Festohet në Shkodër, 20-vjetori i rihapjes së
Katedrales “Shën Shtjefni".
Ky 20 përvjetor u shënua me kremtimin solemn të Eukaristisë së Shenjtë në shenjë falënderimit
ndaj Zotit për këtë dhuratë të7 marsit 1991, kryesuar nga kryeipeshkvi
imzot Massafra në bashkëkremtim me meshtarë e rregulltarë para një numri të madh besimtarësh.
Në homelinë e tij, imzot Angjelo Masafren pohoi se “kjo dite është triumfi i Zotit
mbi të keqën”. Pastaj vijuan aktivitete të ndryshme që kujtuan ecurinë e këtyre
20 vjetëve që nga rënia e diktaturës komuniste, por edhe rikujtuan kalvarin që të
krishterët e mbarë populli shqiptar pësoi gjatë viteve të errëta të komunizmit. Kështu
në takimin e organizuar në sallën “Kardinal Mikel Koliqi”, krahas kujtimeve të sjellë
nga meshtarë dhe besimtarë dëshmitarë të asaj periudhe, janë shfaqur pamje filmike
origjinale të 20 viteve më parë. Me emocione janë përjetuar episodet e sjella
në ekran kur të pranishmit kanë pasur rastin të shohin momentet e hyrjes së besimtarëve
shkodranë në mjediset e pallatit të sportit të asaj kohe, pasi diktatura komuniste
e kishte kthyer Kishën katedrale në objekt sporti. Ndër momentet që karakterizuan
ceremonitë kushtuar 20 vjetorit të rihapjes së Katedrales së Shkodrës, ishte edhe
ai i përurimit të dy pllakave të vendosura në hyrje të Katedrales ku përmenden ngjarjet
më të rëndësishme që kanë shoqëruar Kishën katedrale në historinë e saj. Në pllakat
përkujtimore përmendet se Kisha Katedrale e Shën Shtjefnit Proto-Martir është e hapur
ndaj kultit me 1865, më pas e përdhosur nga regjimi komunist me 1967-tën, e rihapur
ndaj kultit në vitin 1991. Në pllakat kujtohet gjithashtu, vizita dhe prania e
Papa Gjon Palit Dytë në këtë Katedrale më 25 prill 1993, me çast Ati i Shenjtë Karlo
Vojtila rimëkëmbi hierarkinë e Kishës katolike në Shqipëri me shugurimin e katër ipeshkvijve
të parë pas regjimit komunist, atë të imzot Frano Illia, imzot Rrok Mirdita, imzot
Robert Ashta dhe imzot Zef Simoni. Po më hollësisht nga Shkodra të ndjekim shërbimin
e Jolanda Babës.........00:03:49:54
01. 10. 2008
"Dio
vede tutto" shkruhet në gurin trekëndësh në hyrje të Katedrales së Shkodrës, njohur
ndryshe me Kisha e Madhe, ndërtuar në tokën e dhuruar për këtë qëllim nga Palok Krandja.
Ndërtimi
i kësaj kishe, sikurse dhe i asaj ortodokse, nxori në pah anën tjetër të medaljes
së shtetit islamik turk. Kjo anë ka të bëjë me atë që shpeshherë është quajtur terror
fetar i perandorisë turke. Që me ardhjen e Sulltan Mehmetit të II Fatih, në kushtetutën
e atëhershme të turke u sanksionua e liria e besimit për të gjithë nënshtetasit e
perandorisë, pavarësisht nga përkatësia fetare. Kjo, padyshim, ishte ana pozitive
e medaljes, pasiqë, ana tjetër mbetej ajo e politikës praktike që ushtronin autoritetet
vendore turke. Kështu, ata nuk ndalonin dhe nuk lejonin që besimtarët jomyslimanë
të mos kryenin ritet fetare, madje dha lejet për hapjen e kishave jo vetëm në Shqipëri.
Parimi ishte: çdo i krishterë duhet të ketë postin e tij në kishë, porse asnjë vend
nuk duhet të jetë tepër, çka do të thotë se, nëse favorizohej ndërtimi i një kishe,
aty, medeomos, do të ngriheshin dhe dy - tre xhami.
Edhe pse besimtarëve myslimanë
u mjaftonin xhamitë ekzistuese. Për të dalë tek historia e ndërtimit të Katedrales
së Shkodrës, vlerësuar si një ndër më të mëdhatë në Ballkan, duhet nënvizuar data
e fillimit të punimeve: 7 prill 1858. Kjo ditë u hap me një ceremoni të bujshme zyrtare
me pjesmarrjen e përfaqësuesve të të gjithë besimeve fetare, krahas autoriteteve vendore.
Ndër personalitetet e kohës, pjesmarrës në këtë ceremoni, ishin dhe Dom Ejëll Radoja,
Daut Boriçi, si dhe përfaqësues të krejt trupit diplomatik të akredituar në Shkodër
nëpërmjet konsullatave.
Kisha e Madhe, si çdo objekt tjetër, kishte ferman
nga Sulltani. Por rasti i Katedrales është i veçantë, ngase bashkë me fermanin, Sulltan
Mexhidi kishte dërguar edhe 700 lira ari turke, ndërkohë që edhe Papa Piu IX dha 1000
skude floriri për kishën, faza e parë e ndërtimit të së cilës përfundoi më 1867 pas
një maratone të vërtetë fushatash për mbledhje fondesh.
Katedralja është rreth
74 metra e gjatë, 50 metra e gjërë dhe 23.5 metra e lartë. Në periudhën e hershme,
holli i madh kishte një kapacitet prej 6000 vetash në këmbë. Ndërtimi i Katedrales
së Shkodrës është ndoshta, i pari aksion vullnetar i përmasave gjigande në tërë vendin.
