2011-03-12 11:37:23

Atë Lombardi reflekton mbi vëllimin e dytë të librit të Papës “Jezusi i Nazaretit”


Nga dita e enjte ndodhet në librari vëllimi i dytë i librit të Papës Benedikti XVI, me titull “Jezusi i Nazaretit”, i cili përshkon jetën e Krishtit nga hyrja e Tij në Jeruzalem deri në Ringjallje. Libri u paraqit pasditen e 10 marsit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë e tirazhi i tij i parë numëron 1 milion e 200 mijë kopje, në 7 gjuhë të botës. Prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Mark Oje nënvizoi se libri është një mjet i çmuar dialogu ndërmjet të krishterëve, me besimtarët e feve të tjera dhe me botën laike. Këtij argumenti ia kushton editorialin e së dielës, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit:
“Vëllimi i dytë i veprës madhështore të Papës mbi Jezusin doli këto ditë në librari. Vetëm tri reflektime.
Kardinali Oje, duke e paraqitur vëllimin, nuk pati frikë të pohonte se e konsideron veprën me rëndësi “historike”, në kuptimin se “përuron një epokë të re në ekzegjezën teologjike”. Studiuesi Jozef Racinger, që është edhe Bari i Kishës Universale, na e udhëheq leximin me kompetencë, duke u thelluar e duke qenë njëkohësisht koherent me fenë e krishterë e me traditën e saj. Është një sintezë e re dhe e jetuar ndërmjet kërkesave të kulturës historiko-kritike e atyre të fesë, në të cilat lindën tekstet e Ungjillit, që vetëm në këtë kuadër mund të kuptohen si duhet.
Një prezantues tjetër, prof. Magris, pohoi se ky libër “është bërë për dialog”. Figura e Jezusit u paraqitet të gjithëve si përgjigjja madhështore e Zotit për pyetjet më të thella e më të vërteta të ekzistencës njerëzore të çdo kohe, duke përfshirë edhe ato thelbësoret, mbi të keqen, mbi vuajtjen e mbi vdekjen. Është një ofertë, që përkon me kuptimin e misionit të Jezusit, që mund të pranohet, ose të refuzohet, por që gjithnjë mbetet “gjak i derdhur për të gjithë” e kurrë “kundër” ndokujt.
Së fundi, me këtë vëllim, që shkon drejt e në zemrën e ngjarjeve e të domethënies së jetës së Jezusit – në Mundimet e në Ringjalljen e Tij – plotësohet një dëshirë e madhe e Papës, kulmi i “rrugës së gjatë të brendshme” në kërkim të “fytyrës së Zotit”, por edhe mundësia për ta ndarë këtë rrugë me këdo, që dëshiron të marrë pjesë. E dimë se përfundimi i librit e ka lodhur Papën, për shkak të impenjimeve të mëdha të shërbimit të tij të përditshëm. Prandaj i jemi veçanërisht mirënjohës. Është dhuratë për gëzimin tonë. Duke kundruar skenën e Ngjitjes në Qiell, vëllimi përfundon me këto fjalë: “Në fe, e dimë se Jezusi, duke na bekuar, na mban duart mbi krye. Është kjo, arsyeja e përhershme e gëzimit të krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.