Më 15 mars kujtojmë përvjetorin e lindjes së Faik Konicës.
Faik Konica është nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqipe. Prozator
e poet, publicist e estet, kritik letrat e përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme
pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Njeri me dituri të madhe, dhe dhanti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe,
Faik Konica hyri në historinë e kulturës shqiptare kombëtare si erudit e stilist i
përkryer. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale,
mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Qe nxënës i
Kolegjit Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ku hodhi ato baza, pa të cilat nuk do të
kishte mundur të vijonte shkollat më në zë të botës, duke filluar nga liceu perandorak
francez i Stambollit, për ta kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet
për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për
aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin
e Harvardit të SHBA-së. Që i ri e lidhi jetën dhe veprën e tij edhe me lëvizjen kombëtare
shqiptare. Pasi botoi broshurën “Shqipëria dhe turqit”(1895) në Paris, u vendos
në Bruksel (Belgjikë), ku nisi botimin e revistës politiko-kulturore dhe letrare “Albania”,
që u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i rilindjes. E botuar në gjuhën
shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtet, ajo propagandoi
për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë
dhe kulturën e popullit shqiptar. Më 1909, posa u mbyll revista “Albania” në Londër,
i ftuar nga atdhetarët, Faik Konica shkoi në SHBA ku drejtoi gaztën “Dielli” , dhe
më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 u zgjodh
sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe imzot Fan Noli, duke qenë udhëheqësit
kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, shkuan në Londër për mbrojtjen e
çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin të Triestes (1913),
që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u
zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari
të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetiu. Nè vitin
1921 u kthye në SHBA-së, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet
1920 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do
ta bënte përmes gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Pas dështimit të revolucionit
demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i
Shqipërisë në SHBA-së. Vdiq në Uashington më 14 dhjetor 1942. Veprimtarinë e tij
publicistike e letrare, Faik Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën “Albania”,
ku botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm
etj. Përgatiti dhe përmbledhjen letrare “Kandili i kuq!, por nuk mundi ta botojë.
Në të vërtetë nga Konica nuk kemi asnjë libër të botuar, me përjashtim të vëllimit
me përralla të përkthyera “Nën hijen e hurmave” (1924). Krijimtaria e tij e shpërndarë
në shtypin e kohës dhe një pjesë e papërfunduar, do të botohen pas vdekjes. Veçojmë
veprën e rëndësishme, prozën gjatë satirike, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës
së Mamurasit”, ciklin e tregimeve “Katër përralla nga Zullulandi”, udhëpërshkrimin
“Shqipëria si m’uk duk..”. Konica la në dorëshkrim anglisht edhe veprën “Shqipëria
- kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore” dhe ese tjera, që u botuan pas vdekjes. I
quajtur nga Noli “kryelëronjësi i gjuhës sonë” dhe “stilist i përkyer”, ai shkroi
një lutje, që do të meritonte të përsëritej çdo ditë nga të gjithë njerëzit e penës:
“ Ati i ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur
s’kemi gjë për të thën! Falna durimin të thelojmë një punë përpara se të shkruajmë
mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë, që të flasim jo
vetëm me paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga
shtrembërimet e gjuhës, dhe Nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”.