Veç derdhjeve vullnetare të fondeve prej secilës familje, veç detyrimit të mëvonshëm
po për dhënien e të hollave për ndërtimin e kishës, çdo familje katolike shkodrane
kontribuoi me nga një punëtor pa pagesë për gjashtë muaj. Edhe gratë katolike nuk
mbetën prapa në këtë aksion, pasi kujtohet se shumë prej tyre dhanë stolitë e arta. Ndërtimi
i Katedrales është një histori më vete. Shëmbet dy herë gunga (harku) i madh i kishës,
derisa, në momentin e fundit, thirret një inxhinier i huaj. Kupola, fillimisht e ndërtuar
me trarë druri, desh u shemb pas 35 vitesh kështu që, më 1897 u zëvendësuan me materiale
të cilat janë dhe sot. Më 1909, Kolë Idromeno, ndër më të shquarit artistë që Shkodra
ka pasur detyrën të nxjerrë ndonjëherë, i bën tavanit të harkuar të Katedrales zbukurimet
e nevojshme. Edhe sot, fare mirë mund të shihen pikturat e mrekullueshme të Idromenos
dhe sidomos, Zonja e Shkodrës, ndjekur nga dy ëngjëj, - të cilët artisti i madh i
ka dhënë të veshur me kostume qytetare shkodrane. Në sfond të kësaj pamjeje është
qyteti i Shkodrës me Rozafën si kurorë lavdie e mbrojtëse. Punimet për ndërtimin e
Katedrales janë ndërprerë disa herë, më së shumti për mungesë fondesh. Kështu, pas
një ndërprerje pesëvjeçare, në një moment kritik, vetëm 36 vetë dhuruan 1750 napolona
flori. Një histori më vete, brenda historisë së madhe të Katedrales, përbën dhe rasti
i Gurash Shënkollit, cili meqenëse ndodhej në Vjenë ditën e martesës së Franc Jozefit,
i shorëruar nga disa shkodranë të tjerë, i shkoi perandorit në tryezë dhe i kërkoi
ndihmë financiare për kishën e Shkodrës. Perandori i ri, jo vetëm që i dha Gurash*t
150 napolona flori, por dhe e përgëzoi për guximin "tipik shqiptar".
Por ndërkohë,
edhe napolonat e Franc Jozefit mbaruan, ndërkohë që kisha ishte ende pa këmbanare.
Të mbledhur nga ipeshkvi i kohës Guerini, përfaqësuesit më të lartë lokalë vendosën
që familjet e krishtera, të ndara në tre kategori (sipas pasurisë), të nxirrnin secila
nga 20, 15 e 10 napolona flori. Si gjithnjë, kjo marrëveshje u bë shkak grindjesh,
pasi kishte nga ata, që ndonëse donin të mos fyheshin duke u renditur në kategoritë
e ulta, paguanin më pak se detyrimi. Atëherë, Gjon Nushi i thotë një tjetër besimtari
katolik, Filip Parrucës: "Kishen po e mbarojm' un' e ti edhe n'mur t'kishes po vem
`i gur t'gdhendun që e kena goditë un' e ti!" Kaq mjaftoi për t'i ndezur më shumë
gjakrat, porse, këtë herë, në të mirë të fushatës. Askush nuk pranonte emrin e dikujt
në derën e kishës, ndaj u shkundën edhe një herë xhepash. Pjesa plumbi e këmbanares
u sigurua në Venecia nga Filip Parruca dhe Mark e Pjetër Pema.
"Para se të
shestohej themelimi i kishës, besimtarët kërkonin një kishë të madhe sa të zinte vend
një lëkurë lope e preme rrypa-rrypa. Rreth caktinmit të gjatësisë së ndërtesës së
katedrales plaku i quejtun Gjergj Nikë Sheldija që ka ndodhë aty në atë kohë, ka tregue:
"Ma s'parit e mori lamshin e spagës Valiu i Shkodrës, i cili ffilin e penit e kishte
lidhë për gisht të vogël të dorës dhe i dha krah, mbas tij e mori konsulli i Anglisë-Bonati,
i cili e hodhi shumë ma poshtë se Pasha e me radhë e hodhën atë fill spangoje konsulli
i Francës-Hiancit Hekardo, madje i Rusisë Iliç, i Greqisë Apostolaqi e në fund ai
i Austrisë-Ballarini, i cili kapërceu shumë larg masen e sundimtarit. Ky, tue nënqeshë,
i paska thanë: "Dashke me shti brenda të tanë katolikët e Arnautllekut." Tërmeti
i 1905 në Shkodër nuk e kaloi në "heshtje" Katedralen, së cilës i hoqi një pjesë të
mirë të rregullsisë planimetrike. Po kështu, edhe bombardimet malazeze të 12 marsit
të 1913 i shkaktuan një dëm jo të vogël këmbanares dhe sahatit, i cili ishte dhuruar
nga vëllezërit Kakarriqi. Më 1925, familja në fjalë solli një tjetër sahat, i cili
ka punuar deri vonë.
Më 1967, Katedralja e Shkodrës u kthye në Pallat Sporti,
dhe fatmirësisht, nuk pësoi ndonjë dëmtim të pariparueshëm. Tani, 9 vjet pas rifillimit
të aktivitetit të saj, Katedralja e Shkodrës është hijeshuar si asnjëherë.
Në
prill 1993, kjo Katedrale është vizituar dhe bekuar edhe nga shenjtëria e tij Papa
Gjon Pali II. Marre nga "Fjala e Shkodres Nr.6 shtator 1999"
Dihet mirë
që Krishterimi depërtoi në vendin tonë, që në shekullin e parë të përhapjes së tij.
Për këtë, historiani i shquar i mesjetës së Ballkanit, kroati dr. Milan Shuflaj, shkruan:
"Fillimi i krishterimit ndër këto vise (tëShqipërisë, shënim i K.K.) bën pjesë në
historinë e shek. I të këtij besimi" (M. Sufflay, "Serbët dhe shqiptarët", 1926, f.
121). Nga vetë përhapja e hershme e kësaj feje në Shqipëri, kuptohet që kjo ka lënë
gjurmët e veta të pashlyeshme në gjuhën dhe historinë e këtij vendi dhe populi. Midis
të tjerave kjo mund të vëhet edhe në rrafshin e terminologjisë kishtare që rezulton
mjaft i pasur dhe përbën një nga shtresat më të vjetra të leksikut të gjuhës shqipe,
sidomos ajo pjesë e terminologjisë që rrjedh prej greqishtes së vjetër e të latinishtës…
shtatë
prill 1858 dhe viti 2000…
Për qytetarët shkodranë dita e 7 prillit e vitit
1858 është një nga ditët që ka mbetur e gdhendur në kujtesën e Historisë së Lavdishme
të Shkodrës Martire dhe për shumë besimtarë të rrethinave e krahinave të ndryshme
të vendit tonë. Brezat, kujtimet, dorëshkrimet dhe hulumtimet e herë pas hershme,
shpesh kanë shprehur me mall mendimin sinjifikativ "Eh sa ka parë e shikon kjo Kisha
jonë Kathedrale e Shën Shtjefnit,?". Dhe ky realitet është i njohur edhe sot mbas
14 dekadave, kur famulitari i Shkodrës meshtari i palodhur Mons. Luciano Avgustini
nga Kosova martire shton me pasion mundin dhe djersën e përkushtimit të veçantë për
realizimin me sukses të punimeve për ngritjen madhështore të krenarisë së kësaj Kathedrale
të njohur në Ballkan, duke i dhënë edhe ndërtimin e Kampanjellit aq të famshëm e dëshmitare
e gjallë e jetës së qytetit dhe devocionit të pashquar të besimtarëve besnikë e të
dashur të saj. Rreziqet e mbarura me ngjarje dramatike deri në ditët tona e kanë mbajtur
krenarë e të papërkulur krenarinë e Kishës së Madhe të Shkodrës… Po cila është
historia e ndërtimit të Kishës Kathedrale të Shkodrës?
