Kardinali Koh në Moskë: dialogu i dashurisë dhe i vërtetësisë me Kishën ortodokse
ruse.
(11.03.2011 RV)Kardinali Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e
bashkimit të të krishterëve, niset nesër në Moskë, për një vizitë me rëndësi të madhe
ekumenike në gjirin e Kishës ortodokse ruse. Hirësia e Tij do të takohet edhe me
bashkësinë katolike e do të kremtojë Meshën në katedralen e Nënës së Hyjit, në Moskë.
Për hollësitë e vizitës, të dëgjojmë vetë kardinalin Kurt Koh, në mikrofonin
e Radio Vatikanit: Përgjigje: -Also, in erster Linie ist es natürlich
eine Kontaktaufnahme mit dem Patriarchat... Në radhë të parë, është
fjala për t’u takuar me Patriarkanën e Moskës, Është parashikuar një audiencë me Patrikun
Kirill, si dhe një bisedë me metropolitin Hilarion, përgjegjës për marrëdhëniet me
jashtë i Patriarkanës. Për mua, pas vizitës që bëra në nëntorin e kaluar, në Kostandinopojë,
ka rëndësi të jashtëzakonshme të kesh marrëdhënie personale. E kjo, sepse në tërësinë
e dialogut me ortodoksët, dialogut të dashurisë së krishterë i ka paraprirë gjithnjë
dialogu i së vërtetës.
Pyetje: -Me gjithë progresin,
dihet se ka ende pengesa në dialogun me ortodoksët. Pavarësisht nga kjo, katolikët
e ortodoksët bashkëjetuan, në mijëvjeçarin e parë, në gjirin e Kishës së krishterë,
Kishës së Krishtit…
Përgjigje: -Aber es sind natürlich im zweiten
Jahrtausend neue Entwicklungen eingetreten … Po, por në mijëvjeçarin
e dytë ka pasur zhvillime të reja, sepse të dyja palët kanë ndjekur rrugë të ndryshme.
Nga ana jonë është theksuar fort roli i Papës, ndërsa nga ana e tyre, zhvillimi i
autoqefalisë; një e re tjetër është edhe fakti se pjesa më e madhe e ortodoksisë
sot jeton në diasporë, në Perëndim. E ne duhet t’i studiojmë së bashku këto zhvillime
të reja, që të mund të arrijmë qëllimin e fundit të këtij dialogu, domethënë, bashkimin
e plotë kishtar.