2011-03-13 10:27:59

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


Sot e diel 13 mars, Kisha kremton të dielën e Parë të Kreshmëve, konën që paraprijnë e përgatit kremtimin e Pashkëve. Me të nisim kohën e fortë krezhmore, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi e të agjërojmë, duke iu lutur me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë
Po sot më 13 mars, kalendari kishtar përkujton edhe festën e Shën Sabinit, martir; Shën Patricies; Shën Kristinës martire e Shën Leandrit, ipeshkëv i Seviljes. Liturgjia na kujton se kur i lutemi Zotit të na falë, ai i Lumi na tregon një rrugë paradoksale: do të falemi, vetëm në se falim atë që kemi pranë.
Nesër e hënë 14 mars, përkujtohet Shën Matilda, mbretëreshë dhe i Lumi Plaçido Rikardi, murg i bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës. Këta na kujtojnë se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve të Tënzot. Kryesisht duhet të dëgjosh Krishtin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta dhe ta zbatosh Fjalën e tij.
Të martën e ardhshme më 15 mars, bie festa e Shën Zakarisë papë; e Shën Luizës de Marijak, bashkëthemeluese e Bijave të dashurisë e të Shën Klementit Hofbauer, meshtar redentorist. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj dite na kujton rëndësinë e dëgjimit të fjalës së Zotit e të ballafaqimit me të, sa herë që, si farizejtë, tundohemi të gjykojmë njerëz e ngjarje.
Të mërkurën më 16 mars do të përkujtohen Shën Hilari e Shën Taciani, martirë të Akuilesë. Shembulli i tyre na kujtojn se vetëm Zoti ka fjalët e jetës së amshuar, se është dashuri e se na fton të duam e të duhemi.
Të enjten që vjen më 17 mars, kalendari përkujton Shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës dhe shën Gjonin Sarkandër. Jeta e tyre na kujtojn ftesën e përsëritur të Zotit për t’u penduar, ndonëse Ai i Lumi e di mirë se do të mëkatojmë përsëri. Atij i intereson që ne t’i flakim maskat e hipokrizisë e të pranojmë haptazi se kemi tepër nevojë për mëshirën e Tij Hyjnore për t’u shëlbuar.
Të premten më 18 mars Kisha katolike përkujton Shën Çirilin, ipeshkëv i Jeruzalemit e doktor i Kishës si dhe Shën Anselmin, ipeshkëv i Lukës.
Të shtunën më 19 mars do të kremtojë Shën Jozefin, fatin e Zojës së Bekuar, Pajtor i Kishës universale. Është dita e emrit të Papës Jozef Ratzinger dhe e kryeipeshkvit shqiptar të Tivarit Imzot Zef Gashit.
Festa e Shenjtit na bind se mënyra si veproi Zoti me Shën Jozefin, është po ajo që përdor edhe sot: Hyji i gjen gjithnjë njerëzit e përshtatshëm, në çastet kur dëshiron të realizojë planet e tij, sepse Zoti i mban premtimet e veta.
Të dielën e ardhshme më 20 mars, Kisha do të kremton të Dielën e Dytë të Kreshmëve e po këtë ditë, kalendari liturgjik kujton edhe festën e Shën Gjon Nepomuçenit dhe Shën Klaudies. Liturgjia na kujton se Jezusi është gjithnjë i gatshëm ta ndihmojë secilin prej nesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.