Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë dom Zef Shestanin, përgjegjësin
e parë të Programit Shqip të Radio Vatikanit, në 21 vjetorin e kalimit të tij në amshim. Dom
Zef Shestani, themeluesi i programit shqip i Radio Vatikanit, qe figurë poliedrike,
prift shembullor, atdhetar i flaktë, gazetar i urtë e largpamës. Në vitet më të vështira
e të errëta të historisë së Shqipërisë, dom Zef Shestani dha një kontribut të jashtëzakonshëm
me kultivimin dhe transmetimin e vlerave shpirtërore, kombëtare, qytetare duke mbajtur
në zemra të dëgjuesve shqiptarë përherë të ndezur dritë e shpresës së ngadhënjimit
të së mirës mbi të keqën, të lirisë mbi robërimin, të dashurisë mbi urrejtjen… Me
transmetimin e fjalëve inkurajuese të Papës e Selisë së Shenjtë, dom Zef Shestani
i siguronte shqiptarët që vuanin nën diktaturën e errët ateiste të komunizmit, se
nuk ishin lënë vetëm, se Kisha e Papa ishin me ta, pranë tyre e se i dinin vuajtjet,
torturat, persekutimin që pësonin për shkakun e fesë sëtyre në Zotin e për
atdhedashurinë. Mjafton të kujtojmë fjalët e Papës Gjon Palit II drejtuar Kishës e
të gjithë qytetarëve të Shqipërisë më 5 tetor 1980 nga Otranto e Italisë. Fjalët atërore
e inkurajuese të Papës Wojtila, dom Seshtani i transmetoi në gjuhën shqipe me gëzim,
mburrje e përmallim. Ja fjalët përmes të cilave aso kohe Gjon Pali II sensibilizoi
mbarë botën për martirizimin që pësonte Kisha e populli në Shqipëri nën komunizëm: “E
kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri
tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve
të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”. Mesazhe
si ky që posa dëgjuam e argumente tjera përmbajtjesore, dom Zef Shestani i transmetonte
në emisionin e tij radiofonike përmes valëve të Radio Vatikanit popullit e vendlindjes.
Dom Zef Shestani (29 qershor 1912 - + 16 mars 1990) “Laudetur
Iesus Christus! Ju flet Radio -Vatikani në gjuhën shqipe!”. Për dyzet vjet me radhë
ishte pikërisht ky zë që hapi Programin e gjuhës shqipe pranë Radio-Vatikanit, të
cilin edhe e themeloi. Ky zë i fliste, që përtej Adriatikut, atdheut të vet të mbërthyer
në tela me gjemba, të izoluar, të martirizuar, të etur për një shpresë, për fjalë
të mirë e sidomos të vërtetë. E ky zë, përmes valëve të radios, u përcillte bashkatdhetarëve,
Lajmin e mirë, u tregonte Rrugën, u çonte Jetën, u kumtonte të Vërtetën, u kujtonte
se Krishti i munduar, i kryqëzuar, i vdekur e i varrosur, ngjallet në të tretën ditë.
Është zëri i Dom Zef Shestanit, të cilin po e përkujtojmë sot në 17-vjetorin e vdekjes. Dom
Zefi lindi në Shkodër më 29 qershor 1912, njëherësh me Shqipërinë e Pavarur. U rrit
në prehrin e prindërve të përshpirtshëm, të cilët, sapo kishte mbushur moshën shkollore,
vendosën ta regjistrojnë në Kolegjin Saverian të qytetit, një nga shkollat më të mira
të kohës. Në Kolegjë Zoti e thirri për jetën meshtarake, E ai nuk ngurroi t'ia dhuronte
plotësisht vetveten. Si kreu me sukses mësimet në vendlindje, të parët menduan ta
çojnë për të vijuar studimet larta. Për këtë zgjodhi Padovën, ku kishin mësuar sa
e sa shqiptarë të tjerë para tij, e ku do të mësonin edhe të tjerë pas tij. Ishte
viti 1935. Shqipëria bënte përpjekje për të hyrë përfundimisht në një rrugë të re
zhvillimi. Kishte shumë nevojë për njerëz të mësuar. Ashtu si kishte nevojë edhe Kisha
për meshtarë që bashkonin në një përshpirtërinë, kulturën e atdhedashjen. Prandaj