Historia e ndërtimit
të kësaj Kishe të rëndësishme për banorët e devotshëm shkodranë, ka një të veçantë
të saj, mbasi kjo dëshirë e ekzistencës së këtij objekti të kultit në fillim me të
njëjtin emër kishte qënë ngritur nga banorët e hershëm në brendësitë Kështjellës së
njohur legjendare "Rozafa" e cila, më pas u kthye nga okupuesit turq me dhunë për
dy javë ne xhami… Vetë fjala aq e njohur në "Kisha e Madhe" siç e thërrasin ende
sot të gjithë, kishte si synim të rëndësishëm që në gjirin e saj të jenë të pranishëm
sa më shumë besimtarë të përkushtuar me lutje të përshpirtme. Këtu mendoj se duhet
shpjeguar edhe shkaku i vonesës së ndërtimit të këtij objekti të kultit kristian,
mbasi thuhej se piketat e vendosura gjatë ditës prisheshin gjatë natës, mbasi popullit
i dukej e vogël. Prandaj mbasi zunë vend këto piketa, atëherë mund të themi që filloi
ndërtimi i rregullt i saj. Nga arkitektët ndërtues ishte menduar që Kisha të zënte
mbi 7500 besimtarë. Nga burimet arkivore të Arqipeshkëvisë së Shkodrës dhe nga
studimit serioz i përpiluar me kujdes nga studiuesi i shquar shkodran, mësuesi Gjush
Sheldija mësohet se Dita e vendosjes së gurit të parë u kthye në një ditë feste, veçanërisht
për popullin e Shkodrës. Kuadri ka qenë i vendosur tek lteri, shkruan studiuesi Lec
Zadeja ("Kultura dhe Jeta", Nr.1, 1993, Shkodër, f.20) i madh dhe që u ripunua me
rastin e 100-vjetorit të Kishës së Madhe Kathedrale të Shën Shtjefnit nga mjeshtërit
e pikturës prof. Simon Rrota, Pater Leon Kabashi, Dom Injac Dema, Dom Ndoc Nogaj,
etj. Ajo kishte këto dimensione 8 metër gjatësi dhe i lartë 3,5 m. Pas një lodhje
të mundimshme bashkautorët mundën të realizojnë me sukses objeksionin e tyre kryesor
të kultit kristian. Sikurse mësohet nga burimet e kohës, del se leja për ndërtimin
e Kishës në fjalë ishte kërkuar më parë prej Qeverisë turke, që daton kërkesën e bërë
në vitin 1834, kur në Stamboll u dërgua një lutje për ndërtimin e nevojshëm të Kishës
për besimtarët e krishterë. Gjithashtu, duke parë indiferentizmin dhe moskokëçarjen
e qeverisë turke mësohet se kërkesat e përsëritën edhe në vitet 1842 për të arritë
në vitin 1849 kur u dha leja për fillimin e ndërtimit të saj. Më të vjetrit e qytetit
të lashtë të Shkodrës kanë ruajtur në shenimet e tyre kujtime për këtë evenimet të
qytetit. Kështu, si u vendos kryqi (ku sot është ndërtuar Lteri nga Don Ndoc Nogaj
mjeshtër duarartë shkodranë)dhe u ngulën piketat, Avdi Pasha, Valiu i Shkodrës, lexoi
formanin (dekretin) e Sulltanit. Më pas e bekua me një ceremoni fetare guri i parë
dhe u hodhën themelet që ngritën më pas objektin më të rëndësishëm kristian. Gurin
e bekoi Imzot Topich. Në ceremoninë fetare të rastit morën pjesë famullitari i qytetit,
me ndihmësat e tij: të ftuar ishin dhe Hafiz Daut Efendi Boriqi, Trupi Diplomatik
i akredituar në Shqipëri, me përfaqësitë e konsullatave që kishte në qytetin e Shkodrës,
Ipeshkëvi të dioqezëve të ndryshme, klerikë, seminaritë, autoritete të tjera të vendit
dhe shumë besimtarë e qytetarë jo të krishterë të pranishëm. Si detaj i rëndësishëm
është se arkëtari i financës së qarkut shprazi në themel 700 lira turke florini, të
cilat ishin të vendosura në një pjesë të mbuluar me shamimëndafshi, dhuratë kjo e
Sulltanit asokohe të Turqisë. Nëpërmes Ipeshkvit të vendit, Papa Piu i IX, dërgoi
për ndihmë me rastin e fillimit të punimeve për kishën e Shkodrës mbi 1000 skuda.
Ambasadori rus, duke shprehur dëshirën për praninë e tij, shprehu gatitshmërinë për
ta marrë në mbrojtje nga ana e tij Kishën Kathedrale, si dhe në shenjë bujarie hodhi
në themel xhamadanin e stolisur me ar. Sipas zakonit të stërlashtë, në themel u bë
prerja e dashit, ndërsa për punëtorë dhe gostinë e tyre u prenë 30 pendë qe.Dhe
menjëherë puna filloi me vrull dhe dashuri të veçantë. Falë bujarisë si gjest fisnik,
nuk u kursye asgjë nga populli zemërgjërë i qytetit ashtu dhe nga rrethinat e tij.
