2011-03-11 16:02:36

Benedikti XVI përfaqësuesve të "Pro Petri Sede": lufta kundër varfërisë, urgjencë e kohës sonë.


Një dhuratë bujare për popullsitë e Haitit. Ia dorëzuan sot paradite Benediktit XVI përfaqësuesit e Shoqatës bamirëse ‘Pro Petri Sede’, të cilët u pritën në audiencë në Sallën e Koncistorit, në Vatikan. Ndarja e përbashkët e pasurive – pohoi Papa gjatë takimit të përzemërt – është shprehje e shërbimit të dashurisë, tipik për Kishën Katolike.

“Njeriu gëzohet më shumë kur jep, sesa kur merr”- lexojmë në Veprat e Apostujve. Benedikti XVI e kujtoi këtë frazë, në sa falënderonte shoqatën e lashtë të Beneluksit, ‘Pro Petri Sede’, e cila edhe sivjet dha kontributin e vet për veprat bamirëse të Papës, posaçërisht në ndihmë të një vendi, dëmtuar rëndë nga një mori fatkeqësish të natyrës:
“La généreuse offrande que vous apportez…
Dhurata bujare, që i bëni sot pasardhësit të Pjetrit, ju krijon mundësinë t’i ndihmoni popullsitë e dëmtuara rëndë kohët e fundit, posaçërisht ato të Haitit. Shërbimi bamirës është pjesë e rëndësishme përbërëse e vetë misionit të Kishës (…). Njëherësh me ndihmën e domosdoshme materiale, Kisha mund të çojë, kështu, edhe dashurinë e vëmendjen, për të cilën kanë aq shumë nevojë njerëzit në çaste dramatike”.

Benedikti XVI e lidhi ngusht kontributin që iu dorëzua me Kohën e Kreshmëve, periudhë në të cilën vlerat e agjërimit, të lutjes e të ndarjes të të mirave materiale, me ata që kanë më shumë nevojë, krijojnë kushtet për të vënë theksin mbi urgjencën e përgjegjësisë ndaj të varfërve, në kohët tona.
“En contribuant à lutter contre la pauvreté…
Të japësh ndihmesë në luftën kundër varfërisë, të praktikosh ndarjen e përbashkët e lëmoshën, do të thotë të afrohesh me të tjerët. Por ju e dini: dhurata nuk ka kurrfarë vlere, pa dashurinë, pa lidhjet vëllazërore, që krijohen, kur dhuron. Në të vërtetë, duke praktikuar ndarjen e të mirave materiale me të afërmin, përmes gëzimit që ndjejmë, kuptojmë se jeta, në kuptimin mirëfilltë të fjalës, vjen nga dashuria e Zotit. Kështu lëmosha na afron me Zotin e na fton të bëjmë kthesën e madhe, në rrugën e Tij”.
Papa përfundoi duke falënderuar Shoqatën e duke theksuar se të ndihmosh njerëzit në çaste të vështira, do të thotë të marrësh pjesë në luftën kundër çdo gjëje, që e poshtëron dhe e zvetënon dinjitetin e njeriut, krijuar sipas shembëlltyrës së vetë Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.