2011-03-11 18:23:33

Në Japoni, tërmeti e tsunami shkaktojnë 1400 të vdekur


Një dridhje e fuqishme e tokës, më e forta e shtatë viteve të fundit, ka goditur verilindjen e Japonisë. Pas gjysmë ore një tjetër dridhje. Situata është e rëndë. Sipas bilancit të parë të përkohshëm, viktimat janë 1400, sipas mediave japoneze 700 viktima. I madh është edhe numri i të plagosurve në Japoninë verilindore, posaçërisht në prefekturën e Miyagit, por edhe në Tokio, pas tërmetit që goditi brigjet.

Sipas qendrës së kontrollit gjeologjik, lëkundja ka pasur një intensitet me magnitutë 8.9 të shkallës Rihter. I menjëhershëm alarmi i tsunamit u dha nga autoritet japoneze, që kanë lajmëruar për valën e lartë të ujërave deri në 10 metra. Një tjetër valë e tsunamit është regjistruar brenda Oqeanit Paqësor: nga Siberia e deri në ishujt Kurili në Rusi e deri në Havaj, e në jug të Filipineve e në Papua-Guinea e Re, duke kaluar për Mariane e Mikronezi.

Sipas ekspertëve, tërmeti e pati epiqendrën në det, 130 km nga brigjet, në një thellësi prej 24 km. Viktima janë regjistruar në prefekturën Ibaraki, në Sendai City, në prefekturën Miyagi dhe Tokio.
Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan, tha se tërmeti ka shkaktuar “dëme tejet të mëdha”. Pamjet nga helikopteri tregojnë vërshimet në qytetet verilindore të bregdetit, ku valët e tsunamit kanë marrë çdo gjë me vete.
Nga pasojat e tërmetit janë shkaktuar zjarre, përfshirë edhe atë në një rafineri të naftës në Tokio dhe në një uzinë metalike. Disa centrale bërthamore janë mbyllur automatikisht, por ekziston problemi i ftohjes së lëndve radioaktive, pasi janë prishur ftohësit. SHBA-të e kanë furnizuar Japoninë me lëng ftohës, por rreziku nuk ka kaluar ende.







All the contents on this site are copyrighted ©.