Sipas mundësisë dhe zemrës bujare, kush me të holla apo stolina të ndryshme (kryesisht
gratë), materiale ndërtimi falas, si gurë gëlqere, zhavor, etj., që nga Taraboshi
e deri tek Zalli i Kirit, bënë që jovetëm punimet të mos ndërpriten, por ato të vijojnë
më me intensitet.Për ndekjen e punimeve ishte caktuar një komision miks të kryesuar
nga specialistë të kohës dhe përfaqësues të banorëve të Shkodrës. Inxhinieri që i
realizoi punimet ishte austriaku, po ashtu nga Austria erdhën të gjithë elementët
e konstrukcionit metalik i kapriateve të tavanit. Tregohet, gjatë punimeve se dy
herë rresht ishte shembur trajta e formës së gungës. Edhe për ndërtimin e tavanit
prej dërrase, sikurse shihet edhe sot është dora e mendja e mjeshtrit të njohur shqiptar
shkodranit të njohur Kolë Idromeno. Mirëpo fatkeqësitë natyrore, siç ishte termeti
i 1 qershorit të vitit 1905 shkaktoi shumë dëmtime. Po të hysh brenda dhe të shikosh
me kujdes do të përshkosh këto dimensione hapsinore të Kishës së Madhe që janë gjatësia
75,5 metra, gjërësia 40 m. dhe lartësia deri në tavan 23,3 metra. Për të vujuar
normalisht punimet janë derdhur shumë të ndryshme të hollash. Kështu kur këto të ardhura
financiare po mbaronin, një komision i ngritur dhe i përbërë nga qytetarë të njohur
të qytetit të Shkodrës (gjithsej 35 vetë) mundi të mbledhë prej popullit shumën prej
1750 napolona floriri. Për më tepër përmes një kerkese iu kërkue ndihmë edhe Franc
Jozefit për mbështetjen e punimeve të ndërtimit të obektit dhe si moment i përshtatshëm
asokohe u gjet ceremonia e ditës së martesës së tij. Dhe bujaria e gjestit të tij
fisnik nuk mungoi, duke dhuruar në këtë ditë të rëndësishme të jetës së tij shumën
prej 150 napolona floriri… Kurse gjatë vitit 1998 atdhetari dhe bamirësi i njohur
shqiptaro-amerikan Z. Kolë Preka Cacaj dhuroi për ndërtimin e Kampanjilit të njohur
të Kishës Kathedrale të Shën Shtjefnit me lartësi 48 metra shumën me vlerë 110.000
dollarë amerikanë, duke qënë kësisoj kontributi më i madh i dhënë nga një individ
me mallin e zhuritur për atdheun…Shuma që ka dhuruar ky bujar nga Triepshi i Malësisë
është 160 mijë dollarë amerikanë, pa përfshirë këtu drekën në një restorant luksoz
në hyrje të Shkodrës në ditën e fillimit të punimeve të Simpoziumit Ndërkombëtar "Krishtërimi
ndër shqiptarë" që u mbajt në Tiranë më 1999. Duke u kthyer edhe një herë në momentet
historike të kohës kur ndërtohej objekti i kultit kristijan për besimtarët katolik,
është me rëndësi të evidentohet se punimet deri në përfundimin e saj zgjatën 9 vjet
deri më 15 prill 1858 por pa kumbanare. Për realizimin e saj u hap përsëri një fushatë
duke trokitur tek zemra bujare shkodrane, dhe kësaj here popullsia i nda në tre kategori:
ku secili mund të kontribonte sipas pasurisë që kishin. Pjesa e sipërme e Kishës e
cila ishte e mbuluar me plumb ishte sjellë prej Venedikut dhe paguar prej familjes
Parruca dhe vëllezërit Mark e Pjetër Pema, të cilët shpenzuan 750 napolona floriri.
Edhe për ndërtimin e kumbanares punoi inxhinieri i palodhur Kolë Idromeno i biri I
Arsen Idromeno. Ata zgjatën 5 vjet. Në vitin 1890 u vendosën tri kumbonet e para,
kurse më vonë dy të tjerat. Përurimi dhe riti i bekimit është bërë me ceremoni festive
nga imzotPjetër Gjura që daton me 19 mars të vitit 1923. Për herë të parë tingëllimi
kumbues i kumoneve u dëgjua me 19 mars, kurse tingëllimi i fundit i tyre po me datën
19 mars, por tashmë në një epokë të errët siç ishte e mbeti ajo e sistemit ateist
antifetar të rregjimit të Enver Hoxhës. Kështu në analet e errëta të historisë ka
mbetur 19 marsi i vitit 1967… Një muaj pas "fjalimit" të 6 shkurtit 1967, Enver Hoxha
u shpreh hapur dhe qartë pa frikë "Të djegim me zjarr…". Dhe me të vërtetë vetëm kështu
mund të realizohej ai qëllim i diktatorit, që do të quhej "Revolucion kultural", përmes
së cilës do të kryente veprën më të shëmtuaren dhe më të ndyrën ndaj popullit të vet
dhe kulturës shqiptare. Kështunë Shqipërinë e Gjergj Kastriotit, apo të shenjtërve
të Krishterimit që nga Iliria, Kastriotit legjendar si mbrojtës i Krishterimit Europian,
Atdheu i Nënë Terezës, do të shpallej me kushtetutë si "Shtet pa Fe"… Do të shkatërrohen
njeri mbas tjetrit veprat e artiti të shekullit XIII, ku mendihet së është kurorëzuar
Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti, në Vau të Dejës, kësaj kishe plot vlera iu vu dinamiti
dhe së bashku me afreskët e saj u holl në erë, duke e kthyer në pluhur e gërmallë… Dhe
historia do të flasë, sepse është regjistruese e mirë… Të gjitha kumbonat u
punuan me kujdes të veçantë në Itali nga Francesco de Poli dhe kushtuan 28609 napolona
floriri për të realizuar punimin dhe shkrirjen. E para peshonte 608,300 kg., e dyta
436,500 kg., e treta 307 kg., e katërta 245 kg., dhe e pesta 175 kg. Secila kishte
nga një emër të veçantë. Pas djegies së kumbanarës që ndodhi aty rreth vitit 1912,
me kujdesin e veçantë të Imzot Pjetër Gjurës u ba e mundur që të vendosën përsëri
kumbonat e reja (mbasi tre të parat pësuan dëmtim). Dhe bujaria shkodrane u shpreh
me madhështinë e saj karakteristike. Kështu për të parën kumbonë ndihmuan familja
Kolë Kakarriqi me 1400 lira, për të dytën familja e Pashko Ashikut dhe Balto Çoba
me kontribut prej 500 lira, për të tretën dhuruan Lazer Ristulli e Nush Topalli, për
të katërten Dr. Gjon Saraçi dhe e Kel Palit, kurse për të pestën Lin Luka (i vogli)
e Rrok Daberdaku, që dhuruan nga 5 napolona flori. Po kështu - shkruan studiuesi i
njohur Lec Zadeja, kanë kontribuar edhe Cina e Ejell Çobës dhuroi 37 napolona flori,
ndërsa nga besimtarët të ndryshëm katolikë u grumbulluan mbi 1200 lireta e 750
korona. Sahatet i dhuruan me fisnikëri familja Kaculini, duke i sjellur nga Austria. Disa
