El Baradei shpall kandidaturën për president në Egjipt, ku u kremtua funerali i viktimave
të dhunës kundër të krishterëve
(10.03.2011 RV)Qindra të krishterë egjiptianë morën pjesë sot në funeralin
e shtatë koptëve ortodoksë, që u vranë dje në ndeshjet me myslimanët në Kajro. Kujtojmë
se numri i përgjithshëm i viktimave është 13, ndërsa ai i të plagosurve 140. “Ne do
të sakrifikojmë shpirtin e gjakun për kryqin” thirrën të pranishmit në fund të funksionit
kishtar në kishën e Samaan al-Kharazit, ndërtuar brenda një shpelle. Disa mbanin në
duar parrulla ku shkruhej: “Jo sektarizmit, jo vrasjeve” dhe “Lamtumirë martirëve
të Krishtit”. Ndalimi i dhunës është një gur prove i rëndësishëm për Këshillin
e Lartë të Forcave të Armatosura, i cili dëshiron të organizojë zgjedhjet e reja brenda
gjashtë muajsh. Dje, u mblodh për herë të parë, qeveria e re e pas Mubarakut, e cila
premtoi të rivendosë rendin. Ndërkaq, çmimi Nobel për Paqen, ish-drejtor i Agjensisë
Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Mohamed El Baradei deklaroi sot se do të kandidohet
në zgjedhjet presidenciale. Ai i quajti “sipërfaqësore” amendamentet mbi Kushtetutën,
hartuar nga komisioni përkatës dhe premtoi se do të rilidhë marrëdhënie me Iranin.
Sipas tij, Kushtetuta duhet rishkruar nga fillimi.