2011-03-12 11:39:02

Më 13 mars përkujtojmë peshkopin ortodoks Fan Nolin në 46-vjetorin e vdekjes.


Më 13 mars 1965 mbylli sytë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës peshkopi Theofan Stilian Noli. Ai lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë, më 6 janar të vitit 1882. E gjatë dhe shumë e pasur në ngjarje jeta e tij, që e çoi nga në vise të ndryshme të botës, e edhe në Shqipëri. U nis nga Qyteza në Greqi, nga Greqia në Egjipt e, që këtu, në Sh.B.A. ku luajti rol udhëheqës në përpjekjen për bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës Kombi.
Në këto vite Noli krijoi vargjet e para, duke nisur edhe shqipërimet, shkroi drama, botoi artikuj në gazetën "Drita", përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet"… Megjithëse jetoi larg Shqipërisë, dha shumë për të.
Në moshën 27 vjeçare, kur shqiptarët ortodoksë të Amerikës kërkonin të shpëtonin nga kontrolli i ortodoksisë greke mbi kishën, Noli u dorëzua prift. Si prift ortodoks kremtoi për herë të parë më 22 mars 1908 në sallën e marrë me qera, Knights of Pyrhias Hall, në 159 Tremont Street në Boston Liturgjinë Hyjnore në gjuhën shqipe. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në vitin 1913 vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kremtoi të parën shërbesë hyjnore kishtare ortodokse në gjuhën shqipe, në prani të princit Vilhelm Vid.
Qe kryeministër, shumë i diskutuar, i qeverisë që doli nga revolucioni i Qershorit (17 qershor 1924). Pas kthimit të Zogut, u largua përgjithnjë nga Shqipëria.
Veprimtaria e tij mund të ndahet kryesisht në tri degë: në atë kishtare, politike dhe letraro-artistike. Në 46-vjetorin e vdekjes përkujtohet si një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, si figurë e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare. Si njeri i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, si poet, dramaturg, muzikant e muzikolog, historian, politikan, publicist, një nga përkthyesit më të mëdhenj në shqipet, njohës i thellë i disa gjuhëve e i gjuhës amtare. Pastaj peshkop ortodoks që organizoi në Amerikë Kishën ortodokse autoqefale shqiptare dhe që shqipëroi me shumë sukses një pjesë të mirë të Shkrimit Shenjt. Me të drejtë përkthimet e tij përdoren edhe sot e kësaj dita për nevojat e liturgjisë në Kishën ortodokse.
Përsa i përket krijimtarisë letrare peshkopi Fan Noli shquhet për krijime origjinale po aq sa edhe për përkthime letrare e liturgjike. Përmendim këtu vjershat monumentale “Anës Lumenjëve,” “Marshi i Barabajt” apo “Historinë e Skënderbeut”. Ndër përkthimet e tija zënë një vend të rëndësishëm veprat e Shekspirit si edhe romani i shkrimtarit spanjoll Servantes “Don Kishoti i Mançës”. Vdiq në Florida më 13 mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare.







All the contents on this site are copyrighted ©.