detaje të veçanta mund të përmendim edhe faktin se deri në vitin 1922, Kisha ka qënë
shtruar me dërrasa, ndërsa më vonë filloi shtrimi me pëllaka. Bankat e para u sollën
në vitin 1923 nga Italia prej z. Simon Kromiqi. Siç dihet, vepra më e madhe e kultit
kristian në qytetin më veriperëndimor të Shqipërisë, përveç Lterit të madh që ka mbetur
i pandryshuar edhe (nga viti 1858) në vitin 1953, ka pasur edhe Lterë të tjera, ku
priftërinjtë celebronin meshen shenjte. Kështu Lteri i Shejtes Trini ka qënë paguar
prej Nush Gjon Kovaçi, ai i Konakut të Shenjtë u dhurua nga Gaspër Markiçi, të Shën
Marisë Madalenë e dhuroi Ejëll Çoba, të Shën Lorencit e fali si dhuratë Gjon Muzhani,
të Shna Ndout Kolë Çoba, të Shën Kollit, Kolë Serreçi, ndërsa Lterin e Zemrës së Krishtit
u ndërtua me ndihmat e mbledhura në popull si dhe me stolitë e ndryshme që dhanë gratë
shkodrane. Dy ujëbekoret, me material mermeri i dhuroi familja Pema. Në të gjithë
Lteret ishin vendosur trupore të Shenjtorëve të ndryshëm, dhuratë këto të qytetarëve
të familjeve fisnike bujare shkodrane… Gjatë Luftës Ballkanike, në Kishën Kathedrale
u strehuan shumë familje shkodrane, e asokohe për shumë kohë nuk u krye asnjë ceremoni
fetare. Ata u zhvilluan në Kappelë e në oborr të Zyrës së Famullisë. Qendra e Arqipeshkëvisë
(rezidenca Ipeshkvore e Arkidioqezit të Shkodrës, shenimi im K.K.) u vendos me 6 maj
1871 dhe është vepër e arkitektit Pjetër Marubi. Ajo më përpara ka funksionuar në
rrugën Sakak-Nemce, pastaj në Shtëpinë e Misionit Shetitës (në afërsi të Gjukatës
së rrethit të Shkodrës sot).
…kthimi i Kishës Kathedrale në Pallat Sporti… Është
e vështirë të përshkruash ato vite që si kam jetuar, por që më vonë deri më sot i
kam mësuar nga të moshuarit e qytetit. Sikurse flasin edhe burimet historike, kundër
Klerit Katolik Shqiptar të shkolluar në Universitetin më të famshme të Europës nisi
kalvari i anatemimeve dhe eleminimit fizik, burgje, litar, plumb, për të vetmin "faj"
se ishin të krishterë që kundërshtonin rregjimin ateist të komunistëve. Dhe kështu
filloi njëluftë e hapur dhe e ashpër ndaj çdo gjëje që kishte simbolin e Kryqit dhe
kulturës Perëndimore… Pas mbylljes së kishave, për më tepër mësohet se një pjesë
e tyre iu nënshtruan dinamitit, tritolit, dhe kthimin në "vatra" kulture dhe "monomente"
sporti. Studiuesi Lec Zadeja shkruan: "Por pa shkue pak muej, gjoja me kërkesën
e nji grupi sportistesh të rrethit, filluen punimet për kthimin e Kishës në Pallat
Sporti. Kështu në vitin 1968, krahas rrëzimit të kumbanarës, filluen në stil të gjanë
punimet brenda Kishës. E këto vazhduen me ritme të shpejta për të ardhë tek vitit
1969, kur do të bahej përutimi i Pallatit të Sportit, me sallë të lojnave me dorë,
të ngritjes së peshave, të mundjes, tue u shfrytëzue edhe për koncerte, takime të
zgjedhësve me deputetë gjatë fushave elektorale, etj." Një fat të tillë do të kishin
edhe kishat dhe kuvendet e tjera në Shkodër e në të gjithë Shqipërinë ku ekzistonin
qendrat e kultit kristian. Ndërsa të gjithë materialet e tjera të kishave u grumbulluan
në "Muzeun ateist", për t’u parë në formë të detyruar nga nxënësit e shkollave dhe
populli. Ajo qëndroi e hapur 5 vjet, shëtiti e bredhi në fshatra, malësi, zona industriale.
E të gjitë këto vlejtën për ngritjen e një muzeu lokal ku ishin të vendosur dokumenta,
foto, materiale të ndryshme, të ekspozueme, kryesisht nga Shkodra, dhe u përurue me
9 qershor 1973. Muzeu përmbante 6 sektorë dhe secili kishte pamje dhe pikësynimet
e veçanta. Në hyrje të tij kushdo të vizitonte këtë, lexonte citatin e Marksit "Feja
është Opium për Popullin".Është me interes të theksohet se "Muzeu Ateist" qëndroi
i hapur, për aq kohë sa qëndruan të mbyllura kishat në Shqipëri. Në te u zhvilluan
me dhjetra sesione "shkencore", ku shumë servillë dhe "ndihmës të PPSH, për edukimin
komunist të punonjësve dhe nxënësve të cikleve të ndryshme të shkollave…" derdhen
me afsh të zjarrtë dhumin e madh të urrejtjes nda Krishterimit dhe prelatëve martirë
të saj, të cilëtnjëri pas tjetrit nisin të varen, pushkatohen dhe kalben në burgjet
e hatashme komuniste dhe antiklerikale në Shqipëri, barra më e rëndë e së cilës në
veçanti ra mbi Klerin Katolik Shqiptar që ishte më i konsoliduari në kulturë organizim
hierarkik kishtar dhe më atdhetari në vepra konkrete qysh me ahimin e Krishterimit
të Krishterimit në Shqipëri. U shkruajtën libra, artikuj të ndryshëm në gazetat antishqiptare
si Ze(hr)i ose "Zëri i Popullit", "Bashkimi", Jeta e Re" (lokale e Shkodres, shënimi
im K.K.), libra si: "Veprimtaria reaksionare e Klerit Katolik Shqiptar" 1944-1967
shkruar nga Ragip Beqaj në tre vëllimdhe shoqëruar me "vlerësime" fyese përmes një
parathënie që mban nënshkrimin e prof.dr. Jup Kastratit të shumë komunistë dhe antikatolikë
të tërbuar arritën që të mbrojnë "Doktoratura" dhe nivelin e lartë të "shkencës"
titullin bastardh për ta "Profesor", kundër vëllezërve të gjakut të tyre: u mbushën
me qindra e mijëra fletë dhe artikuj, libra dhe broshura, të cilat sot janë si njolla
me e zezë e turpit të paskrupullt të tyre. Dhe nuk janë pak, por një mal i tërë që
për brezat që do të vijnë do të ketë shumë mund e punë për t’i dlirë dhe për të nxjerrë
në pah dufin patetik të urrejtjes që kishin e kanë edhe sot shumë syresh, që pa të
drejtë morale mbajnë dhe mburren me titujt bastardh të tyre. I dashur lexues, kudo
që të jesh ti që e lexon këtë artikull në Jug e në Veri të Shqipëris, brenda dhe jashtë
vendit; për sa shkruaj bindu mbi bazën e arsyes që është e zeza mbi të bardhë; mbasi
për çudi, një pjesë e këtyre as profesorëve dhe as doktorëve gjenden në majat më të
larta të piramidës së ashtuquajtur "shkencore" ku vegjetojnë dhe japin "leksione"
demokracie dhe "kulturore" pa pikën e moralit për atë çka i sollën kombit dhe kulturës.
