Japoni, emergjencë bërthamore në centralin e Fukushimës. Numërohen dhejtra-mijëra
të vdekur. Nunci: Kisha, në vijën e parë të frontit për shpërndarjen e ndihmave.
(14.03.2011 RV)Në Japoni vijon të bëhet gjithnjë më shqetësues alarmi bërthamor.
Burime vendase njoftojnë se nuk përjashtohet mundësia e shkrirjes së njërit nga reaktorët
e impiantit bërthanmor të Fukushimës. Kështu situata në centralin bërthamor të Fukushimës,
një nga prefekturat më të goditura prej tërmetit prej 9 ballësh, sipas agjencisë
sizmiologjike japoneze, është e rëndë. Sistemet e ftohjes në dy reaktorët e centralit
Fukushima 1 kanë pushuar se funksionuari fill pas tërmetit, që goditi brigjet veri-lindore
të Japonisë. Pas shpërthimit të së shtunës në njërin reaktor, autoritetet pranuan
se në zonë nivelet e radioaktivitetit kishin kaluar limitet. Shumë persona po trajtohen
pas ekspozimit radioaktiv. Punonjës me veshje speciale kontrollojnë të gjithë banorët
për shenja radioaktiviteti, ndërsa këta të fundit po përpiqen të largohen. Televizioni
japonez, NHK raportoi se mbi 310 mijë persona në mbarë vendin u shpërngulën në tenda.
Shumë prej tyre kishin mbetur pa energji elektrike. Zyrtarët njoftuan se do të shtohet
me 100 mijë numri i ushtarëve që veprojnë në zonën veri-lindore të Japonisë.
Vendi po jeton me frikë pas alarmit se ekziston rreziku për një shpërthim të dytë
në centralin bërthamor Fukushima 1. Teknikët po përpiqen me të gjitha mjetet të ftohin
reaktorin 3. Agjencia bërthamore japoneze shpalli gjendjen e jashtëzakonshme edhe
në një central të dytë në Anagau, ku janë regjistruar nivele të larta të kontaminimit.
Gjithsesi, Agjensia niponike për sigurimin bërthamor, e përjashton rrezikun e
krijimit të një tragjedie, si ajo e Çernobilit. Shpresohet se nuk do të ketë Çernobil
të dytë.
Njoftimet, që vijnë nga vendi, flasin për të paktën pesë mijë të
vdekur, që dallgët po i rikthejnë në breg. E bilanci rritet nga ora në orë. Qyteti-simbol
i kësaj katastrofe është Minamisanriku, tashmë i kthyer në shkretëtirë, ku nuk pipëtin
asnjë zë. Nuk ka më monumente, shtëpi, rrugë, kopshte – gjithçka është zhdukur nën
një shtresë të trashë rëre, nafte, balte. Dallgët e detit e sulmuan zonën krejtësisht
papritmas. Shpëtuan vetëm njerëzit, që vrapuan drejt kodrave. Tani në zonën e goditur
nuk ka ujë të pijshëm, dritë, komunikim telefonik. Në këtë atmosferë Kisha katolike
mobilizon të gjitha forcat e mundshme për ndihmë. Shenja konkrete të solidariteit
arrijnë në Japoni nga shumë shtete aziatike si dhe nga organizata të konfesioneve
të ndryshme. Karitasi ka dërguar 100 mijë euro. Kontribute të tjera të të gjitha natyrave
janë vënë në dispozicion të popullsisë si nga Karitasi japonez, ashtu edhe ai i kryedioqezës
së Seulit, në Korenë e Jugut. Tërmeti e cunami e goditën rëndë edhe bashkësinë e vogël
katolike në vend. Të dëgjojmë nuncin apostolik në Japoni, imzot Alberto Botari
de Kastelo, me telefon, nga Tokio:
Përgjigje: - Jemi
tejet të shqetësuar. Së pari, duke pasur parasysh ç’po ndodh me vëllezërit tanë në
Veri. Arritëm të flasim me ipeshkvin e Sendai-t, zonë ende krejtësisht e izoluar.
Komunikimi këtu, në Tokio, është akoma i rregullt. Prandaj mund të marrim pjesë sadopak
në këtë situatë kaq të rëndë.
Pyetje: - Shkëlqesi, si po e jeton
Kisha këtë çast dramatik?
Përgjigje: - Duke marrë pjesë plotësisht
në të. Ka impenjim të madh. Dje nisën regjistrimet për ndihma e u përhap edhe mesazhi
i Papës, për të rikthyer frymën e shpresës e edhe për ta ndjerë veten në vijë të parë
të frontit, me pjesëmarrje shpirtërore e materiale. Karitasi ka nisur tashmë të dërgojë
veprimtarët e vet në Sendai, për të organizuar shpërndarjen e ndihmave. E duhet pasur
mirë parasysh se atje është tepër vështirë të punosh. Rrugët janë shkatërruar plotësisht.
Komunikimi – ndërprerë. Vetëm autoritetet dhe ushtria arrijnë deri në zonat më të
nxehta, ndërsa ne nuk na këshillohet të nisemi, për shkak të problemeve, që vijojnë
të krijojnë dramatikisht centralet atomike.
Pyetje: - Imzot Botari,
ju folët me ipeshkvin e Sendai, me të cilin arritët të lidheni, jo pa vështirësi.
Si është ipeshkvi, e bashkësia e tij?
Përgjigje: - Fola me
ipeshkvin dhe e di se është mirë. Morëm një mesazh me faks, përmes të cilit u informuam
për situatën. Deri tani dimë se ka vdekur një misionar kanadez. Nga regulltarët nuk
dimë të ketë vdekur ndonjë tjetër. Më mirë të themi, nuk kemi sinjalizime të tjera.
Pyetje:
- Po ndërmjet të humburve, a ka rregulltarë e misionarë?
Përgjigje:
- Këtë ia lëmë në dorë autoriteteve. Ka njerëz që nuk bëhen të gjallë prej
tri ditësh. Prej tyre nuk ka kurrfarë lajmi. Prandaj, nuk mund të mos kemi frikë.
Edhe në vendin e tragjedisë punohet për këtë. Por nuk është aspak e lehtë. Kërkuam
lajme për një njeri tonin, që është vetëm një gjysëm ore larg, e morëm përgjigjen:
telefononi nesër, besojmë se do të kemi lajme të reja. Edhe ata e kanë të vështirë,
në një situatë kaq dramatike. Nuk tronditet thjesht ai që banon në këto troje, e as
vetëm ekonomia japoneze. Dridhet gjithë bota nga frika e ndikimit të kësaj fatkeqësie
të pashoqe mbi gjithë ekonominë globale.