2011-03-10 14:47:01

Bomba të Gedafit mbi Ras Lanuf. Parisi njeh kryengritësit e Libisë.


(10.03.2011 RV)Në Libi, forcat e Muhamar Gedafit po bombardojnë nga ajri e nga deti pozicionet e rebelëve në qytetin naftëmbajtës të Ras Lanufit. Ofensiva shtyhet gjithnjë e më në lindje, ku bombardohet Brega, ndërsa regjimi deklaron se ka nën kontroll Zauijën.
Ndërkaq, me një gjest që e la gojëhapur Bashkimin Evropian, Franca njohu zyrtarisht Këshillin Kombëtar të Tranzicionit, qeverinë e përkohshme të kryengritësve në Bengazi, duke shkaktuar furinë e Tripolit. Është vendi i parë perëndimor, që i njeh rebelët, pas takimit në Elize ndërmjet një emisari të Bengazit dhe presidentit francez, Nikolas Sarkozì. Në punë edhe emisarët e Gedafit, të cilët po përpiqen të fitojnë përkrahjen e Greqisë, të Portugalisë dhe të Egjiptit, deri tani, pa rezultat.
Edhe Europarlamenti i kërkoi kryetares së diplomacisë evropiane, Kathrin Eshton të lidhet me kryengritësit dhe të fillojë procesin e njohjes së tyre. Gjithashtu, thuhet në rezoltë, vendet evropiane duhet të jenë gati për krijimin e zonës së ndalim-fluturimit, nëse kjo mbështetet nga OKB-ja, Bashkimi Afrikan dhe Lidhja Arabe. Bashkimi Evropian, nga ana e tij, miratoi sanksione të reja kundër Libisë, që synojnë të godasin fondin sovran të vendit. Sanksionet do të hyjnë në fuqi nesër, sapo të botohen në Gazetën Zyrtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.