Por si kameleonë ata u integruan për përfitime materiale dhe "kulturore" poste në
të gjitha partitë e majta dhe jo pak edhe në partitë e djathta, që pranuan me thasë
çdo ish-komunist në gjirin e saj, çka për pasojë i sollën brejtjen e qeverisjes dhe
humbjen e pushtetit. Dhe kjo u shpreh në të gjitha mënyrat…
Dom Ndre Mjeda
shkroi:
"Mbas dimnit vjen pranvera Dielli mbas shiut agon"
7
mars 1991. Mbi ndërtesën e pallatit të sportit rreth orës 10 paradreke, disa
qytetarë shkodranë vendosën me dashuni kryqin. Klerikët e qytetit të Shkodrës
kanë marrë në dorë çelësat e Kishës së Madhe që pas 50 vjetëve tashmë shkëmoi gjumin
e gjatë letargjik ku e pllakosi ateizmi këtë tempull lutjesh të shenjtë për besimtarët
katolikë. Po në këtë ditë festive të rihapjes së Kishës Kathedrale, përmes një ceremonie
të thjeshtë, kleriku i nderuar Pader Aleks Baqli, në prani të një numëri të madh besimtarësh
shkodranë dhe nga rrethinat bëri bekimin e Kishës, të dhunuar egërsisht nga sistemi
komunist, duke e kthyer me forcë në sallë sportive shumësportësh. Dhe gëzime të tjera
do të shoqërojnë Kishës Kathedrale, siç ishte dita e paharruar e 25 prillit të vitit
1993 kur Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II, në prani të shumë përsonaliteteve shqiptare
dhe nga bota shuguroi katër Ipeshkëvinjë të rinjë shqiptarë: Imzot Frano Illinë (1918-1997),
Imzot Zef Simonin, Imzot Robert Ashtën (1918-1998) Imzot Rrok Mirditën. Zef Simoni
Ipeshkëv, në librin e tij autobiografik "Ngjarje në Tokë" e përshkruan kështu këtë
epizodë të rëndësishme të Kishës martire Katolike Shqiptare që po i buzëqeshte ringjallja
pas serisë së madhe të kalvareve të përgjakshme "Me këtë rast ishte lajmërue kleri,
31 persona, me asistue në meshën që do të celebrohej, në Kishën Kathedrale prej këtyne
dy meshtarëve. Në homelinë Mons. Celli, tha fjalë shumë të bukura tue e lidhë ditën
e parë të pranverës me pranverën e re të Ringjalljes së fesë.Para e mbas bani një
mbledhje me tanë klerin në një dhomë në Pallatin e Arqipeshkëvisë, që ende nuk kishte
nisë rindërtimin e tij. "(Zef Simoni Ipeshkëv, "Ngjarje në Tokë:, Shkodër, 1998, f.
246). Së fundi Kurja Arqipeshkvnore Metropolitane e Shkodrës në përgjigjen e kërkesës
së dy klerikëve të meshtarëve Don Ndoc Nogaj dhe Don Nikollë Mazreku njofton se miraton
ndërtimin edhe një herë të Lterit të ri në kishën Kathedrale, kushtuar "Zojës së Shkodrës"
(Nana e Këshillit t’Mirë), sipas idesë së arkitektit të ndjerit mjeshtërKolë Idromeno.
Dhe punimet filluan dhe pas disa viteve përfunduan me sukses, duke dhuruar për Kishën
Kathedrale këtë dhuratë të Nanes Hyjnore dhe të popullit të Shkodrës që gëzon sot
të gjithë. E historia e Kishës Kathedrale është e hapur dhe do të pasurohet me ngjarjet
që do ta pasojnë qytetin dëshmitare e së cilës do të jetë edhe ajo…
Klajd
Kapinova gazeta "Illyria",New York
Si ka qënë Kisha Katedrale e oborri i saj
Oborri ka qënë i rrethuem me
avulli. Ka pasë tri dyer; një në ballë të kishës me pullaz, një kah rruga Geraj e
një kah asht edhe sot. Ka pasë katër puse dhe sot ka vetëm një, atje ku lehet vetura.
Në një shtëpi të ultë ka ndenjë një familje e cila ka pasë pusin para. Një pus tjeter
ka qënë para derës së Kishës, p.sh. Pallati i Arqipeshkëvisë e sot shifet një gur
i rrumbullakët.
Ngjitë me derë të oborrit, përballë kishës, ka qënë një jerevi
e madhe e naltë nja gjashtë metra. Derën e të himit e ka pasë kah arqipeshkëvia, kishte
mbrendë furrën me të cilën lejshin drutë e qymyrin, gjithashtu bajshin edhe kazanat.
Përballë
pallatit arqipeshkvnuer ishte një shtëpi e naltë, që u përbante prej katër dhomash,
d.m.th.një odë e madhe karshi arqipeshkvisë e cila në kohën e Imzot Jak Serreqit,
atëherë famullitar ishte oda e kangtorisë, e dy të tjerat për sakristanat. Afër derës
së shtëpisë ishte pusi. Ngjitë me këtë shtëpi ishte hani, u thirrte i Shan Dedës.
Me
1908 kje ngritë ndertesa që ma vonë u ba salla e teatrit. Kjo godinë ka qënë një odë
me dy dritare e deren e stolisun mirë; pjesa tjeter e pastolisun, sa xhama, sa dyer.
