2011-03-16 16:21:57

DBR-së do të jetë takimi më i madh, që do të ketë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e ambientit.


Edhe pse priten më se një milion e gjysëm të rinj, Dita Botërore e Rinisë e Madridit do të jetë një ngjarje, që synon të sensibilizojë opioninin për respektimin e mjedisit, duke shmangur çdo lloj ndotjeje. E mund të konsiderohet takimi më i madh me këto karakteristika. Çdo i krishterë shqetësohet për mbrojtjen e ambientit. Çdo i krishterë përpiqet t’ia dorëzojë breznive të reja Tokën në gjendje sa më të mirë. E ky do të jetë edhe shqetësimi i Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë – shpjegojnë organizatorët. Do të llogaritet ndotja e ajrit, e pashmangshme për takime të tilla kaq të mëdha dhe do të merren masat për ta pastruar menjëherë, me një nga praktikat gjithnjë më të përdorura në ngjarje me grumbullime të mëdha njerëzish. Qeveria iberike e konsideron DBR-në, si ngjarje të jashtëzakonshme, me interes të madh publik.
Ndërmjet 16 e 21 gushtit, Madridi do të jetë kryeqyteti i botës rinore. Atje do të rrahë zemra e re e botës, e pritmja e saj, shpresa, ardhmëria. Me këtë sy e shikon Kryeipeshkvi i Madridit, imzot Antonio Ruoco Varela, kryetar i Konferencës ipeshkvnore spanjolle.
Ndërmjet impenjimeve të shumta të Papës në Madrid, parashikohet edhe takimi me 1. 500 profesorë të rinj universitarë, me moshë nën 40 vjet, shumica spanjollë. Por nuk do të mungojnë edhe përfaqësues të pedagogëve të rinj universitarë nga mbarë bota. Takimi do të mbahet në Eskorial, menjëherë pas bisedës së Benediktit XVI me 1500 rregulltare kundruese.
Manastiri vigan i Eskorialit, ndërtuar nga Filipi II rreth viteve 1563-1584, si seli e Panteonit të mbretërve të Spanjës, ka qenë gjithnjë edhe kuvend e kishë. Sot është një nga qendrat më të mëdha të kulturës spanjolle, deklaruar nga Unesko, “Pasuri e njerëzimit”. Këto hollësira ia komunikoi shtypit drejtori ekzekutiv i DBR-së së Madridit, dje në Sallën e Shtypit të Vatikanit, duke theksuar se të gjithë organizatorët shprehën dëshirën t’i krijonin Papës profesor, kushtet për t’u takuar me kolegët e rinj.
Përsa i përket numrit të pjesëmarrësve, mendohet se do ta kalojë shifrën një milion e gjysëm. Deri tani janë regjistruar më se treqind mijë vetë vetëm nga Italia, Franca e SHBA. Më se njëmijë të rinj do të nisen për Madrid nga Jugu Afrikan, ndërsa numri i vullnetarëve është 20 mijë vetë. Ndërmjet tyre, njëmijë e treqind polakë, që po mësojnë gjuhën spanjolle, për t’iu përgjigjur sa më mirë detyrës së tyre në këtë festë vigane të rinisë.Pjesëmarrja në të gjitha kremtimet dhe veprimtaritë fetare, kulturore e artistike, do të jetë, si gjithnjë, falas. Pa harruar edhe ndihmën që u duhet dhënë të rinjve nga vendet më të varfëra, duke u siguruar mikpritje, strehë, ushqim, bileta transporti, solidaritet të gjithanshëm, gjithnjë krejt falas.







All the contents on this site are copyrighted ©.