2011-03-12 11:37:42

Paraqitet në Dublin Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar i vitit 2012


Kardinali Shon Baptist Brejdi, kryeipeshkëv i Armagut dhe imzot Diarmuid Martin, kryeipeshkëv i Dublinit paraqitën javës së kaluar në Dublin të Irlandës, Kongresin e 50-të Eukaristik Ndërkombëtar me temë: “Eukaristia: bashkim me Krishtin e ndërmjet nesh”. Takimi do të mbahet në kryeqytetin irlandez nga data 10 deri më 17 qershor 2012. Për këtë Kongres të rëndësishëm të Kishës Katolike flet në mikrofonin tonë, sekretari i përgjithshëm i tij, atë Kevin Doran:
E shohim Kongresin Eukaristik si ngjarje e si rrugë; kemi menduar edhe për një shtegtim të këmbanës së Kongresit: këmbana është vendosur në një arkë druri e do të transportohet nga famullia në famulli, në të gjithë Irlandën, si ftesë që popullsia të përtërihet në fe, në lutje, në pajtim e në mision. Duam që këmbana të jetë simbol i Zotit e i Kishës e shpresojmë që ky gjest t’i entuziazmojë njerëzit, përmes një reflektimi të brendshëm, shpirtëror, përgatitor për Kongresin. Veprimtaritë më të rëndësishme do të bëhen në “Royal Dublin Society”, një qendër konferencash, ndërsa kremtimet eukaristike në hapësirën, që zakonisht rezervohet për manifestimet sportive me kuaj. Do të kemi edhe veprimtari të tjera si grupe pune, hapësira për rininë, për famullitë, për ekspozita e kështu me radhë. Dua të tërheq vëmendjen e dëgjuesve mbi ditën e parë të Kongresit, në të cilën do të flitet për Pagëzimin, baza e bashkimit ndërmjet nesh. Kjo na jep mundësi të përfshijmë të krishterë të traditave të tjera, pasi të gjithë jemi të lidhur nga i njëjti Shpirt i Shenjtë. Pra, dita e parë do të përqendrohet në ftesën për ta parë Krishtin duke u nisur nga Pagëzimi. Do të kemi edhe kremtimin ekumenik të Fjalës e të Ujit, që do të udhëhiqet nga krerë të traditave të ndryshme të krishtera.
Ç’rëndësi ka fakti se Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar do të zhvillohet në Dublin të Irlandës?
Për ne është shumë e rëndësishme. Disa thonë se nuk është çast i përshtatshëm, për shkak të krizës ekonomike e për shkak të krizës që kemi kaluar nga fajet e disa anëtarëve të Kishës, të cilët kanë abuzuar me të miturit. Por, njëkohësisht, zhvillimi i Kongresit Eukaristik në Dublin na thotë edhe se pikërisht ky është çasti, në të cilin kemi nevojë të rifitojmë besimin dhe bashkimin e njerëzve, që është dobësuar për mungesat tona. E kjo do të jetë e mundur vetëm me praninë e Krishtit e përmes shërbimit për Krishtin. Më vijnë në mend rreshtat e para të novelës së Dikensit “Tregimi i dy qyteteve”: “Ka një kohë të mirë, ka edhe një kohë të keqe…” Nga një këndvështrim i përgjithshëm, mendoj se për ne është rast i mirë për të kremtuar sëbashku me katolikët e vendeve si Britania e Madhe, SHBA_të, Australia dhe Afrika e Jugut, pjesa më e madhe e vendeve afrikane dhe aziatike, ku kanë punuar misionarët irlandezë.







All the contents on this site are copyrighted ©.