Këtu u mblidhte komisioni ose paria, sa herë u nevojiteshin për punë qeveritare, për
me dhanë ushtarë e tjerë.
Me inisiativen e Imzot Serreqit kje krijue Daulla
e Kishës; prej këtij kje goditë një çardak me parmakë hekuri e vinte karshi arqipeshkvisë,
ku delshin e i bijshin daulles. Dilshin për çdo dielle e festa mbas bekimit për t'i
ra daulles, në këtë rast u mblidhte populli i madh për të ndigjue. Pleqtë rrijshin
kambëkryq tue bisedue dhe masa e re tue shetitë.
Kisha përmbrenda ishte pa
tavan, por me trena të latuem e të zbukuruem, ashtu edhe presbiteri, përveç se gunga
me kupël ishte e mistrueme. Lteri i madh ka qënë ashtu siç ka qënë deri tash vonë.
Në gungë ka qënë fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë e vogël në mur, të cilën e rrethojshin
do engjëj të pikëzuem edhe këta në mur. Mbi qemer, në ballë të kishës, ka qënë një
kryq që sot gjindet nder vorreza në kapelë. Kisha ishte e bojatisun, oda e shtrueme
me dërrasa.
Në atë kohë Katedralja lulëzonte fort, pse populli që merrte pjesë
në meshë e funksione, ishte i madh, sepse ai që nuk shkonte në meshë të madhe, nuk
kryente borxh. Kongregacioni ose kompanjitë e Zojës Rruzare ishin të detyruem me marrë
pjesë në meshën famullitare, pra pleq e të rij, plaka e gra e nuse u mbushte kisha
si nadje, ashtu edhe mbasdite. Mesha e vajzavet ishte mesha e parë. Në këtë meshë
shkojshin vajzat e fejueme e me çarçafë ase boçen në krye. Edhe mbasdite nuk rrinte
kush pa marrë pjesë në bekim.
Ku sot asht dera e sakristisë, ishte arka e Kartofagut,
mbi të ishte një poltron, ku famullitari mbas pjesës së Rruzares hypte e në poltron
rrinte bante katekizëm.
Sakristanë ishin dy katundarë të pamartuem, Toni e
Leka, të veshun me veladona me flokë zylyfë. Këta i mbante famullitari; shërbyen deri
sa vdiqen. Mbas tyne vijnë Dedë Baltoja e Gjon Bombardoni. Mbas tyne vijnë përsëri
Kolë e Nush Mazi.
Lulëzimi ma i madh ishte se Katedralja kishte në gjinin e
vet 18 kompani (shoqni); të Korpit të Krishtit, Zojës së Shkodrës, Shejtnueshmes Trini,
Shën Krygjës, të Shelbuemit, Shpirtit Shejt, të Ngjallunit të Krishtit, Shën Shtjefnit,
Sh'Pjetrit e Sh'Palit, Sh'Filipit e Sh'Jakobit, Shën Kollit, Sh'Jozefit, Sh'Markut,
Sh'Mërisë Magdalenë, Sh'Lorencit, Sh'Mëhillit, Sh'Njonit. Këto shoqni kishin (çaushat)
kujdestarët e paguem, me qitë jashtë e me shti mbrendë flamurtarët, ku secili kishte
raftin e vet me qira, fugure e me lule. Dy shoqninat e Korpit të Krishtit e e Zojës
së Shkodres kishin qirat tri okësh të trashë me simbolin e shoqnisë dhe gjashtë copë
qira ka pesë okësh me simbolin e Korpit të Krishtit e të Zojës së Shkodrës, kishin
edhe rreliket e veta.
Diten e Korpit të Krishtit, posë 12 pleqve të Shoqnisë,
merrshin pjesë në proçesion trima edhe gra, ashtu edhe malsorë e katundarë. Gjithashtu
edhe nder festat e Zojës, si: Të Këshillit të Mirë në prill, si dhe në atë të tetorit
(Zojës së Shkodrës). Proçesioni bahej rreth oborrit të kishës kështu merrshin pjesë
edhe 16 shoqnitë tjera me 6 pleq të çdo shoqnie. Shkolla Stigmatine, françeskane,
shoqnia e Zojës Rruzare, kongregacioni i Zojës Nunciatë, i Treti Urdhen merrshin pjesë
në këto proçesione.
Kur ishte dita e Shën Shtjefnit, ndërsa arqipeshkëvi u
ulte në fron te lteri i Sh'Jozefit me kotë e stolë, delte një ndihmëtar i famullisë
e u fillojshin litanitë. Fillonte proçesioni tue i pri kryetari e flamuri i shoqnisë
e gjithë pjestarët e saj mbas me qira të ndezun dhe në fund me rrelike në dorë, mbrenda
kishet. Kështu për Rrëshaj, Sh'Pjeter etj., etj.
Kasa (lëmosha) u mblidhej
pjestarëve të shoqnisë nder festa si edhe nder të dielle. Kur arqipeshkëvi celebronte
Meshën Pontifikale, si: per Pashkë, Korp të Krishtit, Zojës së Shkodrës e Këshillit
të Mirë, Sh'Pjetrit, Shejtnueshmes Trini, Sh'Jozefit, Shoqnia Servite, epte 1 napolon
për meshë ne e dielle e festë atij që celebronte Meshën e Madhe. Kompanitë paguejshin
gradis 23 dhe të tjerat i merrnin shoqnitë herë njena, herë tjetra.
Mbas vitit
1900 Franz Jozefi me inisiativën e Imzot P.Gjenovicit çoi për ta goditë Katedralën
ku kje zbulue e çue muret mbi qemer dy meter, vu trenë hekurit dhe mbulue me zinko,
që përpara ishte mbulue me tjegulla. Në fund të kishës ku sot asht lteri i Zojës së
hirshme fabrikojshin tulla prej gjesos tue i vu masur mbrendë e mbandej bajshin betonin
më se një meter. Me ta kje tavanisë kisha dhe presbiteri. Nder shtyllat ishin të pikturueme
12 apostujt, tavanin me zemren e Krishtit e figura tjera, gunga me ejë, etj.
Imzot
Jak Serreqi figurën e madhe të Zojës së Këshillit të Mirë që kje vendosë në gungë
pat ba dy braçaleta në kurriz për nga tre çira të një fabrike italiane të cilat i
pati ngulë në gungë andej këtej fugurës së Zojës, pat pru fugurën e Korpit Shejt,
truporen e Zemrës së Krishtit. Kje përmirësue trupi i Shën Prosprit. Ka bamë pjanete,
dalmastika, teniçele, pijala e vela të qendisun nder Stigmatine, etj.