pothuajse të gjithë shqiptarët që kryenin studimet jashtë shtetit, ktheheshin menjëherë
në atdhe, duke marrë me vete Evropën e mësuar për t'ia çuar si dhuratë Atdheut. Asokohe
kështu mendohej hyrja në Evropë. U kthye meshtar në Shqipëri e u emërua zëvendës-famullitar
i Shkodrës me seli në kishën e Shën Kollit në Rus, bërë rrafsh me tokë në vitet e
diktaturës. Aty e tha Meshën e parë më 1 janar 1936. Kujtojmë se në atë kohë famullitar
ishte Dom Mikel Koliqi. Filluan për të 3 vjet veprimtarie të pareshtur. Qe meshtar
që punoi shumë me të rinjtë, me muzikën, me publicitikën. Nisi t'i hapte baritorisë
së Kishës horizonte të reja, gjithnjë me frymën tradicionale: "Për Fé e Atdhé". Në
murin e qelës së famullisë së tij, kishte vendosur një sentencë, që do të bëhej lajtmotiv
jete: "Dulcem et decorum est pro patria mori" - "Është gjë e ëmbël dhe e bukur të
vdesësh për Atdhé". Një lajtmotiv i tillë e shtyu t'i kundërvihej pushtimit të Shqipërisë
nga Italia fashiste, më 1939 e komunizmit të pafé të paatdhé, më 1944, pak kohë para
se të binte Shkodra. Duke e ditur mirë ç'e priste, pa shkelur endè komunistët në qytetin
e braktisur nga gjermanët, kaloi kufirin shqiptar mbi një varkë e, nëpërmjet Bunës
arriti në Ulqin. Që aty, ia doli mbanesh të kalonte në Itali, ku rifilloi menjëherë
edhe më me zell misionin meshtarak dhe punën në shërbim të idealeve, të cilave u kishte
kushtuar jetën: Zotit e Kombit. Në sa shërbente si famullitar në dioqezën e Porto-s
në periferi të Romës, Selia e Shenjtë e ngarkoi me detyrën të themelonte Programin
e ri të Radio-Vatikanit në gjuhën shqipe. Nuk ishte e lehtë: bashkëpunëtorët në mërgim
ishin të paktë; lidhja me besimtarët në atdhé - e pamundur, çdo fjalë që thuhej para
mikrofonit, mund të krijonte rreziqe të paparashikuara përtej perdes së hekurt. Gjithsesi
ai, që s'ishte trembur nga situata më të vështira, pranoi. Bashkëpunuan ngushtë me
të Zef Pali, me të cilin njihej mirë që në Shqipëri, Andrea Shuli, Gjon Gjomarkaj
e murgesha e parë engjëllore shqiptare, motër Luçia Laca. Bashkëpunëtori kryesor i
jashtëm ishte françeskani shqiptar në mërgim, Atë Daniel Gjeçaj. Programi i parë
i Radio-Vatikanit në gjuhën shqipe filloi më 3 tetor 1951 me një Udhë Kryqi- që simbolizonte
atë udhë në të cilën po ecnin besimtarët katolikë e mbarë populli shqiptar. Dom
Zefi qe edhe muzikant i talentuar. La shumë këngë, që këndohen edhe sot e kësaj dite,
nga të cilat po kujtojmë "Besa-besë" dhe "Karajfil në kodër"; kompozoi melodramën
e Zef Palit "Te kështjelli i bardhë" e shumë pjesë të tjera, me tekst të shkruar nga
ai vetë, sepse Dom Zefi kishte edhe dhanti të spikatura poetike. Nga poezitë e tij
më të ndjera, është ajo me titull "Tem vëlla", kushtuar të vëllait, Paulinit, shkruar
pasi e mori vesh se e kishin pushkatuar komunistët. Si publicist, themeloi "Revistën
e shqiptarëve në mërgim", përmes së cilës denoncoi para opinionit botëror krimet e
regjimit komunist në Shqipëri. Vdiq në Romë më 16 mars 1990. Salikimet e tij u
kremtuan më 17 mars në kishën e Shën Marisë së Traspontinës, dy hapa larg Radio-Vatikanit,
ku kishte kaluar pjesën më të mirë të jetës, duke lënë një trashëgimi të pasur feje
atdhetarizmi, kulture. Është një nga shqiptarët e mëdhenj që nuk gjejnë prehje në
dheun e huaj: askush, deri më sot, nuk është kujtuar ta mbartë trupin e tij, për të
pushuar në paqe në atë Atdhe, që aq shumë e desh, që i mungoi gjithë jetën, që nuk
duhet ta dëshirojë edhe për së vdekuri.