitet të plotë. Lidhur me këtë konflikt, Selia e Shenjtë nuk pranoi kurrë imponime nga jashtë, duke i besuar ndjenjave të popullit italian, e bindur se shteti i Italisë do ta kuptonte përgjegjësinë e do ta zgjidhte me drejtësi këtë problem të ndërlikuar.
Pajtimi, me nënshkrimin e Pakteve Lateranense të 1929-tës, krijoi një stinë të re, të frytshme, për shërbimin papnor, të cilën kardinali Montini, Papa i ardhshëm Pali VI, duke folur në Kapitol, më 10 tetor 1962, e përshkroi me fjalë solemne, duke theksuar se epoka e re krijoi : “kështu kushtet për t’u ngritur shumë lart, si asnjë herë tjetër, në qeverisjen shpirtërore të Kishës e në rrezatimin e saj mbi botë”.
Papa kujton edhe kontributin themelor të katolikëve në hartimin e Kushtetutës së re republikane të 1947-tës, me të cilën nis impenjimi i katolikëve në jetën politike, sindikale, ekonomike e shoqërore të vendit, me njerëz që dhanë shembuj të ndritur besnikërie ndaj shtetit e prova përkushtimi të jashtëzakonshëm në shërbim të së mirës së përbashkët. Deri në dhurimin e gjakut, në vitet e terrorizmit. Me fjalë plot emocion Papa kujton Moron e Bachelet. E përsa i përket kontributit të institucioneve të Kishës në shërbim të së mirës së përbashkët në kohën e pas luftës, vihet në dukje formimi i njerëzve me vlera morale themelore për jetën shoqërore e demokratike, të drejtë e të rregullt, si dhe kujdesi i veçantë për të varfërit, të vuajturit e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë. Nuk mungon kujtimi i vëmendjes që tregoi Gjon Pali II për të mirën e vendit, si në rastin e “Lutjes së madhe për Italinë”, kryesuar nga ai vetë në vitin 1994.
Faza aktuale e marrëdhënieve ndërmjet Kishës e Shtetit hapet me nënshkrimin e Marrëveshjes për rishikimin e Konkordatit, më 1994, nënshkrim që – siç pohon Gjon Pali II – e ka mirë parasysh gjendjen e sotme të Italisë, e cila karakterizohet nga shkëmbimi i lirë i ideve e nga pluraliteti. Pa harruar të favorizojë unitetin e plotë të idealeve e të ndjesive, në mënyrë që të gjithë italianët ta ndjejnë veten vëllezër, në një Atdhe, i cili u përket njëlloj të gjithëve. Parimet që udhëheqin marrëdhëniet ndërmjet Kishës e bashkësisë politike, janë ata të dallimit korrekt të fushave të veprimit e të bashkëpunimit. Siç kujton Koncili II i Vatikanit, të dyja palët, edhe pse me titull të ndryshëm, janë në shërbim të veprimtarisë personale e shoqërore të njerëzve të njëjtë. Në këtë bashkëpunim, Kisha jo vetëm i jep kontributin e vet shoqërisë civile, por edhe merr një ndihmë jo të pakët, përmes të gjitha veprimtarive në favor të familjes, të kulturës, të jetës ekonomike e shoqërore, kombëtare e ndërkombëtare.
Mesazhi i Papës përfundon me shprehjen e mirënjohjes për mënyrën me të cilën, në rrjedhë të historisë, kombi italian e jetoi si nder e privilegj njëherësh, situatën krejt të veçantë të strehimit të Selisë së Shën Pjetrit në Romë, zemër e krishtërimit. Bashkësia kombëtare iu përgjigj kësaj situate me dashuri, solidaritet, gjithnjë e gatshme për ta ndihmuar Selinë Apostolike, që të mund ta kryejë sa më mirë misionin e vet shpirtëror, në Itali e në Botë. Edhe Shteti italian i ofroi e vijon t’i ofrojë Selisë së Shenjtë, një bashkëpunim të çmuar, duke marrë si përgjigje, mirënjohje të thellë e të sinqertë.Fraza e fundit përmban bekimin e Papës, lutjen e tij, që populli italian të udhëhiqet gjithnjë nga drita e fesë, burim shprese e impenjimi për lirinë, drejtësinë e paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.