2011-03-14 08:51:39

Japoni: viktimat janë me dhjetëra mijëra, rritet rreziku i fatkeqësisë bërthamore


Rëndohet çdo orë bilanci i tërmetit dhe i stunamit që goditën të premten Japoninë. Viktimat janë me dhjetëra mijëra e numri i të zhdukurve është tejet i madh e nuk dihet saktësisht. Sipas disa të dhënave, numri i viktimave mund të arrijë deri në 50 mijë vetë. Vetëm sot në prefekturën Miyagi janë gjetur afër dymijë njerëz pa jetë në brigjet verilindore të vendit. Kështu njoftoi agjencia e shtypit japoneze Kyodo, duke saktësuar se afër 1 mijë kufoma janë gjetur në brigjet e gadishullit Ojika, të tjera në qytetin Minamisanriku, ku rezultojnë të humbur 10 mijë banorë. Funksionarë të qeverisë së Tokios kanë njoftuar sot për një bilanc sipas të cilit deri tani numërohen 5 mijë te vdekur, po numri i tyre mund të rritet mbi 10 mijë.

Ndërkohë regjistrohen dridhje të reja të tokës, si ajo e natës së kaluar kur toka u dridh nga tërmeti me magnitudë 6.2 të shkallës Rihter, që lëkundi rrokaqiejt e Tokios dhe shkaktoi frikën e një stunami të ri, por për fat të mirë nuk ndodhi.

Tani alarmi vjen nga centralët bërthamore të Fukushimës, ku thuhet se ka edhe të plagosur. Një shpërthim i dytë ka goditur impiantin bërthamor, e sipas zyrtarëve 6 vetë janë plagosur, por bërthama e kontejnerit nuk ishte dëmtuar nga shpërthimi që ndodhi këtë mëngjes. Rritet frika nga fatkeqësia e mundshme bërthamore. E lidhur me këtë agjencia Japonese për Sigurinë Bërthamore deklaroi se nuk ka asnjë mundësi që në Japoni të përsëritej një aksident bërthamor si ai i Çernobilit. Sistemet e ftohjes në tre nga gjashtë reaktorët në Fukushima u ndërprenë sot pas dy shpërthimeve.

Agjencia meteorologjike japoneze paralajmëroi sot për një rrezik të madh pas lëkundje tërmeti me fuqi 6.9 - 7 ose më tepër ballë deri të mërkurën, duke i vlerësuar ato si 70 për qind të mundshme.
Magnituda e tërmetit që goditi Japoninë është studiuar për së dyti dhe është arritur në përfundimin se ajo ishte 9 ballë. Këtë bëri të ditur sot Agjencia Meteorologjike Japoneze, duke theksuar se ky është ndër tërmetet më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë. Pas tërmetit Japonia ndodhet përpara një katastrofe të rëndë bërthamore.
Pra situata vazhdon të jetë e rëndë, e po punohet me të gjitha forcat për ti bërë ballë pasojave të rënda të kësaj katastrofe. Mungon uji i pijshëm, ushqimi e vendstrehimi ata njerëzit që kanë mbijetuar, cilët kanë humbur gjithçka kanë pasur.







All the contents on this site are copyrighted ©.