2011-03-10 18:40:39

Shqipëri: raporti paraprak i OSBE/ODIHR, zgjedhjet e 8 majit me standarde të rrezikuara


Standardet e zgjedhjeve lokale të 8 majit janë që tani të cenuara. Raporti paraprak i OSBE/ODIHR konstaton disa probleme serioze në zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Raporti konstaton se mjedisi politik vazhdon të jetë thellësisht i polarizuar, mes partive politike ka mosbesim dhe një KQZ e ndarë në vija partiake. Në një situatë të tillë, misioni i rekomandon ardhjen në Shqipëri të
400 vëzhguesve afatshkurtër, për të monitoruar procesin elektoral të 8 majit por dhe gjithë procesin e numërimit. Misioni i vëzhguesve vizitoi Tiranën nga data 17- deri më 21 janar 2011 me kërkesë të vetë misionit të përhershëm të OSBE në Shqipëri, drejtuar Zyrës së OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. Qëllimi i misionit ishte për të vlerësuar mjedisin e para-zgjedhore dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore. Më pas në bazë të konkluzioneve misioni do të vendoste mbi aktivitetet e OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet dhe nëse po çfarë lloj veprimtarie do të ishte. Raporti nis me përshkrimin e situatës politike në Shqipëri e cila vazhdon të jetë thellësisht i polarizuar me retorika të ashpra dhe sulme personale nga drejtuesit e partive kryesore. "Përveç kësaj protesta anti qeveritare e 21 janarit u kthye në një protestë të dhunshme ku shumë protestues u plagosen dhe të tjerë humbën jetën”, nënvizon raporti Raporti konstaton gjithashtu se pjesa më e madhe e retorikës fokusohet në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare te vitit 2009 dhe korrupsioni. Ne raport thuhet se edhe pse rekomandimet e OSBE- ODIHR janë implementuar që nga zgjedhjet parlamentare të 2009, ka një sërë çështjesh të tjera të cilat mbeten ende të paadresuara. "Më e rëndësishmja, është se Partitë duhet të demonstrojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe të vënë mbi të gjitha interesat e përgjithshme për Shqipërinë”, thuhet në raport.
KQZ po ndahet në vija partiake
Duke iu referuar punës së KQZ raporti nënvizon se pavarësisht obligimit të anëtarëve të KQZ për të përmbushur detyrat në një mënyrë të pavarur, përgatitjet për zgjedhjet lokale kanë bërë që KQZ të ndahet në vija partiake. “Anëtarët e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë apo janë larguar nga disa takime të KQZ dhe praktika e udhëzimeve të bashkëfirmosura nga kryetari i KQZ apo zëvendës kryetari i KQZ duket se është
ndërprerë”, thuhet në raport, i cili i bën thirrje Kryetarit e zv.kryetarit të KQZ të bashkëpunojnë. Misioni ka ngritur shqetësime dhe në lidhje me listat zgjedhore, ndërsa konstaton se çështja e kartave të identitetit, e cila ishte temë debati mes partive politike para zgjedhjeve të 2009, nuk përmendet më. Për pjesëmarrjen e grave raporti kujton se nëse partitë dështojnë zbatojnë ligjin atëherë duhet të gjobiten. Sa i përket procesit të medias misioni i vlerësimit vëzhgon se të gjitha mediat janë perceptuar gjerësisht si një linjë me një nga dy partitë kryesore dhe mbulimet e tyre janë shumë të politizuara. Ndërsa pasqyrimi i fushatës elektorale është i parashikuar në Kodin Zgjedhor.








All the contents on this site are copyrighted ©.