2011-03-11 17:39:59

“Jezusi i Nazaretit” i Benediktit XVI. Kardinali Ojé: të afron te fytyra e vërtetë e Zotit. Magris: është libër dialogu.


Një milion e dyqind mijë kopje: kjo është shifra, që flet për nisjen e librit të Papës “Jezusi i Nazaretit – nga hyrja në Jeruzalem, deri tek Ringjallja”, drejt lexuesit.
Vëllimi, që u paraqit të enjten e kaluar pasdite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, përplot me gazetarë, është që dje në libraritë, i përkthyer në shtatë gjuhë, të cilave, në fund të marsit, do t’u shtohet edhe përkthimi në gjuhën kroate. Do të pasojë përkthimi në 13 gjuhë të tjera, e edhe në gjuhën shqipe, ndërsa tashmë vëllimi është i gatshëm në formën dixhitale të e-book. Vepra e Papës “Jezusi i Nazaretit”, pjesa II, u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Edhe kjo pjesë, që nis me hyrjen ngadhënjimtare në Jeruzalem e përfundon me Ringjalljen e Krishtit, doli nga Shtypshkronja e Vatikanit. Në paraqitjen e vëllimit të ri, folën kardinali Mark Ojé, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë dhe profesor Klaudio Magris, shkrimtar e gjermanist i njohur.

“Vepër që e afron lexuesin kah fytyra e vërtetë e Zotit, në Jezu Krishtin”: kardinali Mark Ojé e përkufizoi kështu pjesën II të libri të Papës Jozef Razinger, kushtuar Jezusit të Nazaretit. Një tekst – vijoi - që përfaqëson “agimin e epokës së re të ekzegjezës teologjike e që, në të njëjtën kohë, do të ngjallë interes jo vetëm ndërmjet specialistëve, por edhe ndërmjet besimtarëve:
Jezusi i Nazaretit është më shumë se libër, është dëshmi prekëse, mahnitëse e çliruese”.
Kardinali nënvizoi se vëllimi e forcon lidhjen ndërmjet krishtërimit dhe hebraizmit e pothuajse vë theksin mbi përmasën e dialogut, që është fuqimisht i pranishëm në libër:
“Në këtë vepër shikoj një ftesë për dialog mbi atë, që është thelbësore për krishtërimin, në një botë, në kërkim të pikave të referimit, në të cilën traditat fetare përpiqen mundimshëm t’u transmetojnë breznive të reja trashëgiminë e urtisë fetare të njerëzimit”.
Ku tekst - shtoi kardinali Ojé - propozon dialogun në gjirin e Kishës, me konfesionet e tjera të krishtera, me hebrenjtë e edhe me tradita të tjera fetare, lidhur me kuptimin e Zotit e të njeriut, që buron nga figura e Jezusit, tejet e përshatshme për paqen e unitetin e gjinisë njerëzore. E do të jetë edhe pasuri e vërtetë, nga e cila mund të përfitojnë shumë ata, që merren me veprimtari baritore:
“Ky libër do të nxisë dashurinë për Shkrimin Shenjt, do të thellojë interesimin për lectio divinae, do t’i ndihmojë meshtarët për predikimin e Fjalës së Zotit”.
Besimtarët - ftoi kardinali- duhet t’i jenë mirënjohës Papës për shërbimin e përvuajtur, që i bën Kishës e Botës, në rrethana aspak të lehta e me kushtëzimet, që kuptohen. Ati i Shenjtë – pëfundoi kardinali kanadez - e drejton barkën e Kishës mbi dallgët kërcënuese, duke shtrënguar fort dorën e Jezusit. Ndërsa dorën tjetër na e shtrin ne!
Edhe profesori Klaudio Magris nënvizoi aspektin e dëshirës për dialog, me besimtarët e jo besimtarët, që Papa e çon përpara me këtë libër:
“Besoj se ky libër, për vetë natyrën e tij, duhet ta favorizojë absolutisht dialogun, sepse në të gjithçka është pozitive. Është libër i krijuar për dialogun”.
Profesor Magris shtoi se libri tregon edhe kufizimet e një farë racionalizmi në studimin e figurës historike të Jezusit. Njëkohësisht nënvizoi se, në këtë vëllim, Papa përdor një stil plot gjallëri e jo të thatë, profesional, ndonëse dialogon me ekzegjetë të tjerë të mëdhenj. Vëllimi II është edhe më i guximshëm se i pari.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kardinali Ojé theksoi edhe një herë se libri ka stil të thjeshtë, paqësor e vëllazëror, prandaj do të ketë një ndikim jo të pakët edhe mbi dialogun ekumenik. Më pas vuri theksin mbi një mesazh tjetër, që ofron Benedikti XVI me këtë vepër:
Papa na ndihmon të kuptojmë se persekutimet, vështirësitë e kritikat janë normale për jetën e krishterë e për jetën e Kishës (…) Vë pikën përfundimtare mbi mendësinë e pushtetit të botës, lidhur me kumtimin e Ungjillit. Ungjilli kumtohet me pushtetin e Kryqit!”.
Në Konferencë foli edhe Drejtori i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, don Gjuzepe Kosta, i cili nënvizoi se tashmë janë nënshkruar 20 kontrata për botimin e librit në po aq gjuhë. Shpjegoi edhe se pjesën e fitimeve, që i takon autorit, Papa do ta ndajë përgjysëm: gjysma do të shkojë në ndihmë të Fondacionit vatikanas “Jozef Razinger-Benedikti XVI”, impenjuar në promovimin e teologjisë, e gjysma tjetër do të përdoret për vepra bamirësie. Don Kosta theksoi, në përfundim, se ky vëllim, përsa i përket numrit të kopjeve të shitura, do t’ia kalojë edhe vëllimit I të librit.







All the contents on this site are copyrighted ©.