Me 1905
ra termeti dhe prishi mbi lter të Shën Lorencit tavanin e pullazin. Ra edhe tavani
që ishte i punuem me tulla gjesoje, gjithashtu u prishën edhe pikturat.
Në
Shkodër ishte ndihmës arqipeshkëv Imzot Lazer Mjeda. Po në këtë vjet, ditën e Sh'Lodovikut
u pagëzuen tri kumbonët e fretenvet. Kje emnue Ipeshkëv i Zadrimës Imzot Jak Serreqi.
Famullitar në Shkodër ishte Dom Gjon Bushati.
Në këtë kohë me inisiativen e
Kolë Idromenos u godit tavani i kishës Katedrale që asht sot. Në kupë të lterit të
Madh u pikëzue të Ikunit e Zojës së Këshillit të Mirë. Kisha kje e pajisun me momente
të bukura e të mira.
Imzot Lazër Mjeda, ndihmës Ipeshkëv i Shkodrës, me të
holla të veta bani një vepër shum të madhe, sepse mbas gungës e ka kah oborri kah
Vasijet, u mbledhshin pijanecat, ku edhe lojshin kumbar. Pra, çarti jerevinë, avullinë,
hanin dhe gjithë dugajët ku rrinte Shan Deda, rrënoi shtëpinë e daullës, dhe goditi
deren me hekur dhe avullinë me parmakë të hekurt. Mbylli siç asht sot pjesën që lidhë
qoshën e kishës me arqipeshkvi, edhe këto me parmakë hekurash. Ndreqi rreshtin e dugajëve
ku ndertoi dhe një dhomë për kangëtarët, kurse daullën e çoi në shtëpi të kishës në
rrugën Dardinj.
Në këtë rast gjetën rasën Shuk Serreqi me Kolë Shkrelin e Ndrekë
Kiçin e kompania tue mbledhë prej popullit, një ditë të dielle, tue pretendue se Imzot
Mjeda don me zaptue oborrin e kishës e kështu populli me qyskija e ternagopë shkuen
me rrafshue arkun e të tjerat. Por Imzot P.Guerini lajmëroi Valinë i cili dergoi ushtarë
e largoi popullin pa ba kurrnjë dam. Në këtë kohë Imzot Lazër Mjeda kje emnue arqipeshkëv
i Shkupit.
Në vitin 1910 Imzot P. Guerini dha dorëheqjen e në vend të tij kje
gradue Imzot Jak Serreqi Arqipeshkëv i Shkodrës. Imzot Gjon Bushati ishte famullitar
i Shkodrës.
Në tetuer 1912 plasi lufta Ballkanike, ku Shkodra mbet e rrethueme.
Serbia e Mali i Zi nisën me gjuejtë me topa, e populli me shpresë se kishën nuk do
ta gjuente, u qasne ne Katedrale pa droje. Por kisha kje gjuejtë siç diftojnë gjylet
e nguluna në mur, fugurja e të Shejtnueshmes Trini kje ba me bira prej shkrapnelit.
Një gjyle i ra kompanjelit, por nuk mujti me u shprazë. Kështu kjo gjyle ra në sakristi,
ku morën zjarr teshat që populli kishte, edhe dyshekët. Morën zjarr rata e shugurueme,
teshat e mira, Kelshejtët, Ostensorët e s'mbet gja pa u djegë, ashtu edhe çardaku
i sakristisë. Zjarmi hini në kompanjel tue e prishë shkallët drunit sahatin, u dogjen
trenët që mbajnë kumbonën e madhe e cila ra poshtë dhe u thye.
Imzot Gjon Bushati,
pruni paramente, pjanetë e dalmatikat e bardha, të kuqe, jeshile, vjollca e të zeza,
ashtu dhe ato të qendisunat që ia çoi Viktor Emanueli. Kështu për t'i ba dritë natën
kishës për ata që flejshin kjenë përdorë qirat, e kompanjive. Këta qira kjenë përdorë
edhe me shti të vdekunit në dhé.
Kur krisi Lufta e Parë Botnore kje hjekë Imzot
Gjon Bushati dhe vendin e tij e xuni Imzot Pjeter Gjura. Kur ishte kisha pa tavan,
predikatorja ka qenë kah trimat ku asht tash truporja e Sh´Terezinës. Kur u pikturue
kisha nga Inxh. artistik, kje hjekë e vu ku asht kenë truporja e Sh´Shtjefnit.
Monsinjor
P.Gjuraj e ka shtrue kishën e sakristinë me rrasa, mbasi ma perpara ishte e shtrueme
me dërrasa. Bankat e kishës i ka punue Mati Daberdaku. Me 1923 Imzot P.Gjura pruni
me ndihmen e popullit pesë kumbonët të cilat u pagëzuen ditën e Sh'Jozefit, me 19.III.1923
prej Imzot Lazer Mjedës. Të shtunden e Madhe po të këtij viti edhe kumbonët kjenë
vu nën drejtimin e inxh. Kolë Idromenos. Në këtë ditë ranë për të parën herë.
Me
inisiativën e Imzot P.Gjurës e Lazer Pistullit, në meshë të madhe delshin nder banka
në presbiter të ndamë në dy pjesë ku këndojshin, si nder katunde. Nder festa u këndonte
me harmonium drejtue prej Dom Zef Pukës. Ndër ditët e mëdha, në kohën e Imzot P.Gjurës
për Pashkë e Këshndella, Zojës së Këshillit të Mirë e Zojës së Shkodrës, Korpit të
Krishtit mesha u këndonte me daullë nën drejtimin e Z.Frano Ndojës. Në këtë kohë me
inisiativën e Imzot Jak Serreqit kjenë bashkue dy kangëtoritë e Katedrales dhe ajo
e Kongregacionit. Lec Gjushi kishte një za tenori, kurse Ndoc Celi një za basi, e
të fortë. Të dy këta kjenë çue në bazë dhe patën këndue në Kishën e Shën Pjetrit ku
lanë nam të madh.
Ma të paren daullë e prunë P.Thoz Kori O.F.M. ku pat pru
edhe një profesor italian... Luigji. Prej kësaj daulle ka dalë mjeshtri Palok Kurti
e ma vonë u krijuen daulla e Jezuitëve e prej nga doli mjeshtri Frano Ndoja, i cili
pat dirigjue daullen e Katedrales. Phoemix - Qendra e Studimeve Shqiptare "Ernest
Koliqi" Shkodër