2011-03-15 17:02:24

Imzot Bsharë Rajë, është zgjedhur Patrik i ri i Kishës maronite, zë vendin e kardinalit Sfeir


Kisha katolike maronite ka udhëheqësin e ri, imzot Bsharë Rajë, ipeshkëv i Jbeil-Byblosit. Sinodi i Ipeshkvijve maronitë ka zgjedhur Patrikun e 77-të të Antiokisë e të tërë Lindjes, në vend të kardinalit Nasrallah Boutros Sfeir, 90 vjeç, i cili më 26 shkurtin e kaluar paraqiti dorëheqjen për arsye të moshës. Patriku i ri maronit ka Bsharë 71 vjeç, është shuguruar meshtar në vitin 1967 e ipeshkëv më 1986. Nga viti 1967 deri më 1975 ka qenë edhe përgjegjës i Programit arab të Radio Vatikanit.
Po kujtojmë se Kisha maronite sot ka rreth tre milionë besimtarë, dy të tretat e të cilëve jetojnë në diasporë. Kisha maronite është strukturuar në 23 dioqeze e dy vikariate në Liban e një pjesë në botë. Zanafilla e saj lidhet me Kuvendin e Shën Maronit, që gjendet në Siri, në lokalitetin e lashtë Apamea. Në shekullin e pestë, një bashkësi e vogël murgare siriane u vendos në bjeshkët libaneze për t’i ikur persekutimeve të “monofizitëve”, do të thotë ithtarëve të herezisë së asaj kohe që mbështeste epërsinë e natyrës hyjnore në Krishtin, duke mohuar faktikisht natyrën njerëzore. Në vitin 1182 kryqëzatat u mundësuan maroniteve të vulosnin bashkimin e tyre me Romën. Maronite është vetëm Kisha lindore katolike që nuk lind nga një kundërvënie me Kishën ortodokse. Kombet e interesuara në diasporë janë para së gjithash ato të Lindjes së mesme (Jordania, Izraeli, Palestina, Egjipti, Siria), duke përfshi edhe Qipron. Prania e fortë e maroniteve gjendet edhe në kontinentin amerikan, me eparkitë në Agjentinë, Brazil, Meksiko, SHBA e Kanada. Për bashkësinë maronite në Australi eparkia e referimit është ajo e Shën Maronit në Sidnéj.







All the contents on this site are copyrighted ©.