Më 14 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Matildën e Gjermanisë.
Matilda, bijë e dukës së Vidukindos, që udhëhoqi saksonët në betejën kundër Karlit
të Madh, lindi aty nga vitet 895 në Engern të Saksonisë, në familjen e Teodorikut
e të Rainhildës, bijë e familjes mbretërore daneze. Që e vogël iu besua kujdesit të
së gjyshes, abateshë e kuvendit të Herfordit, e cila e rriti të shëndetshme, të fortë,
të devotshme dhe të mësuar, gjë e rrallë edhe për vajzat fisnike të kohës. Sapo mbushi
moshën e pjekurisë, u martua me Enrikun, bir i dukës të Saksonisë, që më pas trashëgoi
edhe fronin gjerman. Matilda jo vetëm që dinte shkrim e këndim, por njihte mirë edhe
kulturën e politikën e kohës. Prandaj, kur i vdiq i shoqi, duke i njohur mirë edhe
të bijtë, deshi të vinte në fron djalin e vogël, Enrikun e jo të madhin, Otonin. Kjo
përpjekje shkaktoi ndërmjet dy vëllezërve një konflikt të ashpër, që përfundoi me
kurorëzimin e Otonit në Romë (962) dhe me pajtimin ndërmjet pjesëtarëve të familjes
mbretërore. Matilda u mbyll në kuvendin e Nordhauzen ku, si shkriu gjithë ç’kishte
për të varfërit e të sëmurët, u sëmur edhe vetë, pas shumë trazirash të përsëritura
në familjen mbretërore. Atëherë u transferua në kuvendin e Kuedimburgut në Saksoni,
pranë varrit të të shoqit. I fundmi që e vizitoi, ishte i nipi, Gulielmi i Maincit,
i cili e rrëfeu dhe i dha sakramentin e vojimit. E ajo, duke parashikuar se ai do
të vdiste së shpejti (Gulielmi vdiq dymbëdhjetë ditë para saj) e duke mos pasur ç’t’i
dhuronte, i fali shaminë me të cilën po fshinte djersët e vdekjes. U varros pranë
të shoqit e menjëherë nisi të nderohej nga populli si shenjte. Edhe sot e kësaj dite
kulti i saj është shumë i gjallë në dioqezat gjermane të Paderbornit, Fuldës e